Deklarohen të pafajshëm tre të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor

Foto 08.10.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Tetor 8, 2019

Malishevë – Tre të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor në bashkëkryerje, Ramadan Sopaj, Agron Sopaj, dhe Shkelzen Sopaj, janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Enis Gashi, tre të akuzuarit Sopaj, kanë mohuar fajësinë për veprën penale me të cilën i ngarkon Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Gjykatësi Lulzim Paçarizi, ka udhëzuar të akuzuarit për të drejtën e tyre për të paraqitur kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hedhje të aktakuzës, për të cilat gjykata sipas tij, do të marrë aktvendim brenda afatit të caktuar ligjor.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar të mbahet më 14 nëntor 2019, në ora 14:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2017, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 23 qershor 2017, tek shkolla e fshatit Ngucat, Komuna e Malishevës, të akuzuarit Ramadan, Agron dhe Shkelzen Sopaj, i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Jetmir Xhinaj, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi, fillimisht fjalosen dhe më pas fillon edhe përleshja fizike.

Gjithnjë sipas aktakuzës, fillimisht i akuzuari Ramadan Sopaj dhe i dëmtuari, fizikisht shtyhen mes vete, dhe i dëmtuari rrëzohet në tokë, ku më pas vijnë edhe të akuzuarit Agron dhe Shkelzen Sopaj, dhe të tre së bashku siç thuhet në aktakuzë, e godasin të dëmtuarin me grushte në trup, ku si pasojë të dëmtuarit i shkaktohen lëndime trupore, të cilat bazuar në ekspertizën mjekoligjore bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore me dëmtime të përkohshme të shëndetit.

Andaj, me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, nga neni 188, paragrafi 1, nënparagraf 1, pika 1.4  lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi