Dëgjohet eksperti i ortopedisë në rastin ku paditësja po kërkon nga “Eurosig”, kompensim dëmi në vlerë afro 25 mijë euro

Raporton:Genta PAJAZITI

Viti – Në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Viti  të premten  u dëgjua eksperti i ortopedisë Ermir Shabani në rastin ku paditësja Azemine Ajeti po kërkon nga e paditura Kompania e Sigurimeve “Eurosig”  kompensimin e dëmit në vlerë prej 25 mijë euro.

Në pyetjen e përfaqësuesit me autorizim të paditësit, avokatit Ekrem Pira, eksperti Shabani u përgjigj për plotësimin e ekspertizës, ku paditësja ka përjetuar dhimbje të intenzitetit posaçërisht të rëndë një ditë dhe atë nga momenti i ndodhjes së aksidentit e deri në procedurë diagnostike në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, ndërsa dhimbja e rëndë e ka shoqëruar për tre ditë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje ai duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Pira, deklaroi se pas egzaminimit klinik dhe radiologjik të krahut të paditëses nuk kemi shenja të thyerjes së ashtit, apo pseudoartorz, në këtë rast kemi të bëjmë me dëmtimin e nervit të krahut të majtë.

Kurse përfaqësuesi i të paditurës KS “Eurosig”, Fatlum Shala, deklaroi se nuk kanë vërejtje e as pyetje për ekspertin.

Palët ndërgjyqës deklaruan se janë të gatshëm që këtë çështje ta mbyllin me pajtim gjyqësorë, ku avokati Pira pas deklarimit të ekspertit  kërkoi 25 mijë euro kompensim, ndërsa përfaqësuesi i të paditurës i ofroi 15 mijë euro, për të cilën pas precizimit me shkrim të kërkesëpadisë do të diskutojnë edhe  njëherë dhe lidhur më këtë do ta njoftojnë gjykatën.

Pas kësaj, gjykatësi i çështjes Raif Fazliu konstatoi se seanca e radhës do të mbahet më 27 janar  2022.

Ndryshe, sipas padisë së ushtuar më 13 korrik 2018 paditësja Azemine Ajeti po kërkon nga e paditura kompania e sigurimeve “Eurosig”, kompensimin e dëmit material dhe jomaterial.

Në padi thuhet se paditësja Ajeti  më datën 14 gusht 2015 dhe 30 dhjetor 2015, në rrugën publike në fshatin Vërbovc, i është shkaktuar aksident trafiku, në të cilin aksident ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Tutje në padi thuhet se gjerë të aksidenti ka ardhur ku paditësja Ajeti në atë kohë ishte duke udhëtuar me automjetin  “Shkoda Octavia”, në cilësinë e pasagjeres, të cilin drejtonte Nazim Abazi, ku automjeti BMW, të cilin e drejtonte Fatmir Shabani i cili merr veprim në mënyrë të pasigurt me ç‘rast e godet automjetin “A”, ku është shkaktuar aksident trafiku me dëme materiale dhe lëndime trupore ku si pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda i pëson paditësja Ajeti.

Prandaj me anë te kësaj padie, paditësja Ajeti po kërkon nga gjykata që kërkesëpadia të aprovohet si e bazuar dhe që të detyrohet e paditura kompania e sigurimeve “Eurosig”, që në emër të dëmit material dhe jo material t’ia kompensojmë në vlerë e cila do të precizohet pas ekspertizës mjekësore, dhe atë kamatë ligjore prej 8 %./BetimipërDrejtësi

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë