Deklarohen të pafajshëm dy policët e akuzuar për rrahjen dhe keqtrajtimin e të miturit në Pejë

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Dy zyrtarët policorë Esat Lajqi dhe Arijan Bacaj, janë deklaruar të pafajshëm për lëndim të lehtë trupor dhe keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ndaj të dëmtuarit-të miturit E.M

Deklarimin rreth fajësisë, dy të akuzuarit e bënë në seancën e së premtes pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ersan Qavolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në fjalën hyrëse, prokuror Qavolli deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të dëgjohen dëshmitarët Smajl Maliqi, i mituri E.M., Pal Krasniqi, Mali Qeroviq, Xhafer Mailiqi, Shkendije Ibërhysaj, Drita Krasniqi, Labinot Kraniqi, Arta Shehu dhe Agim Hoti.

Po ashtu, ai tha se do të shikohen video-incizimet, do të lexohet akt-ekspertimi, si dhe provat tjera.

Sipas tij, me provat dhe dëshmitë do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se dy të akuzuarit me veprimet e tyre kishin përmbushur veprat e elementeve penale për të cilat ishte ngritur aktakuza dhe u shpreh i bindur që ndaj tyre do të merret aktgjykim fajësues.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të dëmtuarit, Smajl Maliqi, në fjalën hyrëse deklaroi se ato se çfarë kanë ndodhur me djalin e tij shihen dhe nuk mund të mohohen, por ai tha se e di që ato momente kanë ndodhur në momente afekti nga djali i tij dhe të akuzuarit.

“Unë ua kam falë atë veprim, unë nuk kërkoj asnjë dëmshpërblim në të ardhmen. Ja lë në vlerësim prokurorisë”, tha i dëmtuari Maliqi.

Ndërsa i dëmtuari tjetër, Pal Krasniqi deklaroi se tmerri çka kishte parë atë ditë dëshiron që mos të shikojë kurrë në jetën e tij, duke shtuar se kërkon gjithçka çka i takon në mënyrë ligjore.

Më pas mbrojtësi i të akuzuarit Esat Lajqi, avokati Haxhi Sinanaj, deklaroi se në shqyrtimin gjyqësor, përveç të dëmtuarve do të procedohen edhe dëshmitarët e tjerë sipas dispozitivit të aktakuzës, si dhe do të administrohen provat tjera, si dhe do ta japë mbrojtjen i mbrojturi i tij.

Sipas Sinanajt, përmes tyre nuk do të vërtetohet teza e aktakuzës, ashtu siç është e përshkruar.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Arijan Bacaj, avokati Veton Berisha, në fjalën hyrëse tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Gjithashtu, ai tha se do të vërtetohet që kjo çështje penale më tepër është iniciuar për shkak të inateve personale brenda përbrenda stacionit policor në Pejë.

Avokati Berisha tha se do të vërtetohet që i mbrojturi i tij në asnjë moment të vetëm nuk i ka kaluar autorizimet e tij si zyrtar policor dhe kjo nga provat materiale, të cilat do të administrohen në këtë shqyrtim gjyqësor.

Pas kësaj, sipas agjendës ditore të seancës ishte paraparë të dëgjoheshin të dëmtuarit në cilësinë e dëshmitarëve, mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Lajqi, avokati Haxhi Sinanaj deklaroi se meqenëse sot ishte me autorizim zëvendësues, nuk ishte i familjarizuar me çështjen dhe i propozoi gjykatës që seanca e sotme të shtyhet për një ditë tjetër.

Më pas, gjyqtari i rastit, Murat Hulaj, mori vendim që seanca të ndërprehet dhe të radhës u caktuan për 29 dhe 30 qershor 2022.

Ndryshe, sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me 18 gusht 2020, dy të akuzuarit Esat Lajqi dhe Arijan Bacaj, ngarkohen se më 17 korrik 2020, në rrugën “Anton Çeta”, në Pejë, me dashje dhe në bashkëkryerje i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit/ të miturit E.M (16 vjeçar).

Sipas akuzës, në ditën kritike përderisa i dëmtuari nuk iu ishte ndaluar të akuzuarve dhe kishte ikur deri sa ishte duke drejtuar motorin pa leje të vozitjes, me të arritur në vendin e lartcekur, ka ndaluar dhe menjëherë reagojnë dy të akuzuarit duke e ndalur veturën për të pamundësuar ikjen e tij, ku fillimisht i akuzuari Arijan i hedh sprej lotsjellës në fytyrë, e më pas e prangos, gjersa gjatë kësaj kohe i akuzuari Esat e godet me shqelm në pjesën e regjionit të brinjëve si dhe e mban që të kryente veprimet i akuzuari Arijan, duke e goditur që të dy me grushte në regjionin e kokës dhe fytyrës, si dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

Për çka, thuhet në akuzë se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, par.3 e lidhur me nënpar.3.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, i cili dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 3 vjet.

Gjithnjë sipas akuzës, në datë, kohë dhe vend të njëjtë, i akuzuari Esat Lajqi, përderisa ishte në uniformë policore dhe në cilësinë e personit zyrtarë e keqtrajton të dëmtuarin duke i shkaktuar jo vetëm lëndime trupore, por edhe duke cenuar dinjitetin njerëzor në prani të qytetarëve tjerë me adresim të fjalëve fyese dhe poshtëruese.

Për çka, thuhet në akuzë se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195, par.2 e lidhur e par.1 të KPRK-së, i cili dënohet me burgim prej 3 deri në 15 vjet.

Sipas akuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i akuzuari Esat Lajqi, seriozisht e kanos të dëmtuarin Pal Krasniqi, që pasi që kishte ndodhur rasti, i dëmtuari kishte qenë aty dhe e kishte parë në tërësi ngjarjen dhe veprimet e të akuzuarve, e ku me të arritur një patrullë tjetër policore, të njëjtit i drejtohen me pyetjet se çka ka ndodh, e ku i dëmtuari i përgjigjet “çka kam pa sot, tmerr kam pa, mos pafsha ma”, ku menjëherë reagon aty i akuzuari Esat dhe në prezencë të zyrtarëve policorë dhe fqinjëve të tij i drejtohet me fjalët kanosëse: “a po ma sheh këtë fytyrë, ki me mbajt mend sa të jem gjallë”, të cilat fjalë kishin shkaktuar frikë dhe ankth, ku i akuzuari asaj dite kishte kaluar disa herë radhazi me veturë zyrtare dhe civile, për çka të dëmtuarin e kishin mbajt në frikësim të vazhdueshëm.

Për çka, thuhet se ka kryer veprën penale të “Kanosjes”, nga neni 181, par.2 e lidhur me par.1 të KPRK-së, i cili dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

Gjithnjë sipas akuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i akuzuari Arijan Bacaj, duke keqpërdorë detyrën dhe autorizimet e tij si zyrtar policor, keqtrajton të dëmtuarin e mitur E.M., që përveç lëndimeve trupore ai e kishte cenuar dinjitetin njerëzor të tij në prani të qytetarëve të tjerë dhe atë me fjalët “a po don sh** me të dhanë”, përderisa i dëmtuari kishte kërkuar ujë, “a ta q.. nanën, ty o mirë jo veç syve por edhe b… me ti bo me sprej kasakader”.

Për çka, thuhet në akuzë se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195, par.2 e lidhur me par.1 të KPRK-së, i cili dënohet me burgim prej 3 deri në 15 vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë