Deklarohen të pafajshëm se kundërligjshëm licencuan ordinancën e stomatologjisë

Raporton: Gzime HASHANI

Prishtinë – Bashkëpronarët e poliklinikës “Bel Medic International”, Armend Agani dhe Liljana Smilic, janë deklaruar të pafajshëm se kishin shfrytëzuar llicencat e punës pa dijeninë e të dëmtuarave Kadrije Morina, Teuta Latifi dhe Elmedinë Pllana, duke licencuar poliklinikën e tyre dhe se kishin vënë në lajthim Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) që të vërtetojnë një çështje të pavërtetë.

Këtë deklarim, të akuzuarit e bënë të mërkurën në shqyrtimin gjyqësor, ku po akuzohen për tri vepra penale, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “mashtrimi” dhe veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi u konsiderua e lexuar aktakuza, dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

“Ndjehem i pafajshëm për tri veprat”, deklaroi i akuzuari Agani, derisa e akuzuara Smilic deklaroi se nuk e pranon fajësinë.

Pas deklarimit të të akuzuarve mbi fajësinë, prokurorja Dulina Hamiti pas leximit të të gjitha provave të propozuara në aktakuzë, tha se aktakuza e prokurorisë është e mbështetur në dëshmi të mjaftueshme dhe të ligjshme dhe se konsideron se me administrimin e tyre do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve për veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Në seancë prezentë ishin edhe të dëmtuarat Kadrije Morina dhe Elmedinë Pllana, derisa mungoi e dëmtuara Teuta Latifi, mirëpo në sallë prezantoi përfaqësuesja e saj, avokatja Flutura Halili.

Ato deklaruan se i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe se ndjehen të dëmtuara, për këtë ato thanë se paraqesin kërkesë pasurore juridike lartësinë e së cilës do ta paraqesin gjatë procesit gjyqësor.

Me fjalën hyrëse të prokurores, nuk u pajtua mbrojtësi i të akuzuarit Agani, avokati Artan Qerkini, i cili deklaroi se në këtë shqyrtim gjyqësor nuk do të vërtetohet se i pandehuri Armend Agani dhe e pandehura Liljana Smiliq kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

“Do të vërtetohet se arsyeja e përdorimit të licencave të palëve, të cilat po konsiderohen të dëmtuara ka qenë licencimi i ordinancës stomatologjike, ngase pa një licencim të ordinancës ato objektivisht do ta kishin të pamundur të punojnë në klinikën “Bel Medic International”.

Sipas tij, licencat janë përdorur për arritjen e një qëllimi të ligjshëm dhe atë licencimin e ordinancës dhe fillimin e punës se aplikueseve.

Sipas tij gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se ordinanca stomatologjike, e cila është planifikuar të funksionalizohet në kuadër të kësaj klinike nuk ka arritur të funksionalizohet sepse shumë ordinanca në qytezën e Graçanicës kanë funksionuar në mënyrë ilegale duke mos paguar asnjë lloj tatimi dhe në këtë mënyrë i kanë bërë konkurrencë jo lojale klinikës “Bel Medic”.

Po ashtu, shtoi se në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet se këto të dëmtuara, nuk janë dëmtuar për asgjë.

“Sikurse të përdoreshin licencat e tyre vetëm për licencimin e ordinancës e dikush tjetër të punonte në vend të tyre, atëherë nuk do të kishte pasur dilemë se kemi të bëjmë me mashtrim, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur” tha Qerkini.

Sa i përket keqpërdorimit të detyrës zyrtare, sipas avokatit Qerkini pronari i një kompanie nuk e ka statusin e personit zyrtar.

Derisa për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme, ai tha se nuk ka asnjë argumentim, pasi që kanë bërë licencimin duke u bazuar në dokumente të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat janë të pakontestueshme.

Me fjalën e avokatit Qerkini u pajtua edhe mbrojtësi i të akuzuarës Smilic, avokati Ramë Gashi.

Ai tha se kundërshton fjalën hyrëse të prokurores dhe përkrahë në tërësi fjalën hyrëse të avokatit Qerkini.

“Gjykatë e nderuar, veprat penale për të cilat akuzohet e mbrojtura ime Liljana Similic kryhen vetëm me dashje. Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor në mënyrë të qartë dhe të besueshme do të vërtetohet se e mbrojtura ime nuk ka kryer asnjërën nga veprat penale për të cilat akuzohet si në aktakuzë”, tha avokati gjatë fjalës së tij hyrëse.

Gashi po ashtu deklaroi se do të vërtetohet padyshim se me asnjë veprim nuk shkaktoi as përfitim dhe as dëm të kundërligjshëm.

“Bile as që ka qenë në lidhje direkte apo indirekte me personat që figurojnë në aktakuzë si të dëmtuar dhe po ashtu do të vërtetohet mungesë totale e veprimeve që përshkruhen aktakuza në dispozitivet e saj edhe për pretendimet për punësim edhe për pretendimet për licencime” shtoi Gashi.

Pas dhënies së fjalës hyrëse, seanca u ndërpre, pasi që prokurorja Dulina Hamiti ishte e angazhuar në një seancë tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 1 dhjetor 2021, ku është paraparë dëgjimi i të dëmtuarave në cilësi të dëshmitareve.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur me 23 janar 2020, dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për tri veprat penale me të cilat po ngarkohen.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 shtator 2019, të akuzuarit Armend Agani dhe Liljana Smiliq, akuzohen se në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, gjatë muajit nëntor 2017, kishin shfrytëzuar licencat e punës pa dijeninë e të dëmtuarave, teknikëve të stomatologjisë Kadrie Morina, Teuta Latifi dhe Elmedinë Pllana, duke licencuar në poliklinikën e tyre “BEL MEDIC INTERNATIONAL”, në Graçanicë, repartin e stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH).

Në aktakuzë thuhet se i kishin shfrytëzuar licencat e të dëmtuarave si aplikuese në konkursin për pranimin e stafit në poliklinikën e tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke iu kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm tri të dëmtuarave.

Dy të akuzuarit, sipas aktakuzës, kishin vënë në lajthim MSH-në që të vërtetojë një çështje të pavërtetë, duke prezantuar dokumentet e të dëmtuarave Morina, Latifi dhe Pllana, kinse ishin të punësuara në këtë klinikë, për ta licencuar poliklinikën e tyre në Graçanicë.

Prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerjen kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “mashtrimi” dhe veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë