Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit se kundërligjshëm zgjodhën mjekun e përgjithshëm në QKMF-në e Vushtrrisë

Nora Kelmendi- Rasti Luljeta Zahiti-Preteni etj- Raporti për Web- 8 shkurt 2019
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Shkurt 8, 2019

Mitrovicë – Luljeta Zahiti-Preteni, si kryesuese e komisionit, ndërsa Avni Salihu, Naile Xhaka, Hadika Abdurrahmani dhe Bislim Dushi si anëtarë të komisionit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Vushtrri, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ata po akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me rastin e përzgjedhjes së kandidatit për vendin e punës “mjek i përgjithshëm” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të së premtes në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të rastit Njazi Rexha, pesë të akuzuarit kanë deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë për veprën penale me të cilën ngarkohen.

Pasi që të akuzuarit nuk pranuan fajësinë në këtë fazë të procedurës, gjykatësi i rastit, Avni Mehmeti, i njoftoi të akuzuarit të cilët mbrojtjen e paraqitën personalisht, se në afat prej 10 ditësh, kanë të drejtë të parashtrojnë kundërshtimin e provave që mbështesin akuzën lidhur me pranueshmërinë e tyre, kundërshtimin apo kërkesë për hudhje të aktakuzës nëse vlerësojnë se vepra për të cilën i akuzuari ngarkohet nuk përbën vepër penale dhe kundërshtimin apo kërkesën për hudhjen e aktakuzës nëse vlerësojnë se aktakuza nuk është parashtruar në përputhje me dispozitat ligjore.

Gjykatësi Ademi, shtoi se pas pranimit të kundërshtimeve dhe marrjes së mendimit nga ana e Prokurorisë, Gjykata jashtë seancës do të vendos për ato kundërshtime, me ç’rast njoftoi se seanca e shqyrtimit të dytë nuk do të mbahet.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 22 nëntor 2018, Luljeta Zahiti- Preteni, Avni Salihu, Naile Xhaka, Hadika Abdurrahmani dhe Bislim Dushi, po akuzohen se si anëtarë të komisionit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Vushtrri, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me rastin e përzgjedhjes së kandidatit për vendin e punës “mjek i përgjithshëm” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Bazuar në aktakuzë, të pandehurit e lartpërmendur veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” e kanë kryer në atë mënyrë që në kundërshtim me kriteret e konkursit të datës 6 janar 2015 kanë përzgjedhur dhe rekomanduar Ilir Rustemin që të emërohet në pozitën “mjek i përgjithshëm” pa ofruar licencën e punës duke anashkaluar kandidatët Alban Krasniqi dhe Fjolla Zhubi-Bakija me licencë të punës.

Me këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi