Deklarohen fajtorë të akuzuarit për lëndim të lehtë truporë, dënohen me burgim me kusht

169994832_2833583223573516_1898657969014267700_n
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Prill 8, 2021

Drenas – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, i ka dënuar me nga katër muaj burgim me kusht, të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Sefer dhe Musli Dubovci.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet, nëse të akuzuarit nuk kryen vepër penale brenda periudhës një vjeçare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, gjykata të akuzuarit Dubovci, i ka ngarkuar me paushallin gjyqësor në shumë prej 40 euro si dhe taksen për Programin e Viktimave të Krimit në shumë prej 30 euro.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Shefqet Baleci, pas deklarimit nga ana e të akuzuarve se ndihen fajtorë, në shqyrtimin e dytë  të mbajtur të enjten në këtë gjykatë.

Me pranimin e fajësisë nga ana e tyre është pajtuar dhe prokurorja Elza Bajrami, e cila i ka propozuar gjykatës që të njëjtit të i shpall fajtorë dhe  me rastin e matjes se lartësisë se dënimit pranimin e fajësisë të marrë si rrethanë lehtësuese.

Ndryshe, për të njëjtën vepër akuzohet dhe Destan Qorri, ndaj të cilit me pëlqimin e të akuzuarve Dubovci, në seancën e 20 janarit 2021, është veçuar procedura penale, me qëllim të efikasitetit të procedurës penale.

Gjykata paraprakisht për të njëjtin ka lëshuar urdhëresë që i njëjti të kërkohet dhe të njoftohet për adresën e tij, me rastin e zbatimit të kësaj urdhërese  Stacioni Policor në Drenas, ka informuar se i akuzuari Qorri sipas familjareve gjendet në shtetin e Kanadasë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 30 tetor 2020, ka ngritur aktakuzë kundër Destan Qorri, Sefer Dubovci dhe Musli Dubovci, të cilët i ka ngarkuar me veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se me 11 janar 2019, rreth orës 22:50, në fshatin Terstenik, Komuna e Drenasit, pas një mosmarrëveshje të atëçastshme për shkak se i pandehur Musli Dubovci nuk i ka lëshuar vendin në një lokal të pandehurit Destan Qorri, të pandehurit me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore njëri-tjetrit.

Sipas aktakuzës, kanë vepruar në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Destan dhe Musli janë shtyrë dhe kacafytur dhe i pandehuri Destan e ka goditur me grusht të pandehurin Musli, por pasi ka arrit aty dhe i pandehuri Sefer e ka goditur me shuplaka vëllain e tij Musliun, pasi donte të largonte.

Po ashtu, të pandehurit Destan dhe Sefer e kanë goditur  me grushte njeri-tjetrin, me çka të tre të pandehurit Destan, Sefer dhe Musli kanë pësuar lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin, thuhet në aktakuzë./BetimipërDrejtësi