Deklarohen të pafajshëm gjashtë të akuzuarit për trafikim me qenie njerëzore

222
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Korrik 11, 2019

Mitrovicë – Të akuzuarit për trafikim me qenie njerëzore Agim Hajdari, Kujtim Hajdari, Lendita Berisha, Halil Strana dhe Rifat Deliaj, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, janë deklaruar të pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorit Ismet Ujkani, gjashtë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për akuzat që i vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Radosllav Markoviq i ka njoftuar të akuzuarit se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, prezent në sallë të gjykimit ishin edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kujtim Hajdari, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare Sheremet Ademi, mbrojtësja e të akuzuarës Berisha, avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare Fatmire Braha, dhe mbrojtësi i të akuzuarit Agim Hajdari, avokati i angazhuar Mahmut Halimi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë  më 5 shtator 2019, ndaj Agim Hajdari, Kujtim Hajdari, Lendita Berisha, Halil Strana, Raif Hasani dhe Rifat Delijaj.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, Agim Hajdari, Kujtim Hajdari dhe Lendita Berisha po akuzohen se në periudhën kohore nga shtatori i vitit 2011 e deri në 2012, në bashkëkryerje, kanë marr pjese në trafikimin e njerëzve, dhe atë të dëmtuarave N.B dhe F.K, për përfitim material.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i pandehuri Agim Hajdari si pronar i lokalit “ Kafe Bistrica” në Mitrovicë, i ka punësuar të dëmtuarat si kamerierë, kurse të pandehurit Kujtim Hajdari e Lindita Berisha si punëtor të lokalit. Në aktakuzë thuhet se sipas marrëveshjes, të pandehurit Agim dhe Kujtim Hajdari me kërcënim kanë detyruar të dëmtuarën N.B që të ketë marrëdhënie seksuale në motelin “Park” dhe motelin “Furtuna” me të pandehurit Halil Strana, Raif Hasani dhe Rifat Delijaj si dhe Mirsad N..

Më pas në aktakuzë thuhet se i pandehuri Agim Hajdari i ka thënë “kam me ta thirr nënën tënde në telefon dhe me i treguar se ju punoni në kafe të rakisë, dhe kam me të rrah me të lënë në kolisë invalid”, dhe se të pandehurit Agim e Kujtim Hajdari dhe Lendita Berisha kanë pas kontroll mbi të dëmtuarat duke i kontrolluar lëvizjet e tyre.

Tutje sipas aktakuzës, e pandehura Lendita Berisha e ka mbajt edhe çelësin e banesës ku kanë banuar të dëmtuarat, dhe ka siguruar për klientët e kafenesë edhe dy femra për shërbime seksuale, si dhe që të tre të pandehurit kanë detyruar të dëmtuarat N.B dhe F.K që të ulen me klientë të ndryshëm në tavolina e t`i ngacmojnë me prekje dhe të porosisin pije të shtrenjta dhe t`i joshin seksualisht për t`u sjell përfitime materiale të pandehurve.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale” trafikimi me njerëz” nga neni 139 paragrafi 1 lidhur me nenin 23 të KPK.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Halil Strana po akuzohet se në periudhën kohore nga muaji shtator i vitit 2011 e gjer në muajin shkurt 2012, në motelin “Park” në Mitrovicë, ka përdorë shërbimet seksuale të dëmtuarës N.B duke e ditur se njëjta është viktime e trafikimit, ashtu që ka kryer marrëdhënie seksuale me të njëjtën.

Me këtë ngarkohet me veprën penale “ trafikimi me njerëz” nga neni 139 paragrafi 5 të KPK.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, i pandehuri Raif Hasani po akuzohet se në periudhën kohore nga muaji shtator i vitit 2011 e gjer në muajin shkurt të vitit 2012 në motelin “Furtuna” në Mitrovicë, ka përdorë shërbimet seksuale të dëmtuarës N.B duke e ditur se njëjta është viktime e trafikimit, ashtu që ka kryer marrëdhënie seksuale me të njëjtën.

Me këtë organi i akuzës e ngarkon me veprën penale “ trafikimi me njerëz” nga neni 139 paragrafi 5 të KPK.

Sipas dispozitivit të pestë të aktakuzës, i pandehuri Rifat Delijaj po akuzohet se në periudhën kohore nga muaji shtator i vitit 2011 e gjer në muajin shkurt të vitit 2012 në motelin “ Furtuna” në Mitrovicë, ka përdorë shërbimet seksuale të dëmtuarës N.B duke e ditur se njëjta është viktime e trafikimit, ashtu që ka kryer marrëdhënie seksuale me të njëjtën.

Me këtë nga organi i akuzës ngarkohet me veprën penale “ trafikimi me njerëz” nga neni 139 paragrafi 5 të KPK. /betimiperdrejtesi