Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit se mbushën veturën me naftë dhe u larguan pa paguar

111
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Dhjetor 5, 2018

Prishtinë – Në seancën fillestare, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit për  grabitje, Rrezart Cakolli, Albert Krasniqi, Faton Beka dhe Alban Maloku, janë deklaruar të pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bukurie Gjonbalaj dhe njoftimit nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, për benifitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë, të akuzuarit kanë deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen.

Në gjykimin e së mërkurës, gjykatësi Ibrahimi ka kërkuar nga prokuroria që të bëjë plotësimin e aktakuzës sa i përket veprimeve të të akuzuarve.

Prokurorja Gjonbalaj, propozoi që të vazhdohet paraburgimi ndaj të akuzuarve, me arsyetimin se nuk kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar, i cili propozim është kundërshtuar nga mbrojtja.

Gjykatësi Ibrahimi e ka aprovuar propozimin e prokurores dhe ka deklaruar se masa e paraburgimit iu vazhdohet të akuzuarve edhe për dy muaj të tjerë.

Në shqyrtimin fillestar, i dëmtuar Bledar Bytyqi ka hequr dorë nga paraqitja e kërkesës pasurore juridike.

Gjykatësi Ibrahimi, i ka njoftuar palët se për gjykimin e ardhshëm do të njoftohen me kohë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 7 nëntor 2018, pretendohet se të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore dhe në përdorim të armës, dhe në cilësinë e anëtarëve të grupit, kanë kryer veprën penale “grabitja”.

Sipas aktakuzës, pretendohet se më 27 shtator 2018, me veturë të tipit “Shkoda Octavia”, të cilës ia kanë hequr targat dhe e cila ishte pronë e “Renta Car Tini”, kanë shkuar në pompën e derivateve të naftës “Slovenia Petrol”, e cila gjendet në Drenas.

Sipas aktakuzës, në kërcënimin e armës e detyrojnë të dëmtuarin, punëtorin e pompës së derivateve, Bledar Bytyqi, që t’ia mbush rezervarin e automjetit me derivate në shumë prej 40 eurosh.

Gjithmonë, duke u mbështetur në aktakuzë, pretendohet se i akuzuari Albert Krasniqi, i cili e drejtonte veturën, kërkon nga punëtori që të furnizohet me derivate të naftës.

Sipas aktakuzës, pasi që i dëmtuari e furnizon me derivate të naftës, i dëmtuari kërkon pagesë, i akuzuari Alban Maloku, nxjerr armën dhe i drejtohet me fjalët “mos ta nijë zanin” dhe me shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes.

Mbështetur në aktakuzë, pasi të akuzuarit arrijnë në fshatin Miradi të Fushë Kosovës, të njëjtit i vendosin targat veturës, dhe gjatë ikjes vërehen nga patrulla e policisë.

Në aktakuzë thuhet se zyrtarët policorë vihen në ndjekje të tyre dhe sinjalizojnë që të ndalen, të akuzuarit bëjnë vozitje të rrezikshme, dhe shkojnë deri në hyrje të fshatit Shkabaj, ku ndalohen nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Faton Beka dhe Alban Maloku, arrijnë që të largohen në drejtim të panjohur.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “grabitje”, nga neni 329 i KPRK – së.

Ndërsa, i akuzuari  Alban Maloku, akuzohet edhe për “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 i KPRK – së.