Deklarata kundërthënëse të dëshmitarëve para trupit gjykues

Arbelina DEDUSHAJ

Pejë, 5 shkurt 2016 – Tre bashkëpronarët, njëherësh tre dëshmitarët kryesor në rastin gjyqësor kundër të akuzuarit Ahmet Mahmutaj, janë sfiduar të premten në Gjykatën Themelore të Pejës rreth dëshmive të tyre kundërthënëse të dhëna në polici, prokurori dhe gjykatë. Ballafaqimi i tyre në seancën gjyqësore është fokusuar rreth dëshmisë së dëshmitarit Shërbim Berisha, i cili pretendon se bashkëpronarët kishin dhënë ryshfet për të mbindërtuar një kat në ndërtesën ku ishin bashkëpronarë.

Sipas aktakuzës së prokurores Sahide Gashi, i akuzuari Ahmet Mahmutaj, derisa kishte shërbyer si Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Pejës, kishte shpërdoruar detyrën zyrtare, duke marr ryshfet për të lejuar mbindërtimin e një kati të një objekti afarist shumëbanesor në Pejë. Ky ryshfet, sipas prokurorisë, ishte pranuar nga Mahmutaj më 3 shtator 2013 nga Shërbim Berisha, i cili kishte bashkëpunuar me policinë dhe kishte simuluar, duke ia ofruar 5000 euro në një zarf dhe duke ia lënë në zyrën e tij. Pas pak në zyrën e të akuzuarit Mahmutaj kishin shkuar policia dhe kishin gjetur zarfin me para, të cilat pretendojnë se i kishte marrë ryshfet për të lejuar mbindërtimin, duke shpërdoruar detyrën zyrtare.

Aktakuza është e ndërtuar mbi këtë provë të simulimit dhe dëshmisë së dëshmitarit Shërbim Berisha. Mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Mahmutaj, avokati GëzimKollçaku, ka kundërshtuar aktakuzën, duke thënë se ajo mbështetet vetëm në deklaratën e të dëmtuarit Shërbim Berishës.

Në seancën e së premtës, Shërbim Berisha, u paraqit para trupit gjykues për të dëshmuar të gjitha rrethanat e dëshmisë së tij, e cila rëndon të akuzuarin Mahmutaj. Berisha tha se pas meqë nuk kishin leje ndërtimi për katin e shtatë, ata kishin filluar të ndërtonin pa leje. Pas një kohe kishin arritur inspektorët e ndërtimit, të cilët kishin rrënuar mbindërtimin e  filluar. Pas kësaj, sipas dëshmitarit Berisha, kishte filluar pazari me inspektorët. Sipas tij, inspektorët kishin kërkuar 10.000,00 euro prej bashkëpronarëve të tij, Avni Vocaj dhe Gani Krasniqi si kusht për lejimin e mbindërtimit.

“Kontaktova më policinë për ta paraqitur rastin dhe me ta bëmë një marrëveshje… Me kërkesën e policisë pranova që ta luaja rolin sikur do u’a dorëzoja paratë që më kishin kërkuar’’, tha Berisha.

Dëshmitari tjetër, Avni Vocaj, gjatë marrjes në pyetje, tha se disa ditë pas rrënimit të katit të mbindërtuar ishte takuar me ortakun e tij Shërbim Berisha dhe kishin biseduar se si ta gjenin një zgjidhje dhe të vazhdonin ndërtimin e katit, duke menduar edhe dhënjen e parave si zgjidhje të fundit.

“Gjatë kësaj bisede ka qenë i pranishëm edhe Ahmet Mahmutaj, ish-drejtori i Urbanizmit, i cili na këshilloi që ta lajmëronim policinë, me arsyetimin se inspektorët e ndërtimit nuk kanë kompetenca që të japin leje për mbindërtim, pasi kjo është kompetencë e drejtëpërdrejtë e Drejtorisë së Urbanizmit’’, tha dëshmitari Avni Vocaj.

Ndërsa, dëshmitari i tretë Gani Krasniqi, tha se kishin filluar mbindërtimin e katit të shtatë, pasi bashkëpronarët nuk kishin marrë përgjigje nga Drejtoria e Urbanizmit. Sipas tij, kjo drejtori iu kishte kthyer përgjigje për leje vetëm pasi kishte ndodhur rasti i arrestimit të Ahmet Mahmutaj.

Dëshmitë kundërthënëse të dëshmitarëve, kanë aktivizuar prokuroren Sahide Gashi, e cila tha se dëshmitë e tyre nuk përputhen me deklaratat e dhëna në Prokurori dhe në Polici. Sipas saj, dëshmitari Shërbim Berisha në polici dhe prokurori, kishte thënë se Avni Vocaj dhe Gani Krasniqi i kishin thënë atij se inspektorët e ndërtimit po i kërkonin para dhe se pjesën e tyre e kishin paguar, ndërkaq i kishte mbetur edhe atij që t’ia paguante 5.000,00 euro si bashkëpronar i gjysmës së objektit afarist.

Diskutabile ishte çështja nëse kishte pasur apo jo leje për mbindërtim për të cilën kishte kundërthënie në mes të tre bashkëpronarëve njeherësh dëshmitarëve në këtë rast.

Dëshmitari Avni Vocaj tha se mbindërtimi nga dy bashkëpronarët kishte filluar në kohën sa ai nuk gjendej fizikisht në Kosovë. Në dëshminë e tij, ai tha se asnjëherë nuk i kishte thënë  Shërbim Berishës se i kishte dhënë para inspektorëve.

Kryetarja e trupit gjykues kërkoi që t’i ballafaqoj të dy dëshmitarët Shërbim Berisha dhe Avni Vocaj për kundërthëniet e tyre. Gjatë ballafaqimit, dëshmitari Vocaj iu drejtua Berishës me fjalët ”kur të paskam thënë se unë u kam dhënë para”, ndërsa Berisha iu iu përgjigj atij me fjalët” kjo është e vërteta’.

Pas këtij ballafaqimi, trupi gjykues, shkoj në pushim, dhe pas kthimit në sallë vendosi të mos e vazhdoj shqyrtimin gjyqësor, duke shtyrë seancën e radhës për 11 mars 2016 në orën 10:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë