Deklarohet eksperti i mjekësisë ligjore në rigjykimin ndaj Granit Elshanit, i akuzuar për vrasjen në ‘‘City Club’’ në Pejë

119461348_659949588288893_1127920200706827301_n
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shtator 14, 2020

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të hënën, në seancën e rigjykimit për vrasje të rëndë, tentim vrasje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndaj të akuzuarit Granit Elshani, është dëgjuar eksperti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës, doktor Naim Ukaj.

Për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë, Elshani nga Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, ishte dënuar me 25 vjet burgim, por që më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e hënës, eksperti Ukaj, ka deklaruar se me rastin e konstatimit rreth plagëve të të dëmtuarit Hasan Buqaj në natën kritike, është mbështetur në shkresat e lëndës të dorëzuara nga gjykata.

“Në shkresat e lëndës kanë qenë të bashkangjitura raportet mjekësore nga Spitali Regjional i Pejës – Emergjenca. Po ashtu, në shkresa të lëndës janë bashkangjitur edhe raportet mjekësore të cilat dëshmojnë për ecurinë e trajtimit për lëndimin trupor së bashku me analizat e domosdoshme laboratorike, si dhe një procesverbal mbi shqyrtimin kryesor të datës 28.01.2019’’, ka thënë ai.

Gjithashtu, i njëjti është përgjigjur edhe në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit Elshani, avokates Kosovare Kelmendi, për të dhënë mendimin e tij rreth lëndimeve të të dëmtuarit Buqaj, se a mjaftojnë vetëm dokumentet e dorëzuara nga gjykata.

Përkitazi me këtë, eksperti Ukaj ka thënë se pas 10 vjetëve të ngjarjes, ekzaminimi i të dëmtuarit është shumë i vështirë për të dhënë një rezultat kredibil, profesional dhe mjekësor.

“Pas 10 viteve të ngjarjes, ekzaminimi i të dëmtuarit është shumë i vështirë për t’u jep një rezultat kredibil, profesional dhe mjekësor, me qëllim të evidentimit të karakteristikave të plagës hyrëse, vendit ku është lokalizuar predha, kjo duke pasur parasysh se në periudhën 10 vjeçare, proceset fiziologjike të trajtimit të plagës me siguri kanë krijuar vraja të cilat i kanë humbur karakteristikat e plagës hyrëse, në bazë të të cilave secili specialist i mjekësisë ligjore mund të deklaronte për pozitën dhe drejtimin e predhës së hedhur nga arma e zjarrit”, ka thënë eksperti Ukaj.

Ndryshe, në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, e aprovoi propozimin e prokurorit special Afrim Shefkiu që të konsiderohen të lexuara provat e administruara deri në seancën e kaluar.

Pas deklarimit të ekspertit Naim Ukaj dhe leximit të disa provave materiale nga trupi gjykues, i akuzuari Granit Elshani është ftuar që ta jep mbrojtjen e tij, mirëpo i njëjti kërkoi nga gjykata që këtë gjë ta bëj në seancën e ardhshme pasi që po ndjehet  i lodhur.

Një propozim të tillë e aprovoi kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, kurse sipas tij seanca e radhës  do të vazhdojë me 15 shtator 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, me 30 maj të vitit 2018, ka shqiptuar 25 vjet burgim, ndaj Granit Elshanit, i cili akuzohet për vrasje dhe tri tentim vrasje, për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Kurse, Apeli kishte anuluar aktgjykimin në fjalë duke miratuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Granit Elshani, avokatit Ndrecë Dodaj, për shkak se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë  i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabin, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor Hasan Buqaj. /Betimipërdrejtësi