Deklarohet e pafajshme e akuzuara për rrezikim të trafikut publik

20210215_112639 (1)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shkurt 22, 2021

Raporton: Alban MEHMETAJ

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurës Lumturije Vuqetaj, e pandehura Ardiana Pelaj ka thënë se nuk e ndien veten fajtore për veprën penale e cila i bie në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq mbrojtësi i të pandehurës, Pelaj, avokati Sali Mekaj, ka thënë se meqë tani po e pranon aktakuzën, konsideron se e njëjta ka të meta teknike, duke shtuar se kërkon nga prokuroria që të bëjë korrigjimin e përmbajtjes së aktakuzës.

“Në faqen e dytë, tek fjalia ‘të cilën e drejtonte Imer Metaj i cili po qarkullonte ne drejtim të Istogut”, mendoj që duhet të shtohet vetëm një fjali dhe atë ‘me shpejtësinë 83.3 km/h’, ashtu siç thuhet në raportin e ekspertizës së 25 janarit 2020, të punuar nga eksperti rrugor, Yll Koshi. Andaj vlerësoj se prokurori i shtetit sipas kodit të procedurës penale ka për detyrë t’i vlerësoi në mënyrë të njëjtë rrethanat fajësuese po ashtu edhe ato shfajësuese, gjë që nuk ka ndodhur në rastin konkret”, ka thënë avokati Mekaj.

Pasi që e akuzuara nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Arben Mustafaj, ka kërkuar nga palët që t’i paraqesin kërkesat e tyre deri më 23 mars 2021.

Prokuroria Themelore e Pejës, më 11 shkurt 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës Ardiana Pelaj, duke e akuzuar për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se e pandehura, më 7 korrik 2019, rreth orës 15:20, në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut, nga pakujdesia ka shkelur Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, duke pësuar  lëndime të rënda trupore ajo personalisht dhe pasagjerja, e dëmtuara Ziza Pelaj.

Sipas aktakuzës, përderisa e pandehura ka qenë duke qarkulluar me veturë e saj të markës “BMË”, në rrugën Prigodë-Vrellë, e me të arritur në fshatin Vrellë tek udhëkryqi, duke mos i dhënë përparësi automjetit tjetër “Audi” me drejtues Imer Metaj, në rrugë me përparësi kalimi, i ndërprenë rrugën të njëjtit, me ç’rast ky i fundit në pamundësi të shmangies së aksidentit, me pjesën ballore të anës së majtë, e godet veturën “BMË”, në pjesën anësore të anës së majtë, i cili përplasët në murin e betonit jashtë rrugës në anën e majtë./BetimipërDrejtësi