Deklarohen të pafajshëm zyrtarët komunal të Drenasit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Pallati-i-Drejtesise-2-620x275
Author

Raporton: Medina Kadriu

Shtator 14, 2020

Prishtinë – Xhafer Ramaj dhe Shefshet Morina, që po akuzohen se në cilësi të zyrtarëve komunal të Drenasit, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Këtë vepër penale, Xhafer Ramaj, po akuzohet se e ka kryer në cilësinë e shefit të sektorit të gjeodezisë, kurse Shefshet Morina në atë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit.

Paraprakisht, para leximit të aktit akuzues nga ana e prokurores Merrushe Llugiqi, avokati Ramë Dreshaj që mbron të akuzuarin Ramaj, ka bërë të ditur se nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe kopjen e aktakuzës nga prokuroria.

Pas kësaj deklarate, nga ana e gjykatës, të akuzuarit janë pajisur me kopje të aktakuzës, kurse avokati Dreshaj ka kërkuar që pas kësaj seance të pajisen me shkresat e lëndës.

Lidhur me këtë, prokurorja Llugiqi ka thënë se të njëjtat mund t’i marrin gjatë kësaj dite në prokurori.

Pas leximit të aktit akuzues, dy të akuzuarit kanë thënë se nuk e pranojnë fajësinë për veprën penale që u vihet në barrë nga ana e organit të ndjekjes.

I akuzuari Morina ka deklaruar se nuk ka avokat dhe ka kërkuar që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare nga ana e gjykatës.

Gjykatësja Shpresa Hasaj – Hyseni,  e ka njoftuar të njëjtin se për veprën penale që i vihet në barrë nuk është e obliguar që t’i caktojnë mbrojtës sipas detyrës zyrtare, duke pasur parasysh edhe faktin se i njëjti deklaroi se gjendja e tij financiare është e mesme.

Megjithatë, ajo deklaroi se për shqyrtimin e dytë, gjykata të njëjtit do t’i caktojë një avokat ex-officio.

Ndryshe, i akuzuari Ramaj, ka bërë të ditur se është pensionuar, kurse i akuzuari Morina ka deklaruar se ende punon në Komunën e Drenasit.

Shqyrtimi i dytë në këtë rast pritet të mbahet me 1 tetor, me fillim nga ora 13:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 24 gusht 2020, i pandehuri Xhafer Ramaj, në pozitën shef i sektorit të gjeodezisë dhe i pandehuri Shefshet Morina, në pozitë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, në cilësinë e personave zyrtare kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar e kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në itin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 02/L-26 për Tokat Bujqësore, si dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.41/2006 për Ndërrimin e Destinimit të Tokave Bujqësore.

Tutje, thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të pandehurit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në në 16 zona kadastrale, në komunë të Drenasit, ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Karrtoicë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe  të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.

Sipas prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231,689.00 euro.