Dëgjohet shefi i inspeksionit në AUV në gjykimi ndaj veterinarit që akuzohet për keqpërdorim detyre

Mexhid Haxhimusa
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Dhjetor 12, 2019

Gjilan – Shefi i inspeksionit veterinar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Arsim Arfi, ka deklaruar se në bazë të ordinancave veterinere të licencuara, të gjithë veterinarët kanë qasje në databazë, për identifikimin dhe verifikimin e kafshëve, në të cilën i regjistrojnë të dhënat lidhur me lindjen, matrikulimin dhe vaksinimin  e kafshëve.

Një deklaratë të tillë, dëshmitari Arifi, e ka dhënë në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjilan, në gjykimin ndaj mjekut të veterinarisë në zyrën regjionale në Ferizaj, Mexhid Haxhimusa, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë rast, për moslajmërim të veprës penale po akuzohet edhe Artan Pajaziti, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në seancën e së enjtes, dëshmitari Arifi ka deklaruar se në sistemin ku regjistrohen të dhënat nuk mund të hyjë askush tjetër përveç ambulancave të licencuara veterinere.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Agim Ademi se si shkon procedura e matrikulimit dhe lëshimit të pasaportave kur kafshët nuk janë të regjistruara askund, dëshmitari  Arifi tha se në rastet kur një person blen disa gjedhe, të cilat janë pa pasaportë dhe nuk janë të regjistruara askund, duhet të lidhë kontratë të noterizuar për blerjen e këtyre gjedheve dhe pas kësaj të bëhet regjistrimi i tyre në sistem.

Ai shtoi se në bazë të legjislacionit në fuqi, gjedhet pa dokumente dhe matrikula mund të regjistrohen edhe pa kontrate të noterizuar, por vetëm nëse janë në moshën  gjatë muajshe, dhe se pas kalimit të gjashtë muajve, ndaj tyre nuk lejohet matrikulimi, në rast se pronari nuk e posedon kontratën.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Mexhid Haxhimusa, avokatit Mustaf Musa, se çka është matrikula dhe si bëhet shpërndarja e matrikulave tek kafshët, dëshmitari Arifi ka thënë se matrikula është numri identifikues i kafshës, e cila duhet të përputhet me numrin e pasaportës dhe e njëjta është unike, andaj dhe nuk mund të bartet tek kafsha tjetër.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), hap tender për kontraktimin e kryerjes së matrikulimit, vaksinimit si dhe aktiviteteve të tjera të planifikuara të kryhen nga AUV, ku më pas ambulancat e licencuara të cilat aplikojnë, lidhin kontratën  me AUV”  tha Arifi.

Në seancën e së enjtes është bërë dhe leximi i shkresave.

Avokati i të akuzuarit Haxhimusa, Mustafë Musa, i propozoi gjykatës plotësimin e procedurës së provave, me disa prova të reja.

Sipas tij, me anën e të këtyre provave do të provohet se Ambulanca Veterinare “Indriti”  nuk ka mbetur e pa licencuar asnjë ditë, pavarësisht ndërrimit të emrit të subjektit nga “Stacioni Veterinar”, në Ambulancë Veterinare “Indriti”, të cilat prova nuk u kundërshtuan nga prokurori Uka dhe u aprovuan nga trupi gjykues.

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi tha se për shkak të angazhimit të anëtarëve të trupit gjykues në terminin e pasdites me gjykime tjera, seanca e së enjtes duhet të ndërpritet.

Ndërsa, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 13 janar 2020, me fillim në ora 9:30, ku palët prezente janë njoftuar gojarisht për mbajtjen e saj.

Ndryshe, në këtë rast për kontrabandim me kafshë kanë qenë të akuzuar edhe Izet Toqilla dhe Kadri Rrahmani, të cilët në seancën e 18 qershorit 2019, në shqyrtimin kryesor pasi kishin pranuar fajësinë, janë dënuar secili me nga tetë muaj burgim me kusht.

Shpallja e këtij aktgjykimi kishte ndodhur, pas propozimit të mbrojtësit të akuzuarit Toqilla, avokatit Esat Gutaj, me arsyetimin e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të mbrojturit të tij.

Ndërkaq, ndaj të akuzuarit Zenun Zejnullahu ishte veçuar procedura, pasi që ka një kohë të gjatë që ai është i paarritshëm për gjykatën.

Në këtë çështje penale, të akuzuar të tjerë ishin edhe Heset Shefkiu, Avni Bilalli, Arif Ahmeti, Daut Reqica, Meriton Hasani, Nesim Hasani, Mejdi Zejnullahu, Murat Ilazi, Bekim Reqica dhe Indrit Haxhimusa, por që për të njëjtit ishte veçuar procedura, pasi që kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 28 shkurt 2017, i akuzuari Mexhid Haxhimusa, nga muaji i vitit 2016 deri më 8 nëntor 2016, në regjionin e Vitisë dhe Ferizajt, më qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, në cilësinë e personit zyrtar-mjek i veterinarisë në zyrën regjionale në Ferizaj, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ashtu që është qasur pa autorizim në sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Sipas aktakuzës, Mexhid Haxhimusa, ka lëshuar certifikata, numra identifikues dhe pasaporta të kafshëve, për të cilat e ka ditur se të njëjtat janë të kontrabanduara nga të akuzuarit Heset Shefkiu, Bekim dhe Daut Reqica etj, dhe në këtë mënyrë ia ka mundësuar që të pandehurve me këto dokumente që të transportojnë me kamion kafshët e kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë, nëpër territorin e Republikës së Kosovës për në Republikën e Shqipërisë.

Më këto veprime, prokuroria thotë se ai ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare” nga neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së.

Kurse, sipas akuzës në fjalë, të akuzuarit Heset Shefkiu, Avni Bilalli, Arif Ahmeti, Daut Reqica, Meriton Hasani, Nesim Hasani, Zenun Zejnullahu, Izet Toqilla dhe Kardri Rrahmani, akuzohen për veprën penale në bashkëkryerje “kontrabandimi i mallrave” nga neni 317 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të kodit në fuqi, pasi që të njëjtit që nga muaji korrik i vitit 2016 deri më 9 nëntor 2016, me qëllim përfitimi pasuror në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi kanë kontrabanduar kafshë dhe kanë kaluar vijën kufitare si dhe kanë shmangur kontrollin doganor.

Ata, përmes Republikës së Maqedonisë, jashtë pikës së rregullt kufitare, përmes fshatit Debëllde-Komuna e Vitisë, me traktor dhe kamionë kanë bartur gjedhe, ashtu që të akuzuarit Heset Shefkiu dhe Avni Bilalli në Maqedoni i kanë blerë kafshët dhe i kanë sjellë në fshatin Debëllde, ku Shefkiu i ka vendosur shenjat e matrikulimit dhe i ka ngarkuar në kamion duke i dërguar në fshatin Greme tek i akuzuari Arif Ahmeti, i cili përveçse ka strehuar kafshët i njëjti edhe ka kontrabanduar kafshë dhe nga i pandehuri Mexhid Haxhimusa ka siguruar matrikulla e dokumente për transportin e tyre për në Republikën e Shqipërisë tek i akuzuari Izet Toqilla.

Ata, përmes Republikës së Maqedonisë, jashtë pikës së rregullt kufitare, përmes fshatit Debëllde-Komuna e Vitisë, me traktor dhe kamionë kanë bartur gjedhe, ashtu që të akuzuarit Heset Shefkiu dhe Avni Bilalli në Maqedoni i kanë blerë kafshët dhe i kanë sjellë në fshatin Debëllde, ku Shefkiu i ka vendosur shenjat e matrikulimit dhe i ka ngarkuar në kamion duke i dërguar në fshatin Greme tek i akuzuari Arif Ahmeti, i cili përveçse ka strehuar kafshët i njëjti edhe ka kontrabanduar kafshë dhe nga i pandehuri Mexhid Haxhimusa ka siguruar matrikulla e dokumente për transportin e tyre për në Republikën e Shqipërisë tek i akuzuari Izet Toqilla.

Kurse, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Daut Reqica  së bashku me të akuzuarin Bekim Reqicam me kamionin e tyre nga Maqedonia kanë kontrbanduar kafshë dhe kanë siguruar dokumente dhe matrikulla nga i pandehuri Mexhid Haxhimusa dhe të njëjtat kafshë i kanë dërguar në thertoren në fshatin Llukë e Epërme-Komuna e Deçanit, kurse të pandehurit Kadri Rrahmani dhe Murat Ilazi, kanë kontrabanduar kafshë duke i transportuar me traktor përmes rrugëve malore deri te shtëpia e të pandehurit Heset, edhe të pandehurit Nesim e Meriton Hasani në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë kanë kontrabanduar dhe strehuar kafshët me qëllim të transportojnë në Shqipëri, tek i akuzuari Izet Toqilla.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari Zenun Zejnulahu vazhdimisht me automjetin e tij transportues ka bartur kafshët e kontrabanduara të pandehurve Heset dhe Avni, ashtu që, më 9 nëntor 2016, në Suharekë është ndalur nga policia, ku janë gjetur 11 kafshë me dokumente të falsifikuara, kurse gjatë bastisjes në pronat e të akuzuarve: Zenun Zejnullahu janë gjetur 15 krerë gjedhe të kontrabanduara, te Arif Ahmeti janë gjetur 9 krerë gjedhe, te Daut Reqica, 26 krerë gjedhe si dhe te Nesim e Meriton Hasani, 14 krerë gjedhe, gjithsej 64 krerë gjedhe, duke iu shmangur në këtë mënyrë detyrimeve doganore në vlerë prej 16.333.00 euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Arif Ahmeti, Daut Reqica, Zenun Zejnullahu, Heset Shefkiu, Avni Bilalli dhe Nesim e Meriton Hasani, akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 1, pasi që më 9 nëntor 2016, gjatë bastisjes sipas urdhrit të Gjykatës Themelore në Gjilan, në shtëpitë e të akuzuarve janë gjetur dokumente të falsifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdorin si origjinal.

Ashtu që, siç thuhet në akuzë, në shtëpinë e Arif Ahmetit janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë matrikulla, tri pasaporta të kafshëve dhe tre formularë nga sistemi AUV-it, në shtëpinë e Daut Reqicës janë gjetur dhe sekuestruar 26 krerë kafshë dhe 8 matrikulla të papërdorura dhe 134 matrikulla më nga një numër dhe tri palë mjete për matrikulim; në shtëpinë e Zenun Zejnullahut janë gjetur dhe sekuestruar 3 vathë matrikullimi të gjedheve dhe 12 pasaporta të gjedheve; në shtëpinë e Heset Shefkiut janë gjetur 49 vathë matrikullimi të gjedheve, 23 pasaporta të gjedheve dhe një palë mjete për vendosjen e vathëve të matrikullimit të gjedheve, 14 pasaporta të kafshëve, 14 certifikata të kafshëve dhe tri pasaporta të tjera për kafshë kurse në shtëpinë e Nesim e Meriton Hasani, janë gjetur dhe sekuestruar 134 pasaporta të kafshëve dhe 116 matrikulla, të cilat dokumente nga të gjithë të akuzuarit janë përpiluar dhe ndryshuar me qëllim që të njëjtit t’i përdorin si origjinal me rastin e kontrabandimin të kafshëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Indrit Haxhimusa dhe Artan Pajaziti, akuzohen se nga muaji korrik 2016 deri më datë 8 nëntor 2016, në ordinancën veterinare “Indriti”, në Ferizaj, të pandehurit kanë qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale të akuzuarit Mexhid Haxhimusa, ashtu që nuk e lajmërojnë një fakt të tillë edhe pse zbulimi me kohë i kryerësit të veprës penale varet nga ky lajmërim.

Andaj, Indrit Haxhimusa dhe Artan Pajaziti, akuzohen se në bashkëkryerje “moslajmërimi i veprave penale apo kryersve të tyre” nga neni 386 paragrafi 1 nënparagrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, Meriton Hasani dhe Mejdi Zejnullahu, me rastin e bastisjes, tek shtëpia e të akuzuarit Hasani, është gjetur arma e llojit “Zastava 635”, ndërsa, tek shtëpia e të akuzuarit Zejnullahu, është gjetur pushka e gjuetisë, për çka akuzohen edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi