Dëgjohet i dëmtuari dhe inspektorja e ndërtimit në gjykimin për punime ndërtimore të kundërligjshme

IMG_8131
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Shkurt 22, 2021

Prishtinë – Të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku Blerim Troni po akuzohet për punime ndërtimore të kundërligjshme, në cilësinë e dëshmitarit  janë dëgjuar, i dëmtuari Izet Sylejmani dhe inspektorja e ndërtimit, Valbona Ferati.

Troni po akuzohet se si person përgjegjës i objektit banesor  “Jehona”, në Fushë Kosovë, me rastin e mbikëqyrjes dhe kryerjes së punimeve ndërtimore, nuk kishte marrë masat për sigurimin e jetës dhe pasurisë së njerëzve, dhe si pasojë e kësaj, më 9 gusht 2017, i dëmtuari Izet Sylejmani duke lëvizur në një pjesë të parkingut të këtij objekti  ishte rrëzuar aksidentalisht me ç’rast kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Fillimisht në gjykatë, ka dhënë dëshminë e tij, i dëmtuari Izet Berisha, i cili ka thënë se jeton qe 15 vite  në kompleksin banesor që është thuajse i bashkangjitur me objektit kritik.

“Unë jetoj në kompleksin “Dardania” në Fushë Kosovës, ka gati 15 vite. Objekti i ndërtuar me ndërtim të vrazhdë që është thuajse i bashkangjitur me objektin ku jetoj, ka fillu mu ndërtu mbas 2-3 vjete prej qe unë banoj në objektin “Dardania”, tha ai.

I dëmtuari Sylejmani, ka dhënë versionin e tij lidhur me ngjarjen që kishte ndodhur në ditën kritike.

Sipas tij, më 9 gusht 2017, rreth orës 10 të mbrëmjes ai pasi kishte dalë t’i përcillte mysafirët, meqenëse nuk kishte pasur ku të mbahej ai ishte rrëzuar tek hyrja e parkingut të objektit “Jehona”.

“Po ka qenë mramje, mbas orës 10,  ka qenë verë. Unë pasi që përcolla vajzën time me dhëndër.  Jam kthyer tek shtegu që kufizohet me objektin “Dardania” . Po, jom rrzu tek hyrja e garazhës. Më ka ndëgju çika me dhëndrin dhe janë kthyer kur më kanë pa të rrëzuar në shpinë, dhe më kanë ofruar ndihmë. Aty ku jom rrëzua u kon terr, veç dritat e banesave çka i kanë ra. Unë kom pa me hec, kur kom këqyr mu majt dikund, nuk kom pas ku mu majt edhe jom rrëzua”, tha ai.

Në pyetjen e prokurorit Menduhi Kastrati, nëse hyrja e parkingut të objektit “Jehona” kishte pasur rrethoja, dëshmitari, ka thënë se nuk kishte pasur dhe se sipas tij edhe më herët ishin lënduar dy fëmijë dhe një polic.

Tutje, dëshmitari ka thënë se banesa e tij ka hyrje tjetër, por që në natën kritike ai kishte kaluar nga ana e objektit “Jehona”, pasi që mysafirët e kishin pasur veturën prapa objektit ku ai banon.

Kur është pyetur nga mbrojtësi të akuzuarit, avokatit Sadri Kryeziu, nëse ka pasur rrugë aty ku i dëmtuari kishte kaluar në natën kritike, ky i fundit ka thënë se po, duke shtuar se nga ajo rrugë ka kaluar ndonjëherë jo shpesh.

Dëshmitari Sylejmani ka thënë se pasi që ishte rrëzuar, në vendin e ngjarjes kishin ardhur ndihma e shpejtë si dhe Policia e Kosovës.

Në gjykatë, është dëgjuar edhe inspektorja e ndërtimit në Komunën e Fushë Kosovës, Valbona Ferati e cila tha se është inspektore nga viti 2012 dhe se ajo ishte në njohuri se kompania “Jehona”, ishte pajisur me leje ndërtimi nga Drejtoria e Planifikimit Urban.

Lidhur me rastin kritik, ajo tha se së bashku me inspektoren Doruntina Dumani, ishin njoftuar nga hetuesi policor më 18 shtator 2017, me ç’rast pastaj  të njëjtat kishin dal në vend ngjarje.

“Rasti ka ndodh me 9 gusht 2017. Po, kemi dal. Shkresa nga hetuesi na ka ardh me vonesë me 18 shtator 2017 dhe ne në vend ngjarje ne kemi dal me 20 apo 21 shtator 2017”, tha ajo.

Prokurori Kastrati, dëshmitares i ka ofruar një foto të vendit të ngjarjes, e cila pastaj ka identifikuar dy objektet banesore, atë ku banon i dëmtuari dhe objektin kritik.

“Po, objekti nën ndërtim e sipër, ndërtim i vrazhdë është i “Jehonës”, ndërsa objekti i përfunduar është “Dardania”, tha ajo.

Inspektorja Ferati ka thënë se kur kishin dal në vendin e ngjarjes, nuk kishin hasur në shenja paralajmëruese që ndalonin hyrjen në objektin “Jehona”, i cili ishte në ndërtim e sipër.

Prokurori tutje ka pyetur inspektoren se a do të duhej të ishte ndonjë shenjë sinjalizuese që do të paralajmëronte rrezikun nga punimet dhe ndalimi i qasjes në këtë hapësirë, dhe a do të duhej tek hyrja e objektit të kishte ndonjë rrethojë fizike që do të pamundësonte qasjen tek objekti me ndërtim të vrazhdë, që inspektorja është përgjigjur se sipas ligjeve dhe rregulloreve të komunës objekti do të duhet të ishte i rrethuar dhe të kishte shenja sinjalizuese.

“Ky objekt ka fillu në vitin 2014, dhe se ka kalu një kohë që punimet e vrazhda kanë mbetur të papërfunduara në gjendjen si në foto. Fillimin e punimeve nuk e di si ka qenë, por për momentin që e kemi bo inspektimin, aty nuk ka pas rrethoja dhe shenja. Shenjat paralajmëruese dhe masat e ndërmarra duhen me qenë deri në finalizim, në përfundim”, tha ajo.

Në pyetjen e avokatit Kryeziu, nëse inspektorja ishte në dijeni që në objektin “Jehona”, ishte lënduar më parë edhe dikush tjetër, inspektoja ka thënë se nuk kishte njohuri për këtë gjë.

Ajo tutje ka thënë se kur kishin dalë për inspektim në vendin e ngjarjes, ndërtimi i vrazhdë i objektit “Jehona” ka qenë i përfunduar, dhe se sipas saj, punimet ndërtimore në këtë ndërtesë nuk kanë qenë duke u zhvilluar për një periudhë 2-3 vjeçare.

Avokati Kryeziu, gjithashtu ka pyetur inspektoren Ferati, se hyrja e podrumit a është në parcelë private apo në rrugë publike, për të cilën inspektorja ka thënë se është në parcelën e kompanisë “Jehona”.

Në këtë seancë, gjykatësja Krasniqi e ka konstatuar mungesën e dëshmitares, inspektores Doruntina Dumani, për të cilën, inspektorja Ferati ka deklaruar se e njëjta është në regjim shtrati.

Andaj në seancën e sotme gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorisë që të lexohet deklarata e dëshmitares, inspektores Dumani të dhënë në prokurori më 12 nëntor 2018.

Seanca e radhës është caktuar më 15 prill duke filluar nga ora 9:30.

Paraprakisht, palët në procedurë kanë dhënë edhe fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori Kastrati në fjalën e tij hyrëse ka mbetur pranë aktakuzës së ngritur ndaj të akuzuarit Troni, dhe se sipas tij gjatë shqyrtimit gjyqësor përmes dëshmive të dëmtuarit dhe dëshmitarëve, si dhe provave do të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Fjalën hyrëse të prokurorit Kastrati e ka mbështetur i dëmtuari Sylejmani.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Kryeziu ka deklaruar se pas nxjerrjes së provave gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk ka përgjegjësi penale për të cilën akuzohet.

Ai gjithashtu, gjykatës i ka dorëzuar lejën e ndërtimit dhe kopjen e planit ku është ndërtuar objekti për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 8 korrik 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj Blerim Tronit të cilin e akuzon se si person përgjegjës i objektit banesor  “Jehona” në Fushë Kosovë, me rastin e mbikëqyrjes dhe kryerjes së punimeve ndërtimore, objektit ndërtimor, nga pakujdesia në shkelje të ligjit dhe në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara, nuk ka ndërmarrë masa për sigurimin e jetës dhe pasurinë e njerëzve , duke i vënë në rrezik jetën njerëzve.

Siç thuhet në aktakuzë, më 9 gusht 2017, i dëmtuari Izet Sylejmani duke lëvizur në një pjesë të parkingut të objektit banesor të lartcekur si pasojë e mos marrjes së masave të sigurisë nga i pandehuri, është rrëzuar aksidentalisht dhe ka pësuar plagë të cilat bëjnë pjesë tek lëndimet e rënda trupore.

Me këto veprime prokuroria  e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “punimet ndërtimore të kundërligjshme”, nga neni 368 par.3 lidhur me par.2 dhe par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi