Deklarohet e pafajshme ish-arkëtarja në “Finca” që akuzohet se përvetësoi rreth 24 mijë euro

Merita Shehu
Author

Raporton: Dhurata RAMOJA

Dhjetor 5, 2018

Gjakovë – Ish-arkëtarja në institucionin mikro-financiar “Finca”, Merita Shehu, është deklaruar e pafajshme për përvetësim në detyrë, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Merita Shehu akuzohet se ka përvetësuar nga institucioni ku ka punuar shumën prej 23.977 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Ali Uka, e akuzuara Shehu, ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale, e cila i vihet në barrë.

Gjykatësi i rastit Shaqir Zika, e ka njoftuar të akuzuarën Shehu, që brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, ka të drejtë të paraqes kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Shqyrtimi i dytë është caktuar më 8 janar 2019, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 29 tetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës Merita Shehu.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore prej janarit të vitit 2018 gjerë me datë 14 qershor 2018, në cilësinë e personit zyrtar-arkëtare në institucionin mikro-financiar “Finca”, me degë në Rahovec me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar, për shkak të detyrës.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që prej arkës ka marrë shumën e të hollave të gatshme 14.200 euro, po ashtu ajo ka përvetësuar pagesat e ratave të kredive të 40 klientëve në shumë totale prej 9.777,50 euro dhe të njëjtat pagesa nuk i ka regjistruar dhe nuk janë futur në arkë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë” nga neni 425 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.