Dëgjohet dëshmitarja në gjykimin për vrasjen në “Bon Vivant”, përsëri mungon deputeti Uran Ismaili i ftuar si dëshmitar

image0 (21)
Author

Raporton: Justina FRROKAJ

Tetor 16, 2020

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi me dëgjimin e dëshmitares në rastin ku Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi po akuzohen për vrasjen e rojës në lokalin “Bon Vivant”.

Në shqyrtimin e sotëm ka qenë i ftuar të dëshmojë edhe njëri nga pronarët e lokalit “Bon Vivant”, njëkohësisht deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, i cili ka munguar edhe në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini ka njoftuar se deputeti Ismaili me anë të një parashtrese ka lajmëruar gjykatën se i njëjti është në vetizolim për shkak se ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Gjykimi ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitares Dea Kukaj, fillimisht nga mbrojtësi i të akuzuarit Gërdovci, avokati Naim Rudari.

Dëshmitarja Kukaj ka deklaruar se ditën kritike kishte qenë në lokalin “Bon Vivant” me shoqen e saj Egzona Berisha, për të cilën ka thënë se nuk i kujtohen detajet se si ka qenë e ulur, por lidhur me pozitën e saj, Kukaj ka theksuar se ajo kishte qenë e kthyer me shpinë nga dera.

“Meqenëse tavolinat kanë qenë të rrumbullakëta, ne kemi qenë në të njëjtin krahë të ulura mirëpo nuk më kujtohet saktësisht sepse ka kaluar një kohë e gjatë”, është shprehur Kukaj.

Pasi që prokurori i shtetit Armend Hamiti kishte mëdyshje lidhur me deklaratën e saj se si kishte qenë e ulur në tavolinë atë ditë duke u bazuar edhe në deklaratën e dëshmitares Egzona Berisha, ai të njëjtës i ka ofruar mundësinë që të ulet në një karrige në sallë të gjykimit dhe të demonstrojë se si kishte qenë e ulur në tavolinë ditën e ngjarjes.

Dëshmitarja Kukaj është ulur në karrige dhe ka sqaruar se në krahun e saj të djathtë e ka pasur të ulur shoqen e saj, Egzona Berisha.

Ndërsa në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Krasniqi, avokatit Haxhi Millaku lidhur me deklaratat e saj të mëparshme, ajo ka deklaruar se nuk i kundërshton duke shtuar që tani nuk i kujtohen detajet.

Lidhur me pyetjen e anëtares së trupit gjykues, Shpresa Hasaj-Hyseni, dëshmitarja ka thënë se para ngjarjes, në momentin që kishte hyrë në lokal, e kishte përshëndetur të ndjerin ndërsa më pas nuk e kishte parë më.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Gërdovci, avokati Rudari ka thënë se qëndron pranë propozimit që të dëgjohet si dëshmitar, deputeti Uran Ismaili dhe ka propozuar ballafaqimin e dëshmitareve Dea Kukaj dhe Egzona Berisha me arsyetimin se njëra nuk është duke e thënë të vërtetën.

Propozimi për ballafaqimin e dëshmitareve u refuzua nga trupi gjykues për shkak që sipas tyre, rrethanat dhe pozicioni i dëshmitareve në ditën kritike tashmë është sqaruar mjaftueshëm.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 26 nëntor 2020, duke filluar nga ora 9:30.

Ndryshe, me aktgjykimin e Themelores, të datës më 22 janar 2019, Masar Gërdovci ishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për vrasjen e lartpërmendur, kurse i akuzuari tjetër në këtë rast, Sherif Krasniqi, ishte dënuar me katër vjet e tre muaj, pasi ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në rrahje, pasi ndaj tij është bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Kurse, Krasniqi ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje, pasi thuhej se nuk është provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

Gërdovcit i ishte vazhduar edhe masa e paraburgimit, ndërsa të akuzuarit Sherif Krasniqi i ishte ndërprerë një masë e tillë.

Por, me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë nuk ishin pajtuar palët në procedurë të cilat ushtruan ankesa në Gjykatën e Apelit.

Pas ankesave të ushtruara në Gjykatën e Apelit, nga Prokuroria pala e dëmtuar dhe dy të akuzuarit, Gjykata e Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit,  ngase arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse në masë të konsiderueshme për faktet vendimtare ka kundërthënie të konsiderueshme ndërmjet asaj që paraqitet në arsyetimin e aktgjykimit lidhur me përmbajtjen e shkresave ose procesverbaleve për deklarimet e dhëna në procedurë.

Familja e të ndjerit përmes ankesës kishin kërkuar nga Apeli dënime maksimale për dy të akuzuarit.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim, me pretendimin se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka bërë ricilësimin e veprës penale, duke kërkuar që ky rast të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Krasninqi, avokati Haxhi Millaku kishte ushtruar ankesë mbi vendimin mbi dënim, me pretendimin se dënimi prej 4 vjet e 3 muaj ndaj të mbrojturit të tij, siç tha ai, e tejkalon maksimumin e dënimit të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim të mbrojturit të tij, aq kohë sa ai kishte qëndruar në paraburgim, e që sipas tij e tejkalon maksimumin e sanksionit penal të paraparë për veprën pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, me pretendimin se i mbrojturi i tij nuk është kryerës i veprës penale, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar kthimin e këtij rasti në rigjykim.

Kjo me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit të atakuar është i mangët, i paqartë dhe i pakuptueshëm.

Sipas tij, gjykata nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare, e edhe në rastet kur i ka dhënë, sipas tij, ato janë shumë konfuze.

Ndërsa, lidhur me armën e përdorur në këtë rast, gjykata kishte marrë vendim që e njëjta të konfiskohet, ndonëse në seancën paraprake, gjykatësja Çerkini kishte deklaruar se, përmes raportit nga Drejtoria Rajonale e Policisë, ishte njoftuar se arma në fjalë është shkatërruar, pas konstatimit se ajo nuk ka pasur përputhshmëri me rastet e hapura në laboratorin e armëve të zjarrit.

Pas vendimit të Apelit të marr në tetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë në mars të citit 2020 kishte nisur rigjykimin e të akuzuarve Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.

Në seancën e parë pas rigjykimit i akuzuari Gërdovci kishte paraqitur kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Suzana Çerkini dhe anëtares Shpresa Hasaj–Hyseni, por një kërkesë e tillë ishte vlerësuar si e pabazuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore.

Kjo ishte arsyetuar me faktin se pala e cila ka paraqitur kërkesën nuk e ka dëshmuar se me çfarë rrethana do të vihej në dyshim paanshmëria e gjykatëses.

E rigjykimi kishte vazhduar, ku më 7 korrik 2020, dy të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje.

Ndryshe, lidhur me këtë rast emisioni “Betimi për Drejtësi”, më 26 janar 2019, kishte transmetuar një hulumtim, në të cilin ishte trajtuar çështja e asgjësimit të armës me të cilën dyshohej se ishte kryer vepra penale ende pa u ngritur aktakuza. (Shih linkun)

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim”, dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit që t’i largoi nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.

Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngritën nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve. Sipas aktakuzës, Uka me tu ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provoi nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me, ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra ndërron jetë në QKUK. /BetimipërDrejtësi