Deklarohen të pafajshëm noteri dhe të tjerët për akuzën se falsifikuan autorizimin me qëllim të shitjes të pronave të dëmtuarit

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë-Noteri në Komunën e Klinës, Bedri Godanci është deklaruar i pafajshëm për akuzën e Prokurorisë së Pejës të cilin atë e ngarkon për keqpërdorim detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Së bashku me të, të pafajshëm u deklaruan edhe Besart Godanci, Bali Arifaj, Sinan Kryeziu dhe Elmi Arifaj, ku ky i fundit e pranoj pjesërisht fajësinë mirëpo ky pranim nuk u konsiderua i plotë sipas gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj  dhe si rrjedhojë u konsiderua mospranim i fajësisë.

Një deklarim të tillë të pandehurit e dhanë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Galani, në seancën që drejtohej nga kryetarja  e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, e cila i njoftoi të pandehurit me të drejtat e tyre.

Të pandehurit hoqën dorë nga seanca e shqyrtimit të dytë, derisa gjykatësja i njoftoi se kanë të drejtën që brenda afatit prej 30 ditësh të kundërshtojnë aktakuzën dhe provat e saj.

Ndryshe, noteri Bedri Godanci akuzohet për tri vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi. Po ashtu, i njëjti ngarkohet si bashkëkryerës me të pandehurit Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për falsifikim të dokumentit zyrtar. I pandehuri Besart Godanci akuzohet për dhënies e ndihmës në kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar. Kurse të pandehurit Elmi dhe Bali akuzohen për mashtrim.

Në aktakuzën e ngritur dhe të përmisuar më 29 qershor 2022 nga Prokuroria e Pejës, i pandehuri Bedri Godanci akuzohet se më 13 qershor 2017 më Klinë si noter në vazhdimësi nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj.

Godanci akuzohet nga Prokuroria se kishe përpiluar dhe vërtetuar me nënshkrim dhe vulë autorizimin LRP.nr.3109/2017, kinse në për të dëmtuarin Deli Arifaj si autorizues edhe pse i dëmtuari nuk kishte qenë prezent dhe nuk kishte pasur dijeni për këtë autorizim, ku përmes këtij autorizimi e autorizonte Bali Arifajn për shitjen e të gjithë patundshmërive të evidentuara në emër të biznesit të dëmtuarit “Florimi Trans” si dhe patundshmërive të evidentuara në emrin e tij në Klinë, që sipas Prokurorisë e tejkalojnë vlerën prej 1 milion euro, si dhe të drejtën të ngarkojë në hipotekë në patundshmëri.

Po në këtë ditë, sipas Prokurorisë i pandehuri lidhë kontratë për hipotekën me bankën BKT dhe përmes këtij autorizimi të përfitojnë shumën prej 250 mijë eurove në emër të kredisë nga BKT.

Prokuroria e Pejës e ngarkon të pandehurin Godanci se më 28 janar 2019 kishte përpiluar kontratat e shitblerjes që i pandehuri  Bali i kishte bërë me personat tjerë përmes autorizimit të falsifikuar në emër të Deli Arifaj.

Sipas aktakuzës, noteri e përpilon kontratën LRP nr.641/2019 të shitblerjes në emër të Bali Arifajt, kinse i autorizuar i shitësit, të dëmtuarit Deli Arifaj dhe blerësit Nysret Mustafaj për pronën në sipërfaqe prej 500m2 Zona Kadastrale në Dresnik dhe pronën 1829m2 , duke i mundësuar të pandehurve Elmi dhe Bali Arifaj përfitim të shumës prej 143 mijë euro.

Me këtë, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 e nenin 81 të KPRK-së

Prokuroria i ngarkon në bashkryerje të pandehurit Bedri Godanci, Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Sipas aktakuzës noteri Godanci me marrëveshje me të pandehurit tjerë i ka mundësuar të pandehurit Sinan të falsifikojë dokumentin zyrtar me të dhëna të rreme dhe atë autorizimin LRPnr.3109/2017.

Sipas aktakuzës  me ndërmjetësimin e të pandehurit Elmi dhe Bali ia dërgon autorizimin në fjalë të pandehurit Sinan, i cili po qëndronte në shtëpinë e të pandehurit Elmi, e pasi i njëjti e falsifikon nënshkrimin e të dëmtuarit Deli në të, i pandehuri Bedri e vërteton nënshkrimin e vulë autorizimin në fjalë.

Me këtë, akuzohen se si bashkryerës të pandehurit kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, par.1 lidhur me 31 të KPRK-së.

I pandehuri Besart Godanci akuzohet se si asistent noterial më 13 qershor 2017 ndihmon në kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar. Thuhet se i pandehuri në marrvëshje me të pandehurit Bedri e Elmi Arifaj e dijeninë e të pandehurit Bali, autorizimin të cilin  e kishte përpiluar paraprakisht i pandehuri Bedri, e dërgon në shtëpinë e të pandehurit Elmi për t’u nënshkruar i pandehuri Sinan në vend e pa dijeninë e të dëmtuarit Deli Arifaj, me të cilin autorizimin kinse i dëmtuari Deli e ka autorizuar të pandehurin Bali për shitjen e të gjitha pronave të tij dhe bartjen e tyre në hipotekë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, par.1 lidhur me 33 të KPRK-së.

Të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj akuzohen se më 13 qershor 2017 në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) në vazhdimësi me marrëveshje parapake, me paraqitje të rreme të fakteve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë vënë në lajthim zyrtarët e bankës në dëm të pasurisë së saj, duke prezantuar autorizimin e falsifikuar kinse si autorizues Deli Arifaj dhe përfitojnë 250 mijë euro në emër të kredisë duke lënë peng patundshmëritë e të dëmtuarit Deli, e të cilën kredi nuk e paguajnë. Po ashtu, të njëjtit ngarkohen se kishin hyrë në raporte të shitblerjes me pronat e të dëmtuarit Deli.

I pandehuri Elmi Arifaj akuzohet se më 18 korrik 2018 në Klinë, edhe pse ishte i vetdijshëm se pronat ishin në emër të Deli Arifajt në regjistra kadastral, ia shet pronat sipas kontratës mbi shitblerjen këtu të dëmtuarit Nysret Mustafa përmes babai të tij për shumën prej 260 mijë euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi “, nga neni 335, par.2 e 4 e lidhur me par.1 me nenin 31 e 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë