Dëgjohet eksperti financiar në rigjykimin ndaj ish-zyrtarëve të BSPK-së

20190916_115930
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shtator 16, 2019

Prishtinë – Eksperti financiar, Riza Blakaj ka deklaruar se në rastin e ish-zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në shkresat e lëndës do të duhej të ekzistonte dokumenti për pranim-dorëzim të mjeteve financiare.

Eksperti Blakaj, është dëgjuar në seancën e rigjykimit, që është mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-zyrtarët e BSPK-së, Bahri Shabani, Sami Rrahmani dhe Rrahman Emini, akuzohen për përvetësim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se në rastet kur pala kreditore nuk e ka kontestuar mospranimin e mjeteve, atëherë sipas tij, konsiderohet se mjetet i ka pranuar edhe pa dokument formal.

“Në këtë kontest po theksoj se sa më kujtohet deklarata e përfaqësuesit të “Agro Llapit”, Valdet Gashi, ai ka pohuar se ka pranuar shumën e theksuar”, ka thënë eksperti Blakaj.

Ai ka deklaruar se në ekspertizën e parë të datës 21 dhjetor 2015, sa i përket shumës të ë hollave 11,500 euro është mbështetur në bazë të dokumentacionit të prezantuar nga të akuzuarit, që sipas tij, do të thotë se mbi atë bazë është konstatuar edhe gjendja.

Ndërkaq, në ekspertizën e dytë të përpiluar në vitin 2019, ai deklaroi se mbështetje ka qenë dokumentacioni zyrtar i bashkëngjitur brenda saj, i cili është më i detajuar dhe i përbërë nga dokumentet shtesë kundër atyre që i ka pasur në dispozicion në përpilimin e ekspertizës së parë.

“Me rastin e përpilimit të këtyre dy ekspertizave, a keni mund të konstatoni në bazë të materialit që keni pas para vetes se nga MPMS-ja, në evidencën e tyre është regjistruar ndonjë kthim i huasë nga BSPK-ja?”, ka pyetur kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Ndërkaq, eksperti Blakaj është përgjigjur duke thënë se lidhur me këtë pyetje, kjo pjesë gjendet nga faqja 6- deri në faqen 10 në ekspertizën e përpiluar në vitin 2019.

“Mbrojtja para fillimisht të dëshmisë suaj u thirr në ndryshimet e këtyre konstatimeve, sipas mendimit tuaj si autor i dy ekspertizave, a ka ndryshime në konstatimin dhe mendimin e juaj lidhur me pikën 11,500 ?”, ka pyetur gjykatësi Kalludra.

“Mendoj se përveç renditjes së fjalive dhe përmbajtjes në formë të të shkurtuar apo më të zgjeruar nuk ka ndonjë ndryshim të mendimit përfundimtar të ekspertit në kontest të transaksionit financiar 11,500 euro”, ka thënë eksperti Blakaj.

Gjykatësi Beqir Kalludra ka pyetur lidhur me dy transaksionet e tjera të parave në kesh dhe atë shumat prej 7,060.20 euro dhe shumën 5,536.60 euro, ai ka kërkuar të informohet se si janë realizuar këto transaksione.

“Lidhur me këtë sqarimi në detaje është i paraqitur në faqen 10 deri në faqen 12 të ekspertizës të datës 28 shkurt 2019”, ka deklaruar eksperti Blakaj.

Gjykatësi Kalludra ka kërkuar nga eksperti Blakaj që të sqarojë rrethanën e realizimit të huazimit se si ka rrjedh ky huazim i shumës 7,060.20 euro.

“Në pika të përgjithshme për të mos u lëshuar  elaborim detaj  meqë është i theksuar në faqet që i përmenda, unë shkurtimisht konsideroj shuma prej 7,060.20 është huazuar  nga subjekti “Agro Llapi”. Ndërkohë kthimi i tyre është bërë në dy këste dhe atë me 19 janar 2006 shuma prej 5,536. 60 euro si dhe me datë 21 shkurt 2006, shuma 1,523,60 euro, të dy bëjnë 7,060.20 euro”, ka deklaruar eksperti.

Sipas tij, shuma prej 5,536. 60 euro është tërhequr në para të gatshme nga llogaria bankare e BSPK-së.

“Ndërsa, sipas urdhrit të arkës të njëjtës datë, shuma e theksuar e lejuar nga kryetari i BSPK-së , nga ana e Rrahman Eminit në cilësi të arkëtarit i janë dhënë vozitësit të BSPK për t’ia kthyer  huadhënësit”, ka deklaruar ai.

Kur është pyetur se a ka mundur të vërtetojë se këtë shumë prej 5,536.60 euro i ka marrë përfaqësuesi i kompanisë “Agro Llapi” dhe se a ka mundur të has një gjë të tillë në shkresa, eksperti Blakaj ka deklaruar se nuk i kujtohet një gjë e tillë.

Më pas, ai është pyetur se si është konstatuar se shuma prej 1,523,60 euro i është kthyer huadhënësit.

“Konstatimi për kthimin e mjeteve është mbështet në urdhëresën e arkës numër 029/6 të datës 21 shkurt 2006. Shuma ju ka dorëzuar Valdet Gashit, përfaqësuesit të kompanisë “Agro Llapi”, ka thënë ai.

Ndërkaq, gjykatësi Kalludra e ka pyetur se a e ka lexuar deklaratën e Valdet Gashit të datës 9 shtator 2008, ku i njëjti ndër të tjera ka deklaruar se “Nuk më kujtohet se kam pranuar ato mjete dhe nuk kam nënshkruar pranimin e mjeteve sepse një dokument i tillë nuk është ofruar”.

“Nuk më kujtohet. por po shoh se e kam konstatuar se pranimin e parave e ka pranuar Valdet Gashi me nënshkrim, në këtë rast deklarata është irrelevante sepse jam bazuar në dokument zyrtar”, ka deklaruar eksperti.

“Thatë se nuk jeni të autorizuar me konstatu autencitetin e nënshkrimit dhe këtë theksuat në pranimin e mjeteve te Valdet Gashi, a keni has ndonjë provë materiale që ka ndonjë nënshkrim për pranimin e mjeteve prej 5,536. 60 euro?”, ka pyetur gjykatësi Kalludra.

Ndërkaq, eksperti Blakaj është përgjigjur duke thënë se nuk i kujtohet.

“U përgjigjët se e keni lexuar deklaratën e të akuzuarit Sami Rrahmani dhe sipas asaj deklarate atë shumë të mjeteve prej 5,536. 60 euro ia ka dorëzuar arkëtari Rrahman Emini dhe tani i akuzuari Sami Rrahmani nuk e di se ku i ka dorëzuar ato pare, nëse është kështu, si mund të konstatohet shlyerja e borxhit kur nuk ka asnjë provë materiale dhe ka deklarim të palëve se kush është pranuesi i fundit i atyre të hollave?” ka pyetur gjykatësi Kalludra.

Eksperti Blakaj, deklaroi se në faqen 11 ka theksuar shuma e huazuar është regjistruar edhe në kartelën kontabël numër 4210 “Agro Llapi”, kur është hap obligimi ndaj huadhënësit .

“Ndërkohë, që nga e njëjta kartelë  sipas urdhëresës së arkës numër 003/06, datë 19 janar 2006 është shlyer detyrimi ndaj huadhënësit”, ka thënë eksperti Blakaj.

“Për tu shlyer një detyrim a duhet të ekzistoj një dëshmi edhe nga pala tjetër kontraktues?”, ka pyetur kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Ndërkaq, eksperti Blakaj ka thënë se sqarimin lidhur me këtë e ka dhënë më herët kur e ka theksuar mbështetjen në dokumente apo në prova tjera.

Në fund, ai ka thënë se nuk ka ndryshime përmbajtësore në ekspertizën e dytë.

Paraprakisht, para dhënies së dëshmisë nga eksperti Blakaj, avokati mbrojtës i Bahri Shabanit, Basri Jupolli ka deklaruar se në dy ekspertizat financiare të bëra nga eksperti Blakaj rezulton të ketë disonanca të caktuara në përmbajtjen e tyre.

“Mbrojtja e Bahri Shabanit konsideron dhe i propozon trupit gjykues që meqenëse versioni i parë i ekspertizës financiare është punuar qysh në vitin 2015 dhe ka dhënë përgjigje të sakta dhe të plota rreth çështjeve me interes për gjykim dhe në këtë kuptim duke i marr parasysh edhe ekspertizën grafologjike, me të cilën është vërtetuar në baza profesionale dhe shkencore se kontrata e huazimit e lidhur ndërmjet BSPK-së dhe MPM-së e datës 11 nëntor 2005  është e nënshkruar nga personat nënshkrues të saj”, deklaroi ai.

Sipas tij, mbrojtja konsideron se me korrigjimin e kësaj situate në raport me të akuzuarin del se mund të ketë qenë pikërisht faktori kryesor për ngritjen e aktakuzës, pikërisht gabimi fillestar i organit të akuzës që lidhej me këmbëngulësinë e këtij autoriteti se kontrata e huazimit kishte qenë inekzistente.

“Eksperti në ekspertizën e vitit 2015 ka dhënë shpjegim të mjaftueshëm në raport me kthimin e huazimit, i cili atë botë përmes “ProCredit Bank” ishte regjistruar nga MPMS – së si subvencion ndërsa te BSPK si kthim i huazimit. Duke marr parasysh se përmes dëgjimit të ish-kryetarit të BSPSK në cilësi të dëshmitarit, Haxhi arifi, por edhe të dëshmitarëve tjerë ka rezultuar që BSPK e ka mbyll kartelën financiare me MPMS dhe nuk ka asnjë kërkesë ndaj të akjuzuarve”, vazhdoi duke thënë ai.

Ai ka thënë se pikërisht, për këto arsye i propozon trupit gjykues që ta marr në konsideratë ekspertizën financiare të Riza Blakaj në versionin e parë.

“Ashtu që mos të jenë të detyruar të parashtrojmë pyetje rreth disa konsiderimeve disonante që eksperti i ka dhënë në ekspertizën e dytë përkatësisht në plotësimin e ekspertizës së parë.”, ka thënë ai.

Duke u nisur nga kjo, ai nuk ka parashtruar pyetje ndaj ekspertit dhe ka thënë se mbeten pranë versionit të parë, ndërkaq pyetje nuk ka pasur as avokati Ali Beka që mbron të akuzuarin Sami Rrahmani.

Avokati Ali Latifi, mbrojtës i Rrahman Eminit, ka pyetur ekspertin se a ka gjetur ndonjë lëshim në aspektin procedural, ashtu si e parasheh ligji për vendin e punës arkëtar.

“Në rastin e shiqimit dhe ekzaminimit të të dhënave financiare për punimin e ekspertizës sa i përket arkëtarit dhe evidencave që ai i ka mbajt nuk kam konstatuar ndonjë parregullsi në kuptim të evidencës së arkës”, ka thënë eksperti Blakaj.

Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka pyetur se çka nënkupton “në kuptim të evidencës së arkës” .

“Nënkupton evidentimin e hyrjeve financiare në arkë në të gatshme si dhe daljeve”, ka thënë eksperti Blakaj.

Kurse, prokurori Rafet Halimi, ka deklaruar se nuk ka pyetje për të parashtruar.

“Që në fillim e kam kundërshtuar propozimin për këtë ekspertizë për shkak se ekspertiza është bërë mbi dokumente të papërshtatshme dhe jo valide”, ka thënë ai.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 18 tetor, nga ora 9:00.

Gjykata e Apelit, dy herë këtë rast e kishte kthyer në rigjykim më 3 prill të vitit 2018.

Kjo gjykatë kishte vlerësuar që në rigjykim duhet të evitohen shkeljet, të administrohen të gjitha provat e të bëhej angazhimi i ekspertit financiar dhe grafologjik ose të merret për bazë ekspertiza financiare ekzistuese.

E sipas shkallës së dytë nëse paraqiten kundërthënie në mes ekspertizës financiare dhe asaj ekzistuese, atëherë drejtpërdrejtë duhet të bëhet dëgjimi i dy ekspertëve në shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, më 17 shtator të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte shpallur për herë të dytë fajtorë të akuzuarit.

Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që brenda 15 ditësh t’ia kompensojë BSPK-së, shumën në vlerë prej 11.500 euro.

Kurse, Sami Rrahmani ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, si dhe ishte  obliguar që BSPK-së, t’ia kompensojë dëmin prej 7060.20 euro.

Ndërsa, Rrahman Emini, ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që BSPK-së t’ia kompensojë shumën në vlerë prej 5536.60 euro.

Në aktgjykimin e shpallur, gjyqtari Beqir Kalludra, dënimi me burgim ndaj tre të akuzuarve nuk do të ekzekutohej, nëse të njëjtit nuk kryenin ndonjë vepër penale brenda dy vjetësh.

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në nëntorin e vitit 2016, i kishte shpallur fajtorë tre ish-zyrtarët e BSPK-së. Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, Sami Rrahmani me një vit burgim me kusht dhe Rrahman Emini me një vit e gjashtë muaj burgim me kusht. Por, ky dënim me burgim, nuk do të ekzekutohej nëse personat në fjalë, nuk do të kryenin vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh.

Por, pas ankesave të mbrojtjes në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 21 maj të vitit 2014, të pandehurit në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës si persona zyrtarë në selinë e BSPK-së në Prishtinë dhe atë Bahri Shabani, si kryetar i BSPK-së, Rrahman Emini, si përgjegjës për financa dhe Sami Rrahmani.

Në aktakuzë thuhet se në bazë të urdhrit të pandehurit Shabani, i pandehuri Emini me urdhër të arkës nr.112 të datës 11 nëntor 2006 dhe kontratës nr. 308 të datës 11 nëntor 2005 kanë tërhequr nga arka si huazim për MPMS shumën e parave prej 11 mijë e 500 euro, të cilat i ka pranuar i pandehuri Rrahmani. Ndërsa, kontrata në fjalë thuhet se nuk ekziston në MPMS, me çka këto mjete i kanë përvetësuar, duke e mbyllur arkën nr.49 më 28 shtator 2006, në emër të kthimit të huazimit nga MPMS, e që në bazë të llogarisë së BSPK, më 28 dhjetor 2005 në emër të përgatitjes së kongresit të IV të BPSK-së, nga i pandehuri Rrahman Emini është bërë tërheqja e mjeteve nga arka e BSKP në vlerë prej 7.006.02, në emër të kinse në emër të kthimit të huazimit për ndërmarrjen private “Agro Llapi”.

E kjo, sipas aktakuzës, duke referuar një kontratë inekzistente është bërë tërheqja e mjeteve sipas nr të arkës 003/06  i datës 19 janar 2006, në shumë prej 5.553.60 euro në emër të gjoja kthimit të huazimit për këtë ndërmarrjen “Agro Llapi”, të cilat i ka pranuar Sami Rrahmani.

Por, ky huazim thuhet se nuk ekzistonte dhe këto mjete të pandehurit i kanë përvetësuar.

Tutje, thuhet se i pandehuri Shabani më 1 dhjetor 2004 ka marr një kredi në BPB në Prishtinë në emër të BSPK-së në shumë prej 5000 euro dhe ato mjete i ka shpenzuar për nevoja të veta private dhe se të njëjtët kredi e ka kthyer në vitin 2007, kur ka filluar ndërmarrja e veprimeve hetimore në këtë rast, me ç ‘rast thuhet se BSPK-së i kanë shkaktuar dëm material. /BetimipërDrejtësi