Deklarohet fajtor i akuzuari për vjedhje të shërbimeve komunale

f27
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Dhjetor 11, 2019

Prishtinë – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve komunale, Zeqirja Rrahmani, është deklaruar fajtor në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Hava Krasniqi, i akuzuari ka deklaruar se e ndien veten fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Na e kena pas në shfrytëzim, po tjetër kush ka punu, kontratë nuk kom. Shpija osht e jemja, dyqani u kon i jemi, e pranoj”, ka thënë i akuzuari.

Këtë pranim të fajësisë e ka mbështetur edhe prokurorja Krasniqi, dhe si e tillë është aprovuar nga gjykatësi Alban Ajvazi.

Paraprakisht, prokurorja Krasniqi, e ka bërë ricilësimin e veprës penale, nga neni 320 në nenin 314, me arsyetimin se ky kod i ri është më i favorshëm për të akuzuarin.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 12 dhjetor 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 dhjetor 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Zeqirja Rrahmanit, të cilin e akuzon se më 3 qershor 2014, në Prishtinë në lokalin “Deni Plast”, gjatë kontrollit nga punëtorët e autorizuar të KEDS-it, është konstatuar se i akuzuari në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike duke larguar tri urat e tensionit të ulët nga njehsori elektrik.

Sipas aktakuzës, të dëmtuarës KEDS i akuzuari i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 767.15 euro, si dhe me 13 dhjetor 2014 kishte anashkaluar njehsorin elektrik me qëllim që rryma elektrike e shpenzuar të mos regjistrohet, me ç’rast të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 1142 euro dhe vlera totale  e dëmit është 1909,15 euro.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale” , nga neni 320 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi