Deklarohen të pafajshëm gjashtë të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, dy nga ta pranojnë fajin për armëmbajtje

11.02.2020
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Shkurt 11, 2020

Prishtinë – Gjashtë të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të martën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zarko Jovanoviq dhe Rade Basara, po akuzohen se që nga viti 2011 e tutje, duke vepruar si grup kriminal i organizuar të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq, kanë kryer veprime inkriminuese, të cilat kanë rezultuar me vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me ta, akuzohen edhe Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq, Zhelko Bojiq, por që ata gjendet në arrati.

Pas leximit të aktakuzës nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, gjashtë të akuzuarit mohuan fajësinë për veprat penale që u ngarkoheshin.

Ndërsa, dy të akuzuarit për armëmbajtje pa leje, Nedeljko Spasojeviq dhe Zharko Jovanoviq pranuan fajësinë vetëm për këtë vepër penale.

Ky pranim fajësie nuk u kundërshtua nga prokurori Isufaj dhe si i tillë u aprovua nga gjykatësi Valon Kurtaj, me arsyetimin se ishte bërë vullnetarisht nga dy të akuzuarit, pa presion dhe se gjente mbështetje në shkresat e lëndës.

Gjykatësi Kurtaj ka deklaruar se shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarve Spasojeviq dhe Jovanoviq, që pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje do të bëhet në përfundim të këtij procesi gjyqësor.

Gjatë rrjedhës së kësaj seance, mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Faruk Korenica, ka paraqitur kundërshtimet e tij për ligjshmërinë e kësaj aktakuze.

Sipas avokatit Korenica, aktakuza në fjalë nuk përmban elementet obliguese që parashihen me dispozitat procedurale, si vendi i kryerjes, koha e kryerjes dhe mjetet e kryerjes, duke kërkuar kthimin e saj për përmirësim.

Lidhur me këto pretendime, gjykatësi Kurtaj ka njoftuar se të gjitha këto vërejtje lidhur me rregullsinë ligjore të aktit akuzues, mbrojtja ka mundësi t’i paraqes përmes ushtrimit të kundërshtimeve.

Përveç kësaj, gjykatësi Kurtaj ka njoftuar palët se brenda afatit ligjor ata mund të paraqesin kërkesë për hedhjen e kësaj aktakuze dhe të bëjnë kundërshtimin e provave që i përmban aktakuza.

Seanca e shqyrtimit të dytë u caktua të mbahet më 16 mars nga ora 10:00.

Lidhur me propozimet e mbrojtjes për ndryshimin e masës së sigurisë për të mbrojturit e tyre, gjykatësi tha se do të vendoset me vendim të veçantë.

“Sa i përket propozimit për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të akuzuarve, gjykata do ti shqyrtoj të gjitha këto propozime dhe do të merr vendim me shkrim jashtë seancës” tha gjykatësi Kurtaj.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor kishte ngritur aktakuzë kundër Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq, Zhelko Bojiq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup kriminal i organizuar me strukturë dhe hierarki në grup, me role të përcaktuara formalisht, i cili grup kriminal nuk është formuar rastësisht, por është duke vepruar që nga viti 2011 e këndej, të cilin grup e udhëheqin të pandehurit Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojcic, të cilët gjenden në arrati, ku të gjithë këta të pandehur veprojnë në vazhdimësi dhe në bashkëpunim, me dashje dhe dijeni të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale të cilët janë të dënueshme me burgim prej së paku  katër vjet.

Të pandehurit aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit dhe realizimin e përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare apo dobisë tjetër pasurore, me qëllim të shtrirjes së kontrollit të bizneseve në territorin dhe kontrollin e politikës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ky grup kriminal ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “ Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”, “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm në territorin e Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese-konkrete për grupin në fjalë, me ç’rast veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup i është djegur edhe vetura e tij.

Me këto veprime, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

I pandehuri Nedeljko Spasojeviq, akuzohet se në ditën kur është vrarë Oliver Ivanoviq, me veprimet e tij iu ka lehtësuar dhe siguruar rrugëtimin të dyshuarve (ekzekutuesve), në kryerjen e aktit të vrasjes, si dhe ai së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, nuk i kanë kryer detyrat dhe autorizimet policore në vendin e ngjarjes, por kanë lëvizur me veturë zyrtare dhe në këmbë edhe pse hasin në persona të pa autorizuar, duke fotografuar dhe dëmtuar provat e mundshme në vendin e ngjarjes, ku kishte ndodhur vrasja.

Me këto veprime, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 2, nën paragrafi 2.2. të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Oliver Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarve të panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e veprës penale, ku i njëjti u ka lehtësuar të dyshuarve që të marrin veturën e markës “Opel Astra”, pa targa, me dritare të errësuara, ta përcjellin të njëjtën veturë në drejtim të qytetit, nga e cila veturë është shtënë gjashtë herë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Po ashtu, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq akuzohet se së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, nuk i kanë kryer detyrat dhe autorizimet policore në vendin e ngjarjes, por kanë lëvizur me veturë zyrtare dhe në këmbë edhe pse hasin në persona të pa autorizuar duke fotografuar dhe dëmtuar provat e mundshme në vendin e ngjarjes ku kishte ndodh vrasja e të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Me këto veprime, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, nga neni 179 i KPK-së, lidhur me nenin 33, paragrafi 2 KPRK-së.

I pandehuri Marko Roshiq, akuzohet se ka bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Milan Radojçiç, Zvonko Veselinoviq dhe Zheljko Bojiq me dashje dhe dijeni ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, duke e përcjellë viktimën Oliver Ivanoviq, para vrasjes, ndërsa pas vrasjes së të ndjerit në xhepin e tij është gjetur një copë letër, me targa të veturës KM-014-FZ, i markës “Santa FE”, me ngjyrë të zezë, e cila veturë e ka përcjellë pas vrasjes së viktimës edhe vëllain e viktimës M.I. Me këto veprime, i pandehuri i lartcekur akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 të KPK-së lidhur me nenin 33 paragrafi 2 i KPRK-së.

I pandehuri Rade Basara, akuzohet se në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë –Veri, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti përmes Zheljko Bojiqit, ka bashkëpunuar ngushtë me grupin kriminal të organizuar, nga i cili ka marr urdhra nga ky grup për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe është angazhuar nga grupi kriminal që t’i fsheh gjurmët e krimit dhe mos të zbardhen rastet, kur kanë të bëjnë me personat e dyshuar që janë pjesë e grupit kriminal dhe në përgjithësi të gjitha këto raste të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Me këto veprime, ai akuzohet se  ka kryer veprën  penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2, nënparagrafi 2.2. të KPRK-së.

PSRK-ja të akuzuarën Silvana Arsoviq, e akuzon se duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Oliver Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes së të ndjerit Oliver Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyrat e “SDP”-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u shkyçur nga  rryma, me ç’rast  u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga  kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës, e njëjta më 16 janar 2018, në ora 08:16 menjëherë pas vrasjes ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë “SDP”, e cila ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Me këto veprime, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, nga neni 179  i KPK-së lidhur me nenin 33, paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithashtu, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq akuzohet se me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku më 23 nëntor 2018, rreth orës 06:30, gjatë zbatimit të urdhër të kontrollit nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në shtëpinë e tij i janë gjetur dhe sekuestruar, një pushkë e tipit kallashnikov “AK-47”, një karikator, si dhe 106 fishekë, një granat dore, shufër gome, një tyt tromblloni për kallashnikov, një jelek ushtarak, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Dragisha Markoviq akuzohet se në cilësi të zyrtarit policor më 16 janar 2018, pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, pa autorizim ka dhënë informacione që përbëjnë fshehtësi zyrtare nga vendi i ngjarjes me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të informacionit jashtë Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë.

Me këto veprime, Dragisha Markoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433 par.2 të KPRK-së.

Të akuzuarit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë më 16 janar 2018, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfarë dobie për vete apo personin tjetër, ashtu që pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, të cilin nuk e kanë siguruar duke lënë personat e tjerë që të ndërhyjnë në vendngjarje, duke i dëmtuar provat materiale, dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes, me ç’rast nuk i kanë kryer me dashje detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bashkëkryerje, sipas nenit 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2,2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në pikën e pestë të kësaj aktakuze, të akuzuarit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq akuzohen se në cilësi të zyrtarëve policorë, më 16 janar 2018, pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku të njëjtit me qëllim që t’i heqin, fshehin dhe bëjnë të pashfrytëzueshme provat, me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të tyre në procedura zyrtare, kanë manipuluar me prova, ashtu që fillimisht i akuzuari Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas, i akuzuari Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të akuzuarin tjetër largohen nga vendi i ngjarjes, duke mos e siguruar vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, ata ngarkohen për veprën penale “Manipulim me prova”, në bashkëkryerje nga neni 397, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I akuzuari Zharko Jovanoviq akuzohet se me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku më datën 10 shkurt 2018, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së të akuzuarit Jovanoviq, është gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit 7.62 mm, të cilat ai i ka poseduar pa leje të organit kompetent.

Me këto veprime, Zharko Jovanoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi