Dëgjohet eksperti financiar në rigjykimi ndaj ish-vozitësve të AKP-së, mbrojtja thotë se ekspertiza e tij bazohet në vetëm një procesverbal

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë – Në rigjykimin ndaj të akuzuarve, Avdurrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha ka dhënë dëshminë e tij eksperti financiar, Mentor Prekazi.

Mirëpo nga mbrojtja ka pasur vërejtje për ekspertin, me arsyetimin se i njëjti në ekspertizën e tij të plotësuar, gjatë kalkulimit të dëmit të shkaktuar nga të akuzuarit ka marrë për bazë vetëm një procesverbal të dëshmisë së të akuzuarit Istrefi të dhënë në polici, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për ekspertin financiar ka qenë i rëndësishëm vetëm një procesverbal lidhur me dëshminë e dhënë nga Istref Dragusha në polici, ndërsa i njëjti nuk ka analizuar asnjë dokument tjetër, gjë që bie ndesh me detyrat e tij si ekspert të cilat detyra ne ende nuk i dimë, mirëpo një ekspert financiar mund të merret me kalkulim të shifrave dhe jo me deklarim të palëve”, tha avokati Fis Murati.

Në këtë rast, ish-vozitësit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Abdurrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, akuzohen se si vozitës në AKP kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke prezantuar fatura fiktive se gjoja ishin furnizuar me derivate të naftës nga “HIB Petrol”, nga nënkontraktori i saj “Fer Petrol”.

Kurse, ish-punonjësit të kompanisë “Fer Petrol”, Petrit Gjoka e Nexhat Gjoka, akuzohen se si shitës në kompaninë “Fer Petrol”, ua kishin mundësuar këtyre të akuzuarve lëshimin e këtyre faturave.

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Dragusha, avokatit Fis Murati, eksperti ka thënë se ai në këtë ekspertizë ka pasur për detyrë konstatimin e vlerave të dëmit të mundshëm për secilin nga të akuzuarit.

Derisa ka shtuar se me dokumentacionin shtesë të dorëzuar në seancën e së hënës, është burimi i të dhënave për vlerat e konstatuara në faqen 5 të plotësimit të dytë të ekspertizës bazike financiare.

“Në dokumentin shtesë të dorëzuar sot është qartë i prezantuar kalkulimi dhe përshkrimi i obligimit për të dyshuarit të gjetura në dokumentacionin e dorëzuar për ekspertim, ndërsa vlera prej 884.08 për Istref Dragushën është prezantuar në faqen e parë dhe deri në detaje është përshkruar mënyra e kalkulimit”, tha ai.

Ai tha se për krahasim si tregues ka marrë furnizimet sipas faturave, trip tiketat në litra, diferencën në litra, çmimin mesatar i kalkuluar për litër nga e cila sipas tij fitohen vlerat e konstatuara për të akuzuarit.

“Për vlerën e 884.08 euro e cila është kalkuluar në faqen e parë te Dragusha është fjala për veturën me targa 5z-111-08, eksperti financiar ka gjetur të dhënat në vijim: Furnizimi sipas faturave ka qenë në sasinë prej 507 litrave, në kolonën e dytë është sasia e litrave sipas Trip tiketave dhe atë 249 litra dhe diferenca është 258 litra të konstatuara sipas dokumentacionit në posedim. Nëse këtë vlerë prej 358 litra diferencë e shumëzoni me çmimin mesatar prej 1.228 euro, atëherë do të fitoni vlerën prej 315.48 euro”, tha ai.

Sipas Prekazit, kjo ekspertizë është përgatitur bazuar në dokumentacionin e pranuar për ekspertim dhe se është bërë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.

“Dokumentacioni bazë për ekspertizën plotësuese, për të akuzuarin Istref Dragusha është bazuar në procesverbalin PP.nr.382/2014, datë 30.09.2014 në të cilën është bërë intervistimi i të dyshuarve nga hetuesia dhe në të cilën edhe i akuzuari Dragusha ka dhënë deklaratën e vet. Këtë mund ta lexoni në ekspertizën plotësuese në faqen 4”, tha ai.

I pyetur nga avokati Murati, nëse këtë ekspertizë për të mbrojturin e tij eksperti e kishte bazuar vetëm në procesverbal, ky i fundit e pohoi një gjë të tillë, duke shtuar se nga dokumentacioni i cili i ishte dorëzuar, vetëm procesverbali ka qenë dokument i bazuar.

“Po, është për shkak se në dokumentacionin voluminoz dhe kualitativisht të dobët kam gjetur si dokument të bazuar vetëm procesverbalin sepse dokumentacioni tjetër i cili e ka përmend të akuzuarin Istref Dragusha por edhe të tjerët, nuk e kam marrë parasysh pasi që kanë qenë në mungesë të elementeve krahasuese, përkatësisht pa elementin e krahasimit nuk kam mundur të bëj vlerësim”, tha ai.

Pasi që eksperti ka deklaruar se nuk i kujtohej nëse gjatë kalkulimit të dëmit kishte përdorur trip tiketën për muajin gusht në bazë të së cilës i akuzuari Dragusha nuk kishte bërë mbushje, avokati Murati me leje të gjykatës ia ka ofruar në shikim atë.

“Tani çështja e këtyre dokumenteve individuale, në morinë e dokumentacionit të pranuar për ekspertim, tani nuk mund ta dalloj dhe nuk mund të jap përgjigje për këtë sepse ka mjaft dokumentacion të tillë, të cilin nuk e kam marrë parasysh për shkak të paqartësisë së përshkrimeve të bëra në dokumentet e tilla”, u përgjigj eksperti.

Në pyetjen e avokatit Murati: “Çka mundesh me konstatua në dëshminë e Istref Dragushës “unë vetëm e kam qit një nënshkrim formalisht”, çka mund të konstatoni prej këtij nënshkrimi përderisa po i referoheni”, eksperti u përgjigj se për çdo dokument zyrtar nënshkruesi nuk duhet atë nënshkruar pa verifikuar arsyet.

Derisa, eksperti ka thënë se me vlerat e kalkuluara nga eksperti financiar nuk përcaktohet fajësia apo pafajësia e të akuzuarve, e se sipas tij këto vlera janë të domosdoshme nëse gjykata vlerëson për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarit.

Ndërsa, avokati Murati gjatë tërë kohës ka deklaruar se ai nuk ka kuptuar se si eksperti ka ardhur deri tek shuma prej 884.08 e kalkuluar për të mbrojturin e tij që pretendohet se i ka shkaktuar dëm AKP-së.

Avokati Murati ka kërkuar sqarime nga eksperti se në dëmin e kalkuluar nga ai prej 10,774.68 euro të shkaktuar AKP-së, nga të akuzuarit, përkatësisht 8803 litra, a është llogaritur për secilin veç e veç apo është shumëzuar dëmi i njëjtë për secilin, por që eksperti ka shpjeguar se dëmi është llogaritur për secilin të akuzuar ndaras.

Prokurori Zeqaj ka kërkuar nga eksperti t’i sqaroj gjykatës se në bazë të cilit dokumentacion i njëjti ka hartuar ekspertizën, e që eksperti ka deklaruar se ekspertiza financiare është bazuar nga dokumentacioni i hetuesisë, raportin e auditorit të brendshëm të AKP-së, në dëshminë e dëshmitarit Rrahim Jupolli dhe dokumentet tjera të përshkruara në ekspertizë.

Eksperti ka shtuar se në dokumentacionin e pranuar mbështetës kanë qenë të përshkruara vlerat dhe aktivitetet e bëra të hetuesisë, në të cilat kanë qenë të bashkangjitura faturat dhe dokumentacioni tjetër.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Demolli, avokatit Kushtrim Bytyçi, eksperti tha se nuk kishte përgjigje nëse Demolli dëmin e shkaktuar në vlerë prej 717.87 euro e kishte shkaktuar si shofer apo si anëtar i komisionit për pranimin e mallrave dhe shërbimeve.

Gjithashtu, eksperti ka thënë se nuk ka njohuri për datat e shkaktimit të dëmit nga i akuzuari Demolli.

Lidhur me atë nëse në shkresat e lëndës eksperti kishte gjetur ndonjë faturë fiktive të nënshkruar apo të pranuar nga i akuzuari Demolli, ai tha se eksperti e pranon dokumentacionin e fotokopjuar dhe se për këtë është dashur të hyj në kontabilitet, evidencat kontabël dhe deklarimet tatimore, gjë që siç tha ai nuk ka qenë detyrë e tij.

Avokati Bytyqi ka kërkuar sqarime nga eksperti Prekazi se si në ekspertizën e parë financiare dëmi i shkaktuar nga të akuzuarit Avdyli dhe Gjoka ndaj AKP-së kishte qenë 10,774.68 euro, dhe se më pas kishte deklaruar se nëse llogaritej vlera e dëmit për të gjithë të akuzuarit do të ishte 20,445.22 euro, por që në ekspertizat plotësuese kishte mbetur vlera e përgjithshme e dëmit në vlerë si ajo fillestare. Mirëpo sipas të njëjtit në kuadër të kësaj evidentohet dëm edhe nga i mbrojturi i tij në shumën prej 717.78 euro.

E që eksperti ka deklaruar se në dokumentacionin e gjetur për ekspertim është përmendur vlera prej 20,445.22 euro, mirëpo me analizimin e dokumentacionit, duke u bazuar në shënimet e qarta dhe të besueshme, ai tha se ka vlerësuar se dëmi i mundshëm i shkaktuar nuk është në vlerën prej 20,445,22 euro por është vlera prej 10,774.68 euro.

I pyetur nga avokati Bytyqi nëse eksperti përpos proceverbalit për intervistimin e të mbrojturit të tij në polici ishte bazuar edhe në ndonjë dokument tjetër për vlerësimin nëse i mbrojturi i tij i kishte shkaktuar dëm AKP-së, eksperti u përgjigj se në bazë të vlerësimit të tij dhe bazuar në dokumentacionin janë nxjerrë kalkulimet në total prej 717.78 euro.

“Pikërisht në dokumentin që e cekët ju- procesverbalin, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti Prekzai ka shtuar se gjatë vlerësimit të dëmit kishte shqyrtuar edhe raportin e brendshëm të AKP-së dhe deklaratën e dëshmitarit Rrahim Jupolli të dhënë në gjykatë, por që siç tha ai nuk kishte pasur të dhëna për një kalkulim të dëmit eventual.

“Po e kam pasur në shqyrtim por detyra e ekspertit financiar është që të kalkulojë për të gjeturat eventuale nga ana e shënimeve relevante”, shtoi ai.

Ndërsa në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Gashi, avokatit Naser Sopjani, nëse eksperti për vlerësimin e litrave të kalkuluara si dëm i mundshëm ndaj AKP-së ishte bazuar në ndonjë provë materiale fizike, eksperti tha se sipas të njëjtit provë fizike janë të gjeturat në lëndën e gjykatës.

“Nuk është përgjegjësi e ekspertit financiar të vë në dyshim vlerësimet e një institucioni përkatës. Eksperti ka për detyrë me nxjerrë vlerat me të cilqt ka pretendu dhe pretendon prokuroria respektivisht të dhënat e procesverbalit”, tha ai.

Pas parashtrimit të pyetjeve drejt ekspertit, avokatët Murati dhe Bytyqi kanë paraqitur vërejtjet e tyre.

Të njëjtit kanë thënë se ekspertiza e ekspertit ishte bazuar vetëm në procesverbalin e marrjes në pyetje të akuzuarit Gashi në polici dhe se sipas tyre, eksperti në ekspertizat e tij dhe gjatë kësaj seance nuk ka arritur të shpjegojë mënyrën dhe kohën e shkaktimit të dëmit eventual.

“Gjatë kësaj seance u pa shumë qartë që eksperti financiar me asnjë provë të vetme nuk arriti të na argumentojë se si i njëjti ka ardhur deri tek shuma 884.08 euro, kinse si dëm që i mbrojturi im ia ka shkaktuar AKP-së. Përderisa për ekspertin është e paqartë se si ka ardhur deri tek ky shkaktim i dëmit atëherë është e papranueshme të nxirren shuma të tilla mbi bazën e supozimeve”, tha avokati Murati.

Poashtu, avokati Murati ka theksuar se eksperti nuk ka qenë në njohuri se cilat kanë qenë detyrat e komisionit për pranimin e mallit, si dhe gjatë cilës periudhë i mbrojturi i tij ka qenë pjesë e atij komisioni dhe se çfarë pozite ka pasur i njëjti në AKP.

Ndërsa, avokati Bytyqi ka thënë eksperti me ekspertizën e bërë ka përjashtuar dokumentet relevante siç janë raporti i auditimit të AKP-së dhe deklarata e dëshmitarit Jupolli.

“Koha e shkaktimit të dëmit eventual nga i mbrojturi im është relevante për faktin se i njëjti më 28.08.2013 është emëruar në një pozitë tjetër të punës dhe nga ajo datë e tutje, nuk ka punuar më në AKP as si shofer dhe as si anëtarë komisioni”, tha ai.

Vërejtje kanë paraqitur edhe të mbrojturit e tyre, të akuzuarit Dragusha dhe Demolli.

Meqenëse kishte kaluar fundi i orarit, gjykatësi Foniqi e ka ndërprerë seancën dhe atë të radhës e ka caktuar për 26 janar në orën 9:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 prill 2017, të akuzuarit Abdurrahim Avdyli, Petrit dhe Nexhat Gjoka, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “keqpërdorim i besimit”, dhe secilit veç e veç, u kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

Ndërsa, të akuzuarit Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza.

Por, më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 28 korrik 2017, pas ankesave të të akuzuarve, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte i paqëndrueshëm, i pakuptueshëm dhe i mangët dhe se nuk ishte kryer ekspertiza financiare, nga e cila do të konstatohej dëmi i shkaktuar AKP-së.

Në gjykimin e kaluar, prokurori Ilaz Beqiri kishte rikualifikuar veprën penale nga keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, në keqpërdorim të besimit, mirëpo në këtë rigjykim për shkak të anulimit të aktgjykimit nga ana e Apelit, tashmë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Nebih Murtezi, Mexhid Morina dhe Skender Gajtani, për të cilët prokurori në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj tyre, pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor sipas tij, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale.

Sipas akuzës së përpiluar më 8 prill 2015, nga data e pacaktuar deri në përfundim të vitit 2013, Amir Demolli, në cilësinë e ushtruesit të detyrës të mbikëqyrësit të transportit dhe vozitës, Abdurrahim Avdyli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, vozitës në AKP dhe anëtarë të komisionit për verifikimin e faturave për furnizimin me derivate të automjeteve zyrtare të AKP-së, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Këtë, sipas aktit akuzues e ka bërë në atë mënyrë që duke siguruar e më pastaj duke prezantuar fatura fiktive se gjoja është furnizuar me derivate të naftës nga kompania e derivateve të naftës “Hib Petrol” dhe nënkontraktori i saj “Fer Petrol”, veturat zyrtare të AKP-së, komisionit, anëtar të të cilit kanë qenë të pandehurit në mënyrë rotative, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së rreth 7 mijë d 659 euro.

Tutje, thuhet se i pandehuri Abdurrahim Avdyli, në periudhën kohore janar-mars 2014, në zyrat e AKP-së në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, si vozitës në AKP, zyra qendrore në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në mënyrë të kundërligjshme ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që më parë është furnizuar e pastaj në mënyrë të rrejshme ka prezantuar faturat e komisionit, me të cilat gjoja se ka furnizuar me derivate të naftës automjete zyrtare, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e AKP-së rreth 2 mijë e 800 euro.

Në këtë aktakuzë thuhet se nga data e pacaktuar deri në mars 2014, në pikat e shitjes të “Hib Petrol” dhe nënkontraktorit të saj “Fer Petrol”, të pandehurit Petrit Gjoka, në cilësi të menaxherit, ndërsa Nebih Murtezi, Nexhat Gjoka, Mexhid Morina, në cilësinë e shitësve në pikat e “Fer Petrol”, në Komoran dhe Drenas dhe Skender Gajtani, shitës në “Hib Petrol”, me qëllim që tjetrit t’i mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke iu lëshuar fatura fiktive të pandehurve, Rrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së në shumë prej 10 mijë e 459 euro. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë