DEKLARATA KUNDËRTHËNËSE TË DËSHMITARËVE NË RASTIN E DALLAVEREVE ME PASAPORTË NDAJ POLICIT DOGANOR

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj –  Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të enjtën, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj Fehmi Muratit, i cili akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në këtë shqyrtim lidhur me veprën penale që i ngarkohet, i akuzuari Murati deklaroi se nuk është fajtor dhe nuk e pranoi fajësinë. Gjithashtu në këtë seancë u dëgjuan edhe dy dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Bujar Rexhepi dhe Hakim Gashi, të cilët me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ekrem Shabani, pas dhënies së dëshmisë së tyre  u ballafaquan para trupit gjykues.

Pasi që i akuzuari Fehmi Murati në këtë fazë të procedurës nuk e pranoi fajësinë, seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve dhe atë dëshmitarët Bujar Rexhepi dhe Hakim Gashi. I pari që u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit ishte Bujar Rexhepi, i cili tutje në pyetjet e prokurorit të shtetit Shukri Jashari deklaroi në verën e  vitit 2013 vëllau i tij i kishte dërguar vizën për në Gjermani, por që e njejta i ishte refuzuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë, dhe ku në pasaportë i kishin vënë vulën e refuzimit. Për këtë vulë ai tha se kishte tentuar t’a fshinte vet me një preparat kimik por që nuk kishte arritur dhe e kishte dëmtuar, ndërsa tutje deklaroi se djali i motrës së tij, dëshmitari tjetër në këtë rast Hakim Gashi , pasi që kishin biseduar në telefon i kishte treguar se e njeh një person në pikën kufitare në Han të Elezit që mund t’a rregulloj. Dëshmitari Rexhepi deklaroi se pas dy apo tri ditësh , nipi i tij e kishte lajmëruar se ka arritur të kontaktoj me atë person dhe që më 20 shkurt 2014 së bashku ishin nisur për të shkuar në Han të Elezit dhe për t’u takuar me atë person. Pasi që kishin arritur atje, dëshmitari deklaroi se pas 10 apo 15 minutash kishte ardhur ai person, që sipas tij kishte të veshur uniformën e zyrtarit doganor dhe të njejtit pastaj i kishte treguar për pasaportën e tij dhe i kishte kërkuar që t’ia rregulloj vulën e fshirë dhe t’ia vendos një tjetër për të mos u dalluar. Për këtë ai deklaroi se i njejti person i kishte thënë se “nëse mundem do t’a rregulloj”. Ndërsa tutje, ai deklaroi se pas disa ditësh nipi i tij, Hakim Gashi i kishte telefonuar dhe ishin takuar diku në Ferizaj, ku edhe e kishte marrë pasaportën e tij me vulë të rregulluar, e që për këtë ai tha se ishin marrë vesh që t’ia jap 50 euro nipit të tij. Dëshmitari Rexhepi në vazhdim tregoi se pas tre muajsh pasi e kishte marrë pasaportën tani me vulë “të rregulluar” ai pasi kishte blerë biletën kishte tentuar që me atë pasaportë të shkonte në Zvicër,mirëpo gjatë kontrollës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës pasi që zyrtarët atje kishin dyshuar për pasaportën e tij ishte vërtetuar se ka pasur intervenime në pasaportë, ku edhe të njejtin e kanë kthyer dhe nuk ka mundur të vazhdoj drejt destinimit të synuar.  Sa i përket pyetjes se a njeh personin me të cilin ishte takuar në Han të Elezit ku edhe i’a kishte dorëzuar pasaportën për të i’a rregulluar dëshmitari deklaroi se atë e ka identifikuar gjatë marrjes në pyetje në Stacionin Policor si dhe në Prokurori.

Në këtë shqyrtim gjyqësor gjithashtu në cilësinë e dëshmitarit deklaroi edhe Hakim Gashi, deklarata e të cilit ishte krejtësisht kontradiktore me atë të parafolësit të tij. Ai në mënyrë decidive e mohonte faktin se së bashku me dajën e tij,Bujar Rexhepi,ndonjëherë kishin shkuar në Han të Elezit për ndonjë pasaportë, madje ai tha që asnjëherë në jetën e tij nuk kishte qenë në Han të Elezit.

Tutje, dëshmitari Gashi deklaroi se me dajën e tij Bujar Rexhepi asnjëherë nuk kanë pasur raporte të mira dhe tha që shumë rrallë janë takuar. Sa i përket rastit konkret për pasaportën e Bujar Rexhpit ai deklaroi se e ka pas ditur që daja i tij ka marrë vizë për të shkuar dikund jashtë vendit por tha që për këtë ai kurrë as nuk kishte biseduar me të dhe as nuk ishin takuar.  Lidhur me këtë deklarim të tij prokurori Shukri Jashari e ballafaqoi dëshmitarin me një mesazh telefonik të dërguar nga telefoni i tij ku kishte shkruar “ thuj atij personi që jam tu shku me dajën Bujar deri n’kufi në Elez Han edhe nihem prap tani t’kallzoj ok..”, ndërsa për këtë dëshmitari deklaroi se ai nuk e ka dërguar atë sms dhe tha që daja e tij i’a ka keqpërdorur telefonin e tij, sepse sipas tij ai çdo ditë luan futboll në mbrëmje ndërsa telefonin nuk e merr me vete, pasi që siç tha ai daja e tij ka shkuar shpesh në shtëpinë e tij.

Pasi që u dëgjuan të dy dëshmitarët, me kërkesën e mbrojtësit të të akzuarit ,avokatit Ekrem Shabani ata u ballafaquan mes vete, ku së pari dëshmitari Bujar Rexhepi i bëri pyetje dëshmitarit Hakim Gashi ku ky i fundit në çdo pyetje të parashtruar nga ai mohonte që ndonjëherë gjatë vitit 2014 janë takuar dhe kanë shkuar në Han të Elezit ndërsa në pyetjen e dëshmitarit Rexhepi se “ A ti kam dhënë 50 euro për këtë punë” ai deklaroi se “Jo , ti kurrë nuk mke dhan asnjë cent as për qef” , kurse në pyetjen e dëshmitarit Gashi drejtuar dëshmiatarit Rexhepi se “ A e ke ditur se çfarë telefoni  e kam pas atëherë?” – ai deklaroi se “Po e di që e ke pasur një telefon të thjeshtë – “Nokia” .

Me ballafaqimin e dëshmitarëve përfundoi shqyrtimi gjyqësor, ndërsa seanca e rradhës u caktua për datën 16 Maj 2016, ku edhe do të dëgjohen dy dëshmitarët e propozuar në këtë shqyrtim gjyqësor nga mbrojtësi i të akuzuarit Fehmi Murati, avokati Ekrem Shabani, dhe atë dy polic nga pika doganore në Han të Elezit, Isak Maliqi dhe Enver Krasniqi.

Fehmi Murati me akuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj më 15 Maj 2015 akuzohet se me datë 20 dhe 22 shkurt 2012, në pikën kufitare në Han të Elezit, në cilësinë e personit zyrtar – polic në Policinë e Kosovës, ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në atë mënyrë që ka vendosur vulat hyrëse dhe dalëse me nr.2, 4 dhe 5 në faqën 7,në pasaportën e Bujar Rexhepit, me qëllim që të mbulohet vula refuzuese e shtetit gjerman edhe pse Bujar Rexhepi nuk ka kaluar në këtë pikë kufitare, më të cilën ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autorizimit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë