Dëgjohet ekspertja në rastin ku paditësi po kërkon t’i njihet e drejta për pension

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Mars 30, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi, M. R. në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative,  po kërkon nga Qeveria e Kosovës, respektivisht, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që t’ia njoh pensionin për persona me aftësi të kufizuar.

Përmes padisë të ushtruar me 4 korrik 2017 paditësi ka iniciuar konfliktin administrativ kundër Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ekspertja Argjira Juniku, gjatë kësaj seance deklaroi se mbetet në tërësi pranë ekspertizës së përpiluar nga grupi i ekspertëve Visar Zekaj dhe Faton Kutllovci më 09 shkurt 2021.

Pas deklarimit të ekspertes gjykata bëri administrimin e provave.

Për këtë seancë nuk kanë qenë prezent pala paditëse dhe pala e paditur për të cilët gjykata kishte prova që i kishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 4 korrik 2017, paditësi M.R, po kërkon t’i njihet e drejta në pensionin e personave me aftësi të kufizuara duke konsideruar se vendimi i atakuar me këtë padi në konflikt administrativ nuk është i bazuar në ligj, gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë pasi që nuk janë marrë për bazë provat e prezantuara mbi gjendjen shëndetësore të paditësit.

Me anë të kësaj padie, M.R kërkon që gjykata t’a aprovoi kërkesën e tij, pasi që është në gjendje të keqe shëndetësore, lëngon nga sëmundje kronike, nuk është i aftë për punë dhe se gjendja e tij çdo herë është duke u keqësuar më tepër.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), më 9 mars 2017, paditësit i kishte refuzuar ankesën ndaj vendimit me të cilit M.R i ishte mohuar e drejta në pensionin e personave me aftësi të kufizuar, pasi që siç thuhej, ai nuk kishte prezantuar dëshmi të mjaftueshme për të qenë shfrytëzues i pensionit.

Andaj mbi bazën e këtyre, paditësi ka kërkuar që të prishet vendimi i 9 marsit 2017 i të paditurës dhe çështja të kthehet në rivendosje ose të modifikojë aktvendimin e atakuar duke e detyruar të paditurën që paditësit të ia njoh të drejtën në pension të personave me aftësi të kufizuara. /BetimipërDrejtësi