Deklarohen të pafajshëm gjashtë të akuzuarit për shpëlarjen e mbi 125 mijë eurove

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Të akuzuarit Florim Laçi, Shabedin Reka, Hamëz Limaj, Arment Orana, Avdush Qukovci dhe Lavdim Sllamniku janë deklaruar të pafajshëm për shpëlarjen e mbi 125 mijë euro dhe vepra tjera penale.

Në këtë rast, të lartcekurit po akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “blerja, pranimi, fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, “ shpëlarja e parave”, dhe armëmbajtje pa leje.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Ilirana Qollaku-Tafa dhe pas njoftimit për të drejtat e tyre nga kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli, gjashtë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat për të cilat po ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa i akuzuarit Sllamniku është deklaruar fajtor vetëm për veprën penale armëmbajtje pa leje, i cili pranim nuk është kundërshtuar nga prokurorja Qollaku-Tafa, dhe është aprovuar nga gjykatësi Konxheli.

Gjykatësi Konxheli tha se vendimin lidhur me pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje ndaj të akuzuarit Sllamniku do t’i merret pas përfundimit të procedurës penale në këtë rast.

Pas kësaj, mbrojtja ka propozuar që gjashtë të akuzuarve tu zëvendësohet masa e paraburgimit me ndonjë masë më të butë, pasi sipas tyre kanë kaluara shkaqet për të cilat është caktuar kjo masë.

Kurse, prokurorja Qollaku-Tafa ka deklaruar se qëndron pranë kërkesës për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve.

Ndërsa, gjykatësi Konxheli lidhur me kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e masës së paraburgimit me ndonjë masë më të butë, tha se do të vendos me vendim të veçantë.

Pas kësaj, gjykatësi Konxheli i ka njoftuar të akuzuarit se kanë të drejtë që në afat prej 15 ditëve të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas aktakuzës së PRSK-së, të ngritur më 3 qershor 2022, Florim Laçi, Shabedin Reka, Hamëz Limaj, Arment Orana, Avdush Qukovci, Lavdim Sllamniku po akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “blerja, pranimi, fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, “shpëlarja e parave”, dhe veç e veç për armëmbajtje pa leje.

Në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2021 e deri në datën e arrestimit, në lokacione të ndryshme përshirë vendin e ngjarjes të pompa e derivateve “HIB Petrol” në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, të akuzuarit Orana, Qukovci dhe Reka, kanë poseduar shumë të hollave prej 125,240 euro, edhe pse të njëjtit e kishin ditur se këto para ishin përfituar me aktivitet kriminal nga kryerës të panjohur.

Tutje thuhet se, këta kryerës të pa njohur parat në shumë prej 125,240 euro i kishin fituar me përdorim të forcës, apo mjete të forte tek institucionet financiare brenda apo jashtë Kosovës.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht i akuzuari Qukovci i kishte pranuara e më pastaj ua kishte lënë në posedim të akuzuarve Orana dhe Reka, deri sa të gjente persona të cilët do ti pranonin ti këmbenin me para origjinale, dhe siç thuhet me datën 20 tetor 2021 kishin tentuar ti këmbenin ato, pasi që ishin koordinuar edhe me të akuzuarit Liamj, Laçi, Sllamniku.

Dhe sipas aktakuzës dyshohet se me këto veprime kanë kryer veprën penale blerja, pranimi, fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Tutje në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi se me datën 20 tetor 2021, tek pompa e derivateve “HIB Petrol”, e cila gjendet në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, duke vepruar në bashkëkryerje dhe pas një koordinimi paraprak të pandehurit Laçi, Reka, Limaj, Orana, Qukovci dhe Sllamniku me dashje dhe duke e ditur se pasura në shumë mbi 125 mijë euro të cilat ishin kartëmonedha me ngjyrë, ishin rezultat i aktivitetit kriminal me të cilat të pandehurit kishin ardhur në posedim në mënyrën e lartë cekur.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin përpjekur t’i këmbejnë  me para origjinale në shumë prej 30% të shumës së përgjithshme, t’i këmbejnë ato tek personat e tret  me qëllim që të njëjtat të pastrohen dhe të vihen në qarkullim si të siguruara në mënyrë të ligjshme për të fshehur natyrën dhe burimin e vërtet.

Thuhet se gjatë muajit 2021 i akuzuari Qukovci kishte ardhur në Kosovë dhe të akuzuarit Orana, Qukovci dhe Reka kishin organizuar një takim me të pandehurit Laçi, Limaj dhe Sllamniku të cilët ishin paraqitur si ndërmjetësues dhe ndihmës për gjetjen e blerësve dhe këmbimin e të hollave.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Reka me veturën që e kishte marr me qira kishte shkuar dhe e kishte marr të akuzuarin Qukovci në shtëpinë e tij dhe ishin takuar me të akuzuarin Orana dhe pas kontaktimit me të akuzuarin Laçi e kishin lënë të takohen te “HIB Petrol” me qëllim të këmbimit të të hollave me blerësit potencial.

Pastaj sipas aktakuzës, se të akuzuarit Orana, Qukovci dhe Reka duke qenë në kontakt me të akuzuarin Laçi dhe  pasi që ishin siguruar që të hollat mund të këmbeheshin, i akuzuari Orana ishte kthyer me veturën që ti sjellje paratë në vendin e ngjarjes.

Siç thuhet në aktakuzë pasi që i kishin sjellë të hollat i pandehuri Laçi së bashku me dëshmitarin kishte dal nga lokali për ti verifikuar kartëmonedhat dhe për të asistuar këmbimin.

Pas kësaj thuhet se ishin takuar me të akuzuarit Orana dhe Qukovci brenda automjetit të dëshmitarit, përderisa i akuzuari Reka kishte dalë jashtë veturës dhe e kishte sjellë qanten me kartëmonedha me qëllim të këmbimit me përqindje, dhe siç thuhet në ato momente kishte ndërhyrë policia dhe kishte arritur ti arrestoj të akuzuarit.

Me këto veprime po akuzohen se kanë kryer veprën penale shpëlajre e parave.

Kurse, në dispozitivin tre të aktakuzës thuhet se eksiton dyshimi i bazuar se nga data e pa vërtetuar e deri më 20 tetor 2021, i akuzuari Orana në shtëpinë e tij kam mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një armë gjueti, kurse i akuzuari Sllamniku në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një pistoletë.

Me këto veprime veç e veç po akuzohen për armëmbajtje pa leje.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prere

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë