Dëgjohet një dëshmitar në rigjykimin për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Drenasit

tha
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Prill 23, 2021

Prishtinë – Në rigjykimin që po zhvillohet ndaj ish-zyrtarit të Administratës së Kuvendit Komunal në Drenas, Xhemë Binaku, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, këtë të premte në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar Pajazit Hamza.

Binaku po akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008 -2012, kishte kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, i cili ndodhej në Qendrën Tregtare në Drenas dhe këto të holla nuk i kishte evidentuar dhe paguar Komunës së Drenasit.

Dëshmitari Hamza deklaroi se lokali F8, që kishte qenë shfrytëzim nga tani i dëmtuari Bardhyl Geci, ishte mbyllur nga inspektorati komunal, pasi nuk ishte i pajisur me leje pune.

“Është e vërtetë se Xhema është interesu pse i është mbyll ky lokal Bardhylit, unë i’a kam sqaru se në procedurë të mbylljes së këtij lokali nuk jam, është një koleg i imi, tani i ndjerë, dhe nuk kemi bisedu asgjë më shumë. Unë ja sqarova se arsyeja e mbylljes është se lokali F8 nuk ka leje pune. Absolut tjetër sen s’kemi bisedu me to”, tha dëshmitari Hamza.

Dëshmitari Hamza ka sqaruar se raportet ndërmjet tani të akuzuarit Binaku dhe të dëmtuarit Geci kanë qenë të mira, ndërsa problemet sipas tij kanë lindur pas mbylljes së dy lokaleve nga inspektorati.

Hamza ka mohuar se ishte në dijeni nëse tani i akuzuari Binaku ishte interesuar që ta paguante qiranë e lokalit F8.

Ai tha se nuk i kujtohej saktë data e hapjes së këtij lokali si dhe mohoi se kishte qenë prezent kur një gjë e tillë kishte ndodhur.

Më pas, ai pranoi se përmes telefonit kishte biseduar me të akuzuarin Binaku, por tha se nuk i kujtohet nëse Binaku kishte kërkuar hapjen e lokalit nga ai.

Në fund, Hamza pranoi se e njeh mirë tani të akuzuarin Binaku, pasi ky i fundit ndër të tjera kishte qenë edhe profesor i tij.

Ndërsa, i dëmtuari-dëshmitari Bardhyl Geci, nuk ka bërë pyetje në adresë të dëshmitarit, por deklaroi se kërkonte vetëm drejtësi, duke kërkuar që ata të flasin vetëm të vërtetën

“Kisha kërku si prej dëshmitarëve si prej anës së të paditurit, nuk du as me ma majt anën mu as Xhemës, por me thon të vërtetën, po du veç drejtësi. Nëse juve ju jepet mundësi me i dëgju telefonat, nëse nuk gjendet që kam bisedu me Xhemën, që kam fol me to për këtë punë, “Nuk mi prune paret, që ka pas Hyrija mi qit në emër të komunës” sot ja nënshkruj vetes 10 vjet burg”, deklaroi i dëshmitari Bardhyl Geci.

Pas përfundimit të dëshmisë nga dëshmitari Hamza, gjykatësja e rastit Suzana Çerkini ka marr vendim që për seancën të ftohen si dëshmitarë Rizman Shaqiri dhe Naim Bazaj.

Seanca e radhës do të mbahet më 26 maj nga ora 09.30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 gusht 2019 kishte liruar nga akuza, Xhemë Binakun me arsyetimin se nuk ishte provuar se i akuzuari  ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

Seanca e radhës është caktuar më 8 prill 2021, në ora 9:30.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2014, i akuzuari Xhemë Binaku akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Xhemë Binaku, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar në Administratën e Kuvendit Komunal në Drenas, prej vitit 2008 e deri në vitin 2012, ka kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, në Qendrën Tregtare në Drenas.

Prokuroria pretendon se i akuzuari, për çdo muaj kishte marrë nga i dëmtuari shumën prej 300 eurove, ku gjithsej shuma ka arritur në 10.000 euro dhe se këto pagesa nga i dëmtuari Geci, i akuzuari Binaku nuk i kishte evidentuar dhe paguar komunës.

Me këto, veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autorizimit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi