Deklarohet e pafajshme mjekja e Spitalit Rajonal në Gjakovë e akuzuar për korrupsion

Vera Lleshi etj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Qershor 25, 2020

Gjakovë – Mjekja e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, Vera Lleshi, në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është deklaruar e pafajshme në lidhje me akuzat për keqpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti.

E pafajshme është deklaruar edhe e akuzuara tjetër për deklarim të rremë në këtë rast, Jehona Arapi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardita Beqiraj, të akuzuarat Lleshi dhe Arapi deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Meqenëse të akuzuarat nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Zika deklaroi se  shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet dhe i njoftoi të akuzuarat dhe mbrojtësit e tyre, se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 21 maj 2020, Vera Lleshi po akuzohet se më 15 maj 2017, rreth orës 11:00, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISH, ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare duke tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim që të sjellë dobi të kundërligjshme pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

Tutje sipas aktakuzës, këtë e ka bërë në atë mënyrë që gjatë tërë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka favorizuar kandidaten Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë.

Për këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës publike apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, e akuzuara në po të njëjtën ditë ndryshon dokumentin origjinal me qëllim për shfrytëzimin e atij dokumenti si origjinal, duke ndërhyrë në testin me shkrim të kandidates Jehona Arapi, duke e riplotësuar me qëllim që t’ia mundësoj ngritjen e pikëve gjatë vlerësimit të testit me shkrim, ashtu që  në bazë të raportit të eksperimentimit grafologjik të AKF-së janë identifikuar karakteristikat e përgjithshme dhe individuale që përputhen me karaktaristikat e dorëshkrimeve të anëtares së komisionit punues Vera Lleshi në testin origjinal të kandidates Jehona Arapi.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 434 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, e akuzuara Jehona Arapi po akuzohet se më 8 gusht 2019, gjatë dhënies së deklaratës në cilësinë e dëshmitares në Stacionin Policor në Gjakovë me vetëdije paraqet deklarim të rremë, në atë mënyrë se kinse gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të Spitalit në Gjakovë, me rastin e plotësimit të testit nuk e kishte ndihmuar askush nga anëtaret e komisionit dhe se shkrimi në testin e saj është i tëri i saj dhe kishte përdorur dy stilolapsa, dhe në bazë të kësaj deklarate arrin të punësohet si operatore e SISH-it, duke i dëmtuar kandidatët e tjerë.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Deklarim i rremë” 392 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi