Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për udhëtim me qëllim të bashkimit të organizatave terroriste në Siri

IMG_5153
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shtator 2, 2020

Prishtinë – Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë deklaruar të pafajshëm të akuzuarit për udhëtim me qëllime terrorizmi, Kreshnik Maqani dhe Leonard Trepça.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i ngarkon ata me veprën penale “udhëtim për qëllime terrorizmi”, me arsyetimin se të njëjtit, më 22 shtator 2019, përmes kalimit të pikës kufitare të Hanit të Elezit, kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm duke udhëtuar drejtë Turqisë, me qëllim që t’u bashkohen organizatave terroriste në Siri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seancë prezent ishin prokurorja e PSRK-së, Fikrije Zejnullahu, i akuzuari Leonard Trepça me mbrojtësin e tij sipas detyrës zyrtare Vahid Haliti si dhe i akuzuari Kreshnik Maqani me mbrojtësin e tij sipas detyrës zyrtare, Flamur Podvorica.

Pas leximit të aktit akuzues, gjykatësja Shadije Gërguri i njoftoi të akuzuarit lidhur me të drejtat dhe pasojat e benefitet e pranimit të fajësisë.

Pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësit e tyre, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Më pas gjykatësja Gërguri i udhëzoi palët se në afatin e paraparë ligjor kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, për çka mbrojtësit paralajmëruan parashtrimin e tyre.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ushtruar më 18 gusht 2020, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Kreshnik Maqanin dhe Leonard Trepçën i akuzon për kryerjen e veprës penale  “udhëtim për qëllime terrorizmi” .

Kjo me pretendimin se të njëjtit, më 22 shtator 2019, përmes kalimit të pikës kufitare të Hanit të Elezit, kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm duke udhëtuar drejtë Turqisë, me qëllim që të shkojnë në Siri dhe t’u bashkëngjiten organizatave terroriste.

Sipas aktit akuzues, të pandehurit kanë qëndruar atje deri më  6 shtator 2019, ku më pas edhe janë arrestuar nga autoritetet turke në vijën kufitare Turqi – Siri. /BetimipërDrejtësi