Deklarohen të pafajshëm tre të akuzuarit për uzurpim të paligjshëm të pronës dhe mospërfillje të vendimit të gjykatës

image1 (1)
Author

Raporton: Justina FRROKAJ

Nëntor 6, 2019

 

Prishtinë – Tre të akuzuarit Tasim Krasniqi, Milaim Krasniqi dhe Besim Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm për uzurpim të pronës së paluajtshme dhe mospërfillje të gjykatës.

Në shqyrtimin fillestar të së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit kanë mohuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merita Lumezi, tre të akuzuarit Krasniqi kanë deklaruar se nuk ndihen fajtor për këtë vepër, me arsyetimin se të gjithë kishin lindur në atë shtëpi dhe në atë vend.

Më pas, seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 6 dhjetor 2019, në ora 9:30.

Në këtë seancë, po ashtu, të pranishëm ishin, mbrojtësi i të akuzuarit Besim Krasniqi, avokati Naim Rudari, si dhe e dëmtuara Ifeta Nikoçeviq.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 14 mars 2019, thuhet se në nëntor 2018, në Prishtinë, të akuzuarit Krasniqi, në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar ngastrën kadastrale në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Krasniqi kishin vënë rrethoja-shtylla vertikale të betonit, rrethojë teli dhe kishin vendosur dërrasa të pllakës në një depo edhe pse sipas certifikatës mbi të drejtat e pronës së paluajtshme, kjo paluajtshmëri është pronë e të dëmtuarave, Ifeta dhe Zineta Nikoçeviq.

Me këtë, prokuroria i akuzon që në bashkëveprim, kanë kryer veprën penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, të akuzuarit Krasniqi, po ashtu akuzohen se nuk i janë bindur aktvendimit të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, me të cilin është caktuar masa e sigurimit, ashtu që u është ndaluar të akuzuarve, tjetërsimi, ngarkimi dhe disponimi i paluajtshmërisë.

Lidhur me këto veprime, sipas aktakuzës, ata akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale, mospërfillja e gjykatës nga neni 401, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi