Deklarohen të pafajshëm pesë të akuzuarit për rrahjen që kishte ndodhur në fillim të këtij viti në Pejë

29 korrik 2020 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 29, 2020

Pejë – Për përleshjen me thika të ndodhur në janar të këtij viti në Pejë, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, të pafajshëm janë deklaruar pesë të pandehurit Fatjon Nikqi, Enis Elezaj, Granit Hysenaj, Armend Hysenaj dhe Hekuran Hysenaj.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, përleshja ka ndodhur në mes të Nikqit dhe Elezajt në njërën anë dhe tre të pandehurve Hysenaj në anën tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, Nikqi po akuzohet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, Elezaj për tentim vrasje, ndërsa tre të pandehurit Hysenaj, të cilët në këtë proces kanë edhe cilësinë e të dëmtuarve, akuzohen për pjesëmarrje në rrahje.

Prezent në sallë të gjykimit ishte edhe i dëmtuari Kushtrim Nikqi, ndërkaq mungoi i dëmtuari tjetër Gramen Hysenaj, për të cilin u tha se gjykata nuk ka prova se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sahide Gashi, pesë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Si rrjedhojë e kësaj, gjykatësja Lumturije Muhaxheri i njoftoi të njëjtit si dhe mbrojtësit e të pandehurve Nikqi dhe Elezaj, avokatët Gëzim Kollqaku dhe Muharrem Hoti, lidhur me të drejtën për të kundërshtuar aktakuzën dhe provat e saj, brenda afatit prej 30 ditësh.

Ndryshe gjatë seancës, avokatët Kollqaku dhe Hoti kërkuan nga gjykatësja ndërprerjen e masës së paraburgimit për klientët e tyre, me arsyetimin se për vazhdimin e një mase të tillë kanë pushuar kushtet ligjore, duke vënë në pah se të pandehurit Elezaj dhe Nikqi ishin të moshës së re.

Mirëpo, propozimet e lartpërmendura u refuzuan si të pabazuara nga gjykatësja Muhaxheri.

Seanca e shqyrtimit të dytë për këtë rast u caktua të mbahet më 9 shtator 2020, duke filluar prej orës 10:00.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 11 qershor 2020, Fatjon Nikqi akuzohet se më 28 janar 2020, afër shtëpisë së të pandehurit Enis Elezaj, me dashje tenton të privojë nga jeta të dëmtuarit Armend dhe Hekuran Hysenaj, pas lënies së takimit në vendin e lartcekur, për t’u sqaruar rreth një mosmarrëveshje ndërmjet të pandehurit Elezaj dhe të dëmtuarit Gramen Hysenaj, lidhur me një faqe në rrjetin social “facebook”.

Sipas aktakuzës, përleshja filloi ndërmjet të pandehurve Elezaj dhe Nikqi në njërën anë dhe Granit, Armend, Hekuran, Gramen Hysenaj në anën tjetër, me ç’rast i pandehuri Nikqi nxjerr thikën dhe i godet dy të dëmtuarit pesë herë në gjoks dhe shpinë, dhe kur i dëmtuari Kushtrim Nikqi hyn për t’i ndarë, i njëjti goditet nga i pandehuri në dorën e majtë duke i prerë tetivat, e që të tre pësojnë lëndime të rënda trupore.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 173, paragrafi 1, pika1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Kurse i pandehuri Enis Elezaj, siç është përshkruar në dispozitivin  e parë, nxjerrë thikën dhe me të e godet katër herë të dëmtuarin Gramen Hysenaj në pjesë të epërme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Tutje të pandehurit Granit, Armend dhe  Hekuran Hysenaj akuzohen se me datë dhe vend siç është përshkruar më lartë, kanë marrë pjesë në rrahje, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet të pandehurve Elezaj dhe Nikqi në njërën anë dhe Granit, Armend, Hekuran dhe Gramen Hysenaj në anën tjetër, e cila përleshje fillon duke u grushtuar dhe shqelmuar me njëri-tjetrin.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 187, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi