Dëgjohet zyrtari policor në rastin ku ish-asistenti i Kuvendit Komunal të Kllokotit akuzohet për përvetësim në detyrë

182848262_4550918754923114_931979093667214319_n
Author

Raporton: Teuta GASHI   

Maj 7, 2021

Gjilan – Të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan është mbajtur gjykimi në të cilin Vllasta Bogdanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Kujtojmë që seanca fillestare ndaj rastit në fjalë është mbajtur në dhjetor të vitit 2019, dhe që atëherë, nuk është mbajtur më asnjë seancë tjetër gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaçi pasi e njoftoi të pandehurin me të drejtat, kërkoi nga prokurori i shtetit Agron Uka ta lexojë aktin akuzues dhe me t’u lexuar aktakuza i akuzuari Bogdanoviq tha se nuk e pranon fajësinë për këtë vepër penale.

“Nuk mund të pranoj diçka që nuk e kam bërë”, tha i akuzuari Vllasta Bogdanoviq.

Në këtë çështje juridiko penale është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit Aleksandër Jaciq.

Dëshmitari Jaciq tha se rreth 20 vite punon si zyrtarë policor dhe se ishte marrë me hetimin e rastit në fjalë, ashtu që të gjitha veprimet i kishte ndërmarrë sipas autorizimeve të prokurorit kujdestar.

Tutje, dëshmitari tha se nga dëshmia e një personi ishte vënë në dijeni se dikush kishte mbushur veturën private me derivate, por nuk e dinte se kush ishte personi, por dinte vetëm targat e makinës së tij.

Me të marrë targat, hetuesi tha se është bërë e njohur se kujt i takon makina, ashtu që ka shkuar tek shtëpia e Vllasta Bogdanoviqit dhe e ka ftuar atë për deklaratë në stacionin policorë.

Sipas hetuesit, i akuzuari e ka mohuar një fakt të tillë, mirëpo nga dëshmia e dëshmitarit Selami Rexhepi, i cili punonte në pompën e benzinës “Tina Petrol”,  del se i akuzuari kishte mbushur veturën zyrtare me derivate prej 60 litrash, e që, 10 litra të tjera me derivate i kishte hedhur në makinën e tij private.

Në mungesë të dëshmitarëve Selami Rexhepi dhe Armend Ismajli, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaçi, seancën e radhës e ka caktuar më 2 qershor, me fillim nga ora 09:30.

Ndaj dëshmitarëve të cilët kanë munguar, gjykatësi Thaçi tha se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 prill 2019 ka ngritur aktakuzë kundër Vllasta Bogdanoviq sepse më 8 prill 2019, rreth orës 12:00, në pompën e benzinës “Tina-Petrol”, në Kllokot, i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, me dashje ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar, për shkak të detyrës apo pozitës së tij, në atë mënyrë që me veturën e markës “Toyota”, ka shkuar në pompën e karburantit “Tina-Petrol” që ta mbush me karburant – naftë, veturën zyrtare, duke kërkuar që në dëftesë të evidentohet që ka marrë 70 litra karburant, a në realitet me 60 litra e ka furnizuar veturën zyrtare, kurse pas një ore shkon me veturën e tij të markës “Renault”, në të njëjtën pompë të karburantit, duke e mbushur veturën e tij me 10 litra të cilat paraprakisht i ka evidentuar në dëftesë si 70 litra, ndërsa 10 litra i ka lënë që ta mbushi veturën e tij.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi