Deklarohen sërish të pafajshëm dy të akuzuarit për krim të organizuar me narkotikë

Raporton- Blerta Barku

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuar për krim të organizuar me narkotikë Fatmir Muslijit, Brahim Xhemajlit, të martën janë deklaruar sërish të pafajshëm lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe i akuzuari Zijadin Gashi mirëpo pasi që i njëjti  ka ndërruar jetë ndaj tij ka pushuar procedura penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja, Merita Bina-Rugova dhe mbrojtësi i të akuzuarit Xhemajl, avokati Fatlum Podvorica, mbetën pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimet e kaluara gjyqësore.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Muslijit, avokati Besnik Berisha në fjalën e tij hyrëse deklaroi se është një rast që ka kaluar në disa pika të gjykatës, por është udhëzuar çdo herë për mangësi substanciale, e të cilat nëse mbesin si të tilla do të kenë një epilog të njëjtë sërish.

Ai  tha se mangësia themelore ka të bëjë me  mënyrën e kualifikimit të veprës penale, saktësisht, dyshimet për krim të organizuar  të një grupi që përmbahet nga tre persona ku sipas tij vërehet nga dispozitivi një i aktakuzës e tani në dy veta pasi që njëri ka vdekur.

Avokati Berisha deklaroi se si anëtar të tjerë të këtij grupi prokuroria liston persona të ndryshëm  duke pretenduar se paskan qenë nën komandën e mbrojturit të tij Fatmir Musliji, sipas tij, do të provohet se objekti i aktakuzës qëndron mbi dokumentet e grumbulluara nga policë dhe hetues policor në shtetin e Gjermanisë nga të dyshuar dhe të akuzuar në atë shtet, të cilët për t’i ikur përgjegjësisë penale për vete kanë përmendur emra dhe kanë transferuar fajësinë për faktin që të kanë një epilog më të mirë në rastin e tyre.

Sipas tij, do të provohet se edhe vepra  e penale shpëlarja e parasë nuk ka asnjë provë të vetme që i mbështet këto pretendime dhe se një përmbledhje e dyshimeve që prokuroria  nga persona të dënuar e dyshuar, për të mbështetur të hyra financiare, të investuara në patundshmëri nga familja ose vet Fatmir Musliji.

Tutje, tha se do të vërtetohet se gjithë vlera në dispozitiv të aktakuzës edhe sikur heroina të ishte punë dore- artzanale nuk e mbërrin as vlerën e një banese, ndërsa pretendohet se është shitur 10 mijë euro dhe pastaj disa pjesë me gramë,  si shembull  8 gram janë gjetur  Brahimit ditën e arrestimit, dy kg janë gjetur në Gjermani që në atë kohë kinse janë shitur 32 mijë euro.

Avokat Berisha tha se përfundimisht pretendimet siç janë paraqitura në këtë dispozitiv të aktakuzës nuk do mund provohen asnjëherë me prova të ligjshme, për shkak se gjithë procedura është mbështetur kryesisht në prova të kundërligjshme .

Pas kësaj, prokurorja Bina-Rugova deklaroi se mbrojtja ka propozuar dëgjimin e serishëm të dëshmitarëve. Ajo tha se kundërshton këtë propozim pasi që do të ishte zvarritje e panevojshme, problem me i siguruar të gjithë dëshmitarët pasi disa janë nga Gjermania dhe për disa kanë pasur problem të i sigurojnë, duke shtuar se të akuzuarit gjatë gjithë procedurës e kanë pasur avokatët dhe e gjithë procedura është zhvilluar konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Andaj e njëjta tha se qëllimi i prokurorisë është që të lexohen deklarata e dëshmitareve dhe të lexohen të gjitha provat të propozuara në aktakuzë meqenëse kjo procedurë po zhvillon për një periudhë të gjatë kohore dhe do të ishte e pa nevojshme që të zhvillohet për disa vite tjera.

Për këtë avokati Berisha deklaroi se nëse procedura të ishte zhvilluar në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale nuk do të ishin këtu mirëpo në rastin konkret  do të kishim një aktgjykim formës së prerë duke shtuar se gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim andaj  duhet  të i nënshtrohen  rekomandimeve.

Më pas, avokati Berisha  tha se në bazë të Kodit të Procedurës Penale në rastin konkret  është ndryshuar përmbajtja e  trupi gjykues e në veçanti kryetari i trupit gjykues , i cili është kusht që të filloj procedura nga e para.

Po ashtu, ai deklaroi se është rigjykim dhe është e drejtë me i sfidua dëshmitarët me kushte të njëjta me prokurorinë dhe nuk mund të ketë procedurë vetëm sipas qëndrimeve të njërës palë por insistojnë  që të kenë procedurë të njëjtë të ligjshme, brenda afatit të arsyeshëm ,me arsyetimin se nuk është as në favorin e tyre që të paraqiten me vite që të marrin një aktgjykim, cili do qoftë ai.

Këtë deklarim të avokatit Berisha e ka mbështetur mbrojtësi i të akuzuarit Xhemajl, avokati Fatlum Podvorica me arsyetim se shprehimisht në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, parashihet që momentin e ndërrimit të kryetarit trupi gjykues procedura fillon nga fillimi ose nga  e para.

Më pas, trupi gjykues mori aktvendim duke marrë për bazë që është bërë ndryshimi i trupit gjykues- kryetar të trupit gjykues dhe bazuar dispozitiv të Kodit të Procedurës Penale,  ku gjykimi mbahet para një kryetari tjetër gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet  të fillon rishtaz dhe shikohen të gjitha provat.

Si dhe trupi gjykues ka refuzuar propozimin e prokurorisë special që të behët vetëm leximi i deklaratave të dëshmitarëve të dhënë më parë në shqyrtim gjyqësor në këtë fazë procedurës, pasi që gjykata do të fitoj të gjithë dëshmitarët dhe në rast pengesave ligjore dhe faktike për sigurimit e tyre në gjykatë atëherë do të shqyrtoi propozimin për leximin e këtyre deklaratave.

Seanca e radhës në këtë rast u caktua më 13 dhe 14 shtator 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2018, Fatmir Muslijin, Zijadin Gashin dhe Brahim Xhemajlin i kishte shpallur fajtorë për shpërndarje të narkotikëve, kurse Muslji ishte liruar nga akuzat për shpëlarje të parave.

Shkalla e parë, të akuzuarit Musliji i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh si dhe dënim me gjobë prej 10 mijë eurosh. I akuzuari Xhemajli, ishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim dhe katër mijë euro gjobë. Kurse, Zijadin Gashi ishte dënuar me tre vite e tre muaj burg dhe 500 euro gjobë.

Të akuzuarit Musliji, gjykata i kishte konfiskuar edhe 6.63 ari toke, një shtëpi, një veturë, narkotikun e gjendur tek ai dhe disa telefona.

Mirëpo, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave si dhe shkresat e lëndës ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë sërish është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale andaj, kjo gjykatë e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit thuhet që në rigjykim kjo çështje penale ti jepet një trupi tjetër gjykues pasi që është hera e dytë që anulohet kjo lëndë e trupit gjykues duke mos përfillur  vërejtjet e Gjykatës së apelit e që për gjykatën e shkallës së parë janë obligative.

Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 5 prill 2016, tre të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë. Muslijin e kishte dënuar me 8 vite burgim dhe me gjobë në shumën prej 10.000 eurosh. Ndërsa, ndaj Xhemajlit, gjykata kishte shqiptuar 4 vite e 6 muaj dënim me burg si dhe me gjobë në shumën prej 4.000 eurosh. Kurse, të akuzuarin Gashi, e kishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim si dhe me gjobë prej 2.000 eurosh.

Mirëpo, pas ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ankesave të mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Sipas Apelit, i akuzuari Musliji ishte dënuar duke u bazuar vetëm në aktgjykimin e Gjykatës së Munchenit në Gjermani si dhe dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët kishin deklaruar se narkotikun e kishin marrë nga Musliji. Një nga arsyet e Apelit, ishte se pa u dëgjuar këta dëshmitarë, nuk mund të ketë prova në procedurën penale që zhvillohet në Kosovë.

Ndërkohë, sipas aktakuzës, tre të akuzuarit kishin vepruar si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar me qëllim të përfitimit të dobisë financiare, ku pa autorizim kanë shitur dhe transportuar substanca narkotike të llojit heroinë.

Sipas aktit të akuzës, i pandehuri Fatmir Musliji e kishte formuar dhe organizuar këtë grup kriminal të përbërë nga persona të ndryshëm në mes tyre edhe të pandehurit, Brahim Xhemajli dhe Zijadin Gashi.

Sipas prokurorisë, Musliji nga dhjetori 2008 e deri në shkurt 2009 ka organizuar transportimin dhe shtijën e mbi 40 kilogramë heroinë për në Gjermani nëpërmjet rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa për pjesën me të vogël të heroinës e ka organizuar shitjen e paautorizuar në tregun kosovar.

Musliji, Xhemajli e Gashi, akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për krim të organizuar që ndërlidhet me veprën penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë