Deklarohen të pafajshëm ish-kryeshefi ekzekutiv i AKK-së dhe drejtoresha e DAP-it në KQZ të akuzuar për korrupsion

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Ish-kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) Murat Meha dhe drejtoresha e Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes (DAP) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Miradije Meha, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për mosdeklarim të saktë të pasurisë.

Një deklarim të tillë, të akuzuarit Murat dhe Miradije Meha e kanë dhënë të enjten në shqyrtimin gjyqësor, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, ishte paraparë që të jepej fjala hyrëse nga palët në procedurë, mirëpo në mungesë të përfaqësueses së Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Lindita Ademi, kjo seancë u ndërpre.

Sipas gjykatësit Adnan Kamberi, përfaqësuesja Ademi e ka njoftuar gjykatën se Agjencia Kundër Korrupsion aktualisht është pa drejtor dhe për shkak se përfaqësimi i tyre bëhet sipas autorizimit të drejtorit të tyre, tani për tani është e pamunduar të marrin pjesë në seanca gjyqësore.

Seanca e radhës për këtë çështje penalo-juridike u caktua më 5 janar të vitit 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në maj të 2018-së nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Miradije dhe Murat Meha po akuzohen për mosraportim të saktë të pasurisë.

Prokuroria pretendon se nga data 1 deri më 31 mars 2013 dhe 2014, e pandehura Miradije Meha në cilësinë e zyrtares së lartë publike, drejtoreshë e Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes (DAP) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), edhe pse ka qenë e detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, e njëjta nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formular lidhur me palujatshmërinë në sipërfaqe prej 450 m2 në Zonën Kadastrale Llapllasellë, e cila është në emër të saj si dhe banesën e blerë në Tiranë në vitin 2012 në sipërfaqe prej 90.3 m2, në emër të bashkëshortit të saj Murat Meha.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Murat Meha akuzohet se nga data 1 deri më 31 mars 2013 dhe 2014, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, i njëjti nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë dhe atë palujatshmërinë në sipërfaqe prej 450 m2 Zonën Kadastrale Llapllasellëe regjistruar në emrin e bashkëshortes së tij Miradije Meha.

Me këtë, secili veç e veç akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 437 paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë