Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje për shkak të një parkingu

Rasti Ardit Jashanica etj
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Korrik 30, 2019

Prishtinë – Katër të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor dhe për kanosje, Ardit Jashanica, Liman Lika, Petrit Lika dhe Ferid Murati, nuk e kanë pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Jashanica bashkë me të akuzuarit Lika po akuzohen nga prokuroria se pas një mosmarrëveshje të atëçastshme me të dëmtuarin Lavdim Havolli, rreth një parkingu para dyqanit “IdeaCeramik”,  e kishin sulmuar dhe grushtuar atë, ndërsa Murati po akuzohet për kanosje, ku sipas prokurorisë, ai të dëmtuarit Havolli iu kishte drejtuar me fjalët “kjo punë nuk do të përfundojë me kaq”.

Pasi që është lexuar aktakuza nga prokurorja Ilirjana Çollaku-Tafa, të akuzuarit kanë mohuar të kenë kryer veprat penale që u vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I kom kamerat e lokalit edhe i paraqes ato si prova qe so qashtu, aty në akuzë nuk po shkrun u i ka marr lëndimet, se aj lëndimet i ka marrë ma herët prej vëllait tina” ka thënë i akuzuari Jashanica.

“Paska rrejt pasha zotin, as skom rre kon, kojshi e  kom une, hala s’kom lujt menq, gjithmonë e kom respektu ligjin”, ka thënë i akuzuari Murati.

Deklaratat e të akuzuarve Lika dhe të akuzuarit Jashanica, i kanë mbështetur edhe mbrojtësit e  tyre sipas detyrës zyrtare, avokati Leart Kryeziu, avokati Labinot Buzuku dhe avokati Labinot Vata.

Pasi që të akuzuarit nuk  e kanë pranuar fajësinë, gjykatësja e rastit Fatime Dermaku i ka njoftuar ata lidhur me të drejtat e tyre për të paraqitur kërkesën për hudhje të aktakuzës si dhe kundërshtimin e provave, me ç’rast mbrojtësit e të akuzuarve kanë thënë se do të shfrytëzojnë këtë të drejtën.

“E mbështes deklarimin e të mbrojturit tim Jashanica, kundërshtimin e aktakuzës dhe provave të saj do ta bëjmë me kohë”, ka thënë mbrojtësi i të akuzuarit Jashanica, avokati Vata.

Ndërsa i akuzuari Murati, ka thënë se nuk do të bëj kundërshtime, por se dëshiron të ballafaqohet me të dëmtuarin në shqyrtim gjyqësor.

Në seancën e së martës është shqyrtuar edhe kërkesa e ngritur nga prokuroria për caktimin e  masës paraburgimit ndaj të akuzuarve Lika dhe të akuzuarit Jashanica, pasi që të njëjtit kanë qenë në ndalim qysh nga data 28 korrik 2019.

Në kërkesën e saj për caktim e masës së paraburgimit, prokurorja Çollaku-Tafa ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen, dhe se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.

“Mbetem pranë kërkesë së parashtruar përmes kësaj aktakuzë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve Jashanica dhe Lika për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen dhe konform nenit 165, paragrafit 2, nën paragrafit 2.5 dhe pika 2.5.3 të KPRK-së, ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale duke marrë parasysh mënyrën ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale” ka thënë prokurorja.

Këtë kërkesë e kanë kundërshtuar mbrojtësit e të akuzuarve Lika dhe Jashanica, si dhe të akuzuarit, duke i propozuar gjykatës që të njëjtit të mbrohen në liri.

“E kundërshtojmë kërkesën për caktimin e paraburgimit, propozojmë që të njëjtit ti shqiptohet ndonjë masë më e lehtë për shkak se është mbajtës i familjes dhe prind i dy fëmijëve”, ka thënë mbrojtësi i të akuzuarit Liman Lika, avokati Leart Kryeziu.

Gjykatësja Dermaku e ka hudhur poshtë kërkesën e prokurorisë, pasi që sipas saj kjo kërkesë është paraqitur jashtë afatit ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të akuzuarit jon ndalu në ora 13:00, sipas raportit të policisë, për ato e pyta edhe Arditin aj tha ne orën 13:00, kërkesa në prokurori ka qenë në orën 13:15, ndërsa në gjykatë ka ardhë në 13:16, qoftë edhe një minutë aty ka kalu 24 orëshi.”, deklaroi gjykatësja Dermaku

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ardit Jashanica, Liman Lika dhe Petrit Lika akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 1 lidhur me paragrafi 31 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit më 28 korrik 2019, rreth orës 12:30, në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë, përball lokalit “IdeaCeramik”, për shkak të një mosmarrëveshje të atëçastshme me të dëmtuarin Lavdim Havolli, për një parking para lokalit IdeaCeramik, të akuzuarit fillimisht kanë filluar të fjalosen me të e më pas e kanë sulmuar duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit me grushte, ku si pasojë, bazuar në raportet mjekësore, i dëmtuari Havolli ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Në aktakuzë i akuzuar është edhe Ferid Murat, për veprën penale “kanosje” nga neni 181 par.1 të KPRK-së.

Siç thuhet në aktakuzë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Murati në ditën kritike seriozisht e kishte kanosur të dëmtuarin Havolli me fjalë dhe të njëjtit i kishte shkaktuar frikë dhe ankth, në atë mënyrë që pasi sulmimit dhe grushtimit  të dëmtuarit nga tre të akuzuarit e lartcekur, i akuzuari Murati i drejtohet të dëmtuarit duke e kanosur me fjalët “kjo punë nuk do të përfundojë me kaq”. /Betimipërdrejtësi