Dëgjohet zyrtari i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në gjykimin për korrupsion ndaj ish-inspektorit të Hidro-ekonomisë në Prizren

119415076_816381419168253_5544140719559743120_n
Author

Raporton: Liridon PNISHI

Shtator 14, 2020

Prizren – Të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur seanca gjyqësore për rastin ndaj ish-inspektorit të hidro-ekonomisë në Komunën e Prizrenit, Avdulla Gashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë seancë në cilësinë e ekspertit-dëshmitarit u dëgjua Ferat Sezairi, zyrtar i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër  në Komunë e Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e prokurores Ervehe Gashi, se në cilat parcela është ndërtuar bodrumi, dëshmitari Sezairi deklaroi se objekti (bodrumi) me etazhitetin e vetëm si bodrum është i ndërtuar në ngastrat kadastrale me nr. 800-0, 801-0 dhe 802-0, ku në librat kadastral, ngastra kadastrale me numër 801-0  është e regjistruar në pasurinë shoqërore “ujërat”.

Avokati i të akuzuarit, Rexhep Hasani, kërkoi të dijë nëse investitori Hashim Kryeziu ka qenë në drejtorinë për gjeodezi dhe kadastër dhe ka kërkuar që të caktohen pikat koordinuese. Por, lidhur me këtë pyetje, Sezairi tha se nuk është në njohuri.

Dëshmitari-eksperti Sezairi, tutje deklaroi se nuk është në njohuri nëse gjeodetët e Komunës kanë qenë në parcelën e investitorit dhe e kanë kufizuar atë.

Për këtë seancë ishte ftuar të dëshmojë edhe dëshmitari Fail Hoxha, i cili është koordinator i përgjithshëm i inspektorateve në Komunën e Prizrenit, mungesën e të cilit e arsyetoi dëshmitari Ferat Sezairi, i cili deklaroi se Fail Hoxha ka probleme shëndetësore.

Trupi gjykues, po ashtu, aprovoi kërkesën e palës mbrojtëse për dëgjimin e dëshmitarëve Arben Krasniqi, Gafur Ponik dhe Hashim Kryeziu.

Pasi që nuk pati propozime të tjera, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, njoftoi palët se seanca e sotme përfundoi dhe se e njëjta do të vazhdojë me 20 tetor në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 22 gusht 2019, Avdulla Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës, dhe udhëzimin administrativ, nr. 04/2016 për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 155 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi