Deklarohen të pafajshme të akuzuarat për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe marrje ryshfeti për patentë shofer 

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë janë deklaruar të pafajshme Vlora Ibrahimi lidhur me akuzën për marrje ryshfeti e falsifikim të dokumentit zyrtar dhe Donika Sylejmani lidhur me akuzën për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sahit Tmava, të akuzuarat Ibrahimi dhe Sylejmani u deklaruan të pafajshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke qenë se të pandehurat u deklaruan të pafajshme, gjykata të njëjtat i njoftoi se në afatin 30 ditor nga dita e sotme kanë të drejtë të kundërshtojnë provat e caktuara në aktakuzë, ose të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës.

Gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq njoftoi se nuk do të mbahet shqyrtimi i dytë.

Në të njëjtin akt akuzues për veprat penale dhënie e marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumentit zyrtar ngarkohen edhe Hasan Selimi dhe Kujtim Shaqiri, ku për këtë të fundit është veçuar procedura që në nëntor të 2021-ës, ndërsa për të akuzuarin Hasan Selimi gjykata më 16 shkurt 2022 e ka veçuar procedurën.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 qershor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Hasan Selimit, Vlora Ibrahimit, Donika Sylejmanit dhe Kujtim Shaqirit.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, Hasan Selimi akuzohej se nga fundi i muajit tetor të vitit 2016, i ka dhënë para në vlerë prej 300 euro personit zyrtar me qëllim që i njëjti të mos e kryejë veprimin zyrtar të cilin duhej ta kryente.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hasan Selimi, zyrtares Vlora Ibrahimi si pronare e autoshkollës “Klinton” dhe NN personit ua jep 300 euro para me qëllim që i njëjti të kryejë procedurat dhe të pajiset me patentë shofer të kategorisë “B” në mënyrë të kundërligjshme, pa mbajtur orë praktike dhe teorike e po ashtu të mos hyjë në test teorik, ndërsa u premtoi se do t’ua japë edhe 500 euro tjera kur të pajiset me patentë shofer.

Më këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënie e ryshfetit” nga neni 429, par.1 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Vlora Ibrahimi po akuzohet se në cilësinë e pronares së autoshkollës “Klinton” në bashkëpunim me NN personin me qëllim që të fitojë në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar para në cilësinë e personit zyrtar në bashkëpunim me NN personin, shumën e parave në vlerë prej 300 euro si dhe ka pranuar premtimin se të njëjtit do të pranojnë edhe 500 euro të tjera në mënyrë që mos të veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.

Tutje në aktakuzë thuhet se Vlora Ibrahimi ka regjistruar në mënyrë të kundërligjshme si kandidat të kategorisë “B” për patentë shofer personin Hasan Selimi dhe të njëjtit në këmbim të parave të lartcekura i ka mundësuar mbajtjen e orëve teorike dhe praktike si dhe ka lëshuar dokumentin “Libreza e kandidatit” për aftësim të kandidatit, më 25 janar 2016 ku aty thekson se kandidati ka mbajtur orët praktike më 18, 19, 20, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29 nëntor 2016 si dhe orët teorike të mbajtura më 18, 19, 20, 21 dhe 22 nëntor 2016, duke i vërtetuar me nënshkrimin e vet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e njëjta akuzohet se në fund ka lëshuar dokumentin “Vërtetim” më 30 nëntor 2016, mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, ku me këto veprime e njëjta ka përgatitur dosjen si të vërtetë për ta proceduar në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprat penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 428, par.1 të KPRK, dhe veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434, par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, në dispozitivin e tretë të aktakuzës Donika Sylejmani po akuzohet se në cilësi të personit zyrtar si instruktore e vozitjes pranë autoshkolles “Klinton” në Mitrovicë në dokumentin “Libreza e kandidatit” për aftësimin e kandidatit të 25 janarit 2016, ka theksuar se kandidati Hasan Selimi ka mbajtur orët praktike më 18, 19, 20, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28, dhe 29 nëntor 2016, duke e vërtetuar me nënshkrimin e vet si dhe në dokumentin “Vërtetim” të 30 nëntorit 2016, mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, duke nënshkruar se është aftësuar kandidati Selimi, ku ky i fundit në polici ka mohuar se ka mbajtur këto orë praktike.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare” nga neni 434, par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, në dispozitivin e katërt të aktakuzës, Kujtim Shaqiri po akuzohet se më 31 janar 2017, në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë me rastin e organizimit të dhënies së provimit teorik për patentë shofer, ka tentuar të vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.

Tutje thuhet se me dokumentin e rrejshëm – letërnjoftim të falsifikuar në të cilin ka qenë e vendosur fotografia e tij, ndërsa të dhënat personale kanë qenë të Hasan Selimit, i njëjti kishte tentuar të hyjë në test teorik për kategorinë “B” në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë për kandidatin Hasan Selimi, me qëllim që personi zyrtar të vendos në regjistër kinse Selimi ka kryer testin teorik.

Mirëpo, thuhet se gjatë kontrollit së ekzaminerëve, është vërejtur dhe i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, par.1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.

Kujtim Shaqiri, ngarkohet se me datën dhe vendin e njëjtë si më lart me dije ka përdor dokumentin publik – Letërnjoftimin e falsifikuar në emër të Hasan Selimit, ashtu që të njëjtin ia ka prezantuar personit zyrtar pranë njësisë së patentë shoferëve në Mitrovicë edhe pse e ka ditur se i njëjti është i falsifikuar.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 389, par.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë