Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për posedim të substancave narkotike

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Të akuzuarit Kujtim Pacolli dhe Mixhen Dreshaj janë deklaruar të pafajshëm në seancën e e së hënës, gjatë shqyrtimit fillestar, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Pacolli e Dreshaj po ngarkohen  se në nëntor të 2017-ës në Qendrën Korrektuese në Lipjan, pa autorizim kishin poseduar marihuanë me peshë 2.0 gramë, të cilët me ekspertizë të forenzikës, është vërtetuar se përmban Tetahidrokanabinol dhe kanabis 1.60 gram.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fatmire Cacaj, të akuzuarit deklaruan se nuk e ndjejnë veten fajtor për veprën penale, e cila iu vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Pacolli kërkoi nga gjykata që në seancën e radhës ta ftojnë avokatin e tij, Bekim Sulejmani.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit Selman Salihu i ka njoftuar të akuzuarit që brenda afatit ligjor të paraqesin  kundërshtimet për provat e cekura në aktakuzë dhe të kërkojnë hudhjen e aktakuzës.

Seanca e shqyrtimit të dytë u caktua më 25 janar 2022.

Ndryshe, i akuzuari i parë Pacolli në seancën e sotme ishte sjellë nga qendra e paraburgimit në Dubravë, për shkak se i njëjti gjendet në vuajtje të dënimit për një vepër tjetër penale.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore më 1 tetor 2018, të akuzuarit Kujtim Pacolli dhe Mixhen Dreshaj, ngarkohen se më 1 nëntor 2017 në Qendrën Korrektuese në Lipjan, pa autorizim kanë poseduar narkotik.

Aktakuza thotë se gjatë kontrollit nga ana e gardianit të Qendrës Korrektuese në hapsirën e bllokut “C”, në të cilën janë vendosur në vuajtje të dënimit, është gjetur narkotiku i llojit marihuanë me peshë 2.0 gramë.

Gjithnjë sipas aktakuzë, kjo vërtetohej edhe përmes ekspertizën e Forenzikës të Agjencionit të Kosovës për Forenzikë të 19 qershorit 2018, në të cilën është vërtetuar se përmban Tetahidrokanabinol dhe kanabis me gjithsej peshë neto prej 1.60 gram.

Me këtë, dy të akuzuarit po ngarkohen me kryerjen e veprës penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim prej një deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë