Deklarata e Presidentit Thaçi për mos zbatim të vendimit të qeverisë paraqet vepër penale dhe shkelje të rëndë të kushtetutës

Thaci Lumezi
Author

Raporton: Gzim SHALA

Mars 25, 2020

Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës në vazhdën e masave për parandalimin e korona virusit Covid 19, të hënën ka nxjerrë vendim për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve.

Sipas këtij vendimi, nga data 24 mars 2020 ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private  gjatë orës 10:00-16:00 si dhe gjatë orës 20:00-06:00.

Në këtë vendim të qeverisë së Republikës së Kosovës thuhet se i njëjti është nxjerrë duke u bazuar në nenin 55, 92 dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dispozitave ligjore të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe Ligjit për Shëndetësi si dhe akteve të tjera nënligjore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pas nxjerrjen së këtij vendimi, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën ka mbajtur një konferencë për media, ku ka kërkuar që ky vendim mos të zbatohet.

“As Policia e Kosovës, as organet e sigurisë, nuk duhet të zbatojnë këtë vendim antikushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vet do të bëjnë vepër penale. Vendimi i Qeverisë është pa efekt juridik të zbatueshëm dhe është i pazbatueshëm në tërë territorin e Kosovës” ka thënë Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë kësaj konference.

Për situata të tilla, Kodi Nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës në nenin 403 ka përcaktuar veprën penale “thirrja në rezistencë”, i cili nen përcakton se “1. Kushdo që thërret të tjerët për rezistencë apo mosbindje ndaj vendimeve apo masave të ligjshme të nxjerra nga organi apo zyrtari kompetent, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet”.

Ish-Kryetari i Gjykatës Supreme dhe profesori universitar, Fejzullah Hasani ka thënë se deklarimet e Presidentit për mos zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë edhe dimension penal.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me veprën penale thirrje për rezistencë. Kodi Penal e përcakton këtë. Presidenti mundet mos u pajtu me një vendim dhe me konsideru se i njëjti nuk është i ligjshëm apo nuk është në përputhje me kushtetutën, por jo edhe të dal dhe të kërkojë që i njëjti mos të zbatohet. Në këtë situata, mund të ketë edhe konfrontime në mes qytetarëve dhe policisë” ka deklaruar Hasani në një bisedë telefonike për “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, Profesori Fejzullah Hasani ka thënë se pavarësisht kundërshtimeve lidhur me një vendim të caktuar, i njëjti konsiderohet i ligjshëm derisa një gjykatë të mos e konstatojë kundërligjshmërinë e të njëjtit.

“Nëse presidenti konsideron se ky vendim është në kundërshtim me Kushtetutën i njëjti mund ti drejtohet institucioneve kushtetuese, por jo me dal e me kërku që ky vendim mos me u zbatu. Kodi Penal e përdor shprehjen vendime ose masa të ligjshme, dhe secili vendim konsiderohet se është i ligjshëm, derisa të vërtetohet e kundërta nga një gjykatë. Pra, vetëm një gjykatë mund të vlerësojë ligjshmërinë e punës të institucioneve shtetërore, dhe pa një vendim të gjykatës, askush nuk mund ta vlerësojë një vendim si të kundërligjshëm. Për këtë arsye, në këtë rast kemi të bëjmë me veprën penale të thirrjes në rezistencë”, ka përfunduar Hasani.

Krahas Presidentit, Fejzullah Hasani thotë se ndonëse vendimi i Qeverisë nuk ka një emër specifik, i njëjti tangon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për të cilën arsye, secili qytetar ka të drejtën e ankimit në procedurë administrative, dhe rrjedhimisht edhe të inicimit të konfliktit administrativ në gjykatën kompetente.

Në anën tjetër, ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori universitar, Enver Hasani, ka thënë se vendimi i Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pasi në këtë rast nuk kemi të bëjmë me kufizim të të drejtave të njeriut sipas nenit 55 të Kushtetutës, por me shmangie të të drejtave të njeriut.

“Ky vendim është në kundërshtim me kushtetutën, pasi nuk kemi të bëjmë me kufizim të të drejtave të njeriut sipas nenit 55 të Kushtetutës, por kemi të bëjmë me shmangie të të drejtave të njeriut, e cila shmangie mund të bëhet vetëm në gjendje të jashtëzakonshme. Në këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës me vendim administrativ ka bërë shmangie nga të drejtat e njeriut. Nxjerrja e dekretit të Presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, është rasti i vetëm që Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se duhet të jetë i arsyetuar, dhe të përcaktohet se cila është natyra e kërcënimit dhe të drejtat që shmangen, si dhe periudha kohore e gjendjes së jashtëzakonshme” ka thënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Por, thirrjen e presidentit Hashim Thaçi për mos zbatim të këtij vendimi, Enver Hasani e cilëson si të papranueshme dhe jo kushtetuese, e cila deklaratë, sipas Enver Hasanit, tërheq pas vetes përgjegjësi kushtetuese.

“Deklarata e presidentit për mos zbatim të vendimit është tërësisht e papranueshme dhe jo kushtetuese. Një deklaratë e tillë e presidentit me të cilën fton në rezistencë dhe mos zbatim të vendimit është kundër kushtetuese, dhe paraqet përgjegjësi kushtetuese. Në këtë rast, pa asnjë diskutim, presidenti ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës” ka përfunduar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Lidhur me inicimin e hetimeve preliminare apo penale për këtë rast nga Prokurori shtetit, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar kërkesë për informata në Zyrën për Komunikim Publik të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, por se ende nuk ka marrë përgjigje.

Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar kërkesë për informata edhe në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, por se as në këtë kërkesë ende nuk ka pranuar përgjigje.

Sipas Komentarit të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, qëllimi  kriminalo-politik  i  këtij  inkriminimi  është  mbrojtja  e  rendit  dhe  qetësisë  publike,  përkatësisht  mbrojtja  e  autoritetit  të  organeve  shtetërore  nga  veprime  të  tilla,  me  të  cilat  krijohet  gjendje  e  revoltës  qytetare  dhe  e  rezistencës  pasive,  përkatësisht  me  të  cilat  nxitet  kundërvënie  dhe  mos dëgjueshmëri  ndaj  vendimeve  dhe masave të organeve shtetërore, derisa forma  themelore  e  veprës  sipas  par.  1  qëndron  në  thirrjen  e  të  tjerëve  për  të  bërë  rezistencë  të  dhunshme  ndaj  vendimeve  të  ligjshme  dhe  masave  të  organeve  kompetente, ose ndaj personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas Komentarit të Kodit Penal, kjo vepër penale konsiderohet se është kryer me vetë aktin e thirrjes për rezistencë, derisa nuk është e domosdoshme që rezistenca të ndodhë.

“Thirrja për rezistencë a mosbindje duhet të bëhet kundër vendimeve dhe masave të ligjshme të organeve kompetente ose ndaj personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.  Me  vendime  të  organeve  kompetente  nënkuptojmë  të  gjitha  vendimet  që  marrin këto organe në bazë të Kushtetutës, ligjeve a dispozitave të tjera, në ç ‘rast lloji  dhe  forma  e  vendimit  janë  të  parëndësishme.  Është  esenciale  që  fjala  të  jetë  për vendime të ligjshme të organeve kompetente, d.m.th., për vendimin a vendimet që  janë  marrë  nga  ana  e  organit  me  kompetencë  reale  dhe  territoriale.  Thirrja  për  rezistencë dhe mosbindje duhet të jetë e drejtuar kundër vendimeve të caktuara të organeve  kompetente.  Masat  e  organeve  kompetente  paraqesin  veprime  të  tilla  që  ndërmarrin këto organe në kuadër të autorizimeve të tyre; më së shpeshti këto janë masa  me  rëndësi  të  përgjithshme,  si,  p.sh.,  masat  për  pengimin  e  epidemive  të  ndonjë  sëmundjeje  ngjitëse  tek  njerëzit  a  kafshët,  masat  e  ndalimit  të  importit  të  prodhimeve  të  caktuara,  ndalimi  i  lëvizjes  në  vendet  e  caktuara,  kontrollimi  i  obliguar dhe vaksinimi i popullsisë etj.. Thirrja për rezistencë a mosbindje duhet të jetë e drejtuar kundër masës a masave të organeve kompetente. Kur është fjala për thirrje  për  rezistencë  a  mosbindje  ndaj  personit  zyrtar  në  kryerjen  e  detyrave  zyrtare, ajo duhet të jetë e drejtuar ndaj personit të caktuar zyrtar dhe ndaj detyrës së caktuar zyrtare, e cila është e ligjshme” thuhet në këtë komentar.

Për këtë vepër penale, komentari  përfundon duke nënvizuar se kryes i kësaj vepre penale mund të jetë çdo person, kurse vepra penale mund të kryhet vetëm me dashje, e cila përfshin në vetvete edhe vetëdijen e kryesit se deklarata e tij paraqet thirrje për rezistencë a mosbindje, përkatësisht se me deklaratën e tij tek të tjerët nxit vendimin për rezistencë –mosbindje.

Ndryshe, për kryerje të veprës penale të “thirrjes në rezistencë”, për disa deklarata të dhëna, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e kishte akuzuar Fuad Ramiqi, i cili më pas ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, i cili vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Ndërsa, sipas statistikave të Njësisë së Statistikave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, gjatë vitit 2019, gjyqësori nuk kishte pranuar apo trashëguar asnjë aktakuzë për veprën penale të “thirrjes në rezistencë”.