Deklarohen të pafajshëm anëtarët e komisionit për tenderin e ndriçimit publik në Novobërdë, akuzohen për korrupsion

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan – Të akuzuarit  Ilir Mustafa, Slobodan Bogdanoviq, dhe Slobodan Markoviq  nuk e kanë pranuar fajësinë, në rastin ku po akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e kanë bërë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Tutje,  kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Aziz Shaqiri, njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se deri më 7 shkurt 2022, kanë mundësi të parashtrojnë kërkesë për hudhjen e aktakuzës apo kundërshtimin e provave.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë-kryetar i komisionit Ilir Mustafa dhe anëtarë të komisionit Slobodan Bogdanoviq dhe Slobodan Markoviq, për vlerësimin e tenderit “Ndërtimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit Publik në Komunën e Novobërdës”, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, kanë përpiluar dhe nënshkruar raportin për vlerësimin e ofertave të 3 korrikut 2019.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit i kanë rekomanduar zyrës për Prokurim të Komunës së Novobërdës nënshkrimin e kontratës kornizë në kohëzgjatje prej 17 muajve, ndërmjet Kuvendit Komunal të Novobërdës dhe kompanisë “Monting” SH.P.K, me seli në Prishtinë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me nenin 61, par.1 dhe 2 të Ligjit për Prokurim Publik, duke mos kërkuar shpjegime për tenderim jo-normalisht i ulët, e po ashtu kanë vepruar edhe në kundërshtim me neni 41.3 të Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik, sa i përket kushteve teknike, me ç’rast më këto veprime kanë diskriminuar operatorët tjerë potencial dhe kanë dëmtuar Komunën e Novobërdës.

Me çka, ngarkohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë