Deklarohen të pafajshëm inspektorët e tregut për marrje ryshfeti

Raporton: Diana BERISHA

Ferizaj – Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, të hënën ka hapur shqyrtimin fillestar për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj. Të pandehurit Ruzhdi Sadriu dhe Gani Berisha u deklaruan të pafajshëm ndaj veprës penale “marrje ryshfeti”.

Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të pandehurit Ruzhdi Sadriu dhe Gani Berisha pretendohet se gjatë muajit maj 2016, në cilësinë e inspektorëve të tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëkryerje kanë kërkuar shumën prej 100 eurove nga i dëmtuari Ismet Mehmeti për mos ndëshkim të gjobës. Tutje të njëjtit në një market në Komunën e Kaçanikut në bashkëkryerje kanë përfituar dobi pasurore për vete duke kërkuar shumën prej 50 eurove nga një i dëmtuar tjetër. Më pas të pandehurit pas kontrollimit të mallit dhe dokumentacionit kanë përpiluar procesverbal në të cilin konstatohet se gjithçka ka qenë në rregull.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i çështjes Shukri Jashari, të pandehurit bënë të ditur se e kanë kuptuar aktakuzën dhe njëkohësisht u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprën penale me të cilën ngarkohen.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë