Dëgjohet dëshmitari në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasje në Podujevë

IMG_0272
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 20, 2020

Prishtinë – Ka vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj vëllezërve Sedat dhe Fejard Llugaliu, të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut, që kishte ndodhur më 7 shkurt të vitit 2016, në parkun e qytetit në Podujevë.

Gjatë seancës së rigjykimi u dëgjua dëshmitari Riza Llugaliu i cili deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të dhëna gjatë gjykimit të kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari ishte ftuar me kërkesën e palës së dëmtuar, derisa paraprakisht me aktin akuzues ishte ftuar nga prokuroria.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, se a ka pyetje për të dëmtuarin prokurorja Besa Limani, ajo tha se nuk ka pyetje.

Ndërkaq avokati Ahmet Tahiri i cili përfaqëson palën e dëmtuar, deklaroi se ka pyetje për të dëmtuarin, derisa gjykatësi kërkoi nga ai që të mos i përsërit pyetjet për të cilat dëshmitari është përgjigjur, pasi që kjo vetëm do ta zvarriste procedurën penale në këtë rast.

Dëshmitari Llugaliu, deklaroi se natën kritike kishte qenë në shtëpi së bashku me familjen e tij kur ishin njoftuar se atë natë disa persona të familjes Bunjaku i kishin dalur në pritë vëllaut Esat Llugaliu.

Ai tregoi se pasi ishte dërguar vëllai për Emergjencë, ai ishte kthyer në shtëpi.

Në pyetjen e avokatit Tahiri se si kishte ardhur deri te acarimi i raporteve me familjen Bunjaku, pati vërejtje nga avokatët e të akuzuarve të cilët thanë se në të gjitha këto pyetje dëshmitari është përgjigjur.

Derisa gjykatësi sërish kërkoi nga avokati që pyetjet të cilat janë konsumuar të mos përsëriten, ai tha se avokati ka në dispozicion kohën që i nevojitet por të mos përsëris pyetjet të cilat janë konsumuar gjatë gjykimit të kaluar.

Në pyetjen e avokatit Tahiri se a ishin munduar të pajtohen me familjen e të ndjerit, dëshmitari deklaroi se kishin provuar të pajtoheshin.

Ndërkaq, lidhur me atë se a kishin pasur probleme më parë me familjen e të ndjerit, dëshmitari deklaroi se disa ditë më herët Mensur Bunjaku dhe Sokol Bunjaku nipi i Avdyl Bunjakut, kishte sulmuar vëllanë e tij Fejard Llugaliu, tani i akuzuar.

“A ju kanë dërguar familja Bunjaku njerëz për pajtim” ishte pyetja e avokatit në të cilën dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet.

“Po ju a keni dërgu njerëz për t’u pajtuar”, dëshmitari deklaroi se ata nuk kanë dërguar, por që njerëz të vullnetit të mirë kanë shkuar për ndërmjetësim.

“Pse ju nuk keni dërgu njerëz” ishte pyetja e avokatit në të cilën dëshmitari tha “ne nuk kemi pas faj, dhe vëllai ka qenë shumë keq dhe tani është në gjendje të palëvizshme”, shtoi dëshmitari.

Pas marrjes në pyetje të dëshmitarit nga ana e avokatit, i dëmtuari Bunjaku kërkoi nga gjykata të identifikoj numrin “049******”  sepse dyshon se është numër zyrtarë dhe të njëjtin dyshon se e ka telefonuar dëshmitari Riza Bunjaku para dhe pas rastit.

Por, lidhur me këtë propozim gjykata njoftoi të dëmtuarin Abdyl Bunjaku se avokati i tij, ka dorëzuar në gjykatë një propozim të tillë për të cilin do të vendoset gjatë fazës së administrimit të provave materiale.

Në pyetjen e avokates Fortesa Mehmeti, lidhur me motivin e nisjes për në QKUK, gykatësi tha se lidhur me këtë pyetje u përgjigj paraprakisht por edhe është përgjigjur dëshmitari në dëshminë e dhënë më parë nëse ajo e kishte lexuar mund ta kishte parë.

Përfaqësuesja e familjes së dëmtuar nuk pati pyetje të tjera, ndonëse  ky dëshmitar ishte propozuar nga ana e palës së dëmtuar.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Sedat Llugaliu, lidhur me gjendjen shëndetësore të vëllait të tij tjetër Esat Llugaliu,  dëshmitari deklaroi se ai kishte qenë shumë keq dhe në koma.

Në pyetjen e avokatit Kollqaku se a kishte biseduar me vëllun e tij, Esatin pas rastit, dëshmitari deklaroi se “Kemi bisedu me Esatin, ai më ka thanë se kam dal në Podujevë e pi kafe, dhe u takua në rrugë me Arian Selmanin i cili është shok dhe fqijë i vllezërve të mij, i cili është vrarë para dy vitesh. Ne kemi shku me pi kafe dhe e kemi parku veturën, kemi dal me Arianin prej veture dhe kanë fillu të shtënat në drejtim tonin, në dy drejtime” deklaroi dëshmitari.

Ai tha se vëllai i tij Esati i kishte thënë se revolen e kishte pasur me vete dhe me të njejtën pasi ishte sulmuar kishte gjuajtur.

Ndërkaq për vrasësit e personit të quajtur Arian Selmani, dëshmitari deklaroi se ende nuk është zbuluar.

Në pyetjen e avokait Skender Musa, lidhur me vrasjen e personit të quajtur Arian, pati vërejtje avokati Tahiri i cili tha se vrasja e tij nuk është objekt i akuzës dhe nëse dëshmitari ka njohur mund t’i drejtohet organeve kompetente.

Kjo pyetje u refuzua pasi që gjykatësi tha se vrasja e Arianit nuk është objekt i akuzës.

“A është në gjendje Esati me dhanë deklaratë” ishte pyetja e avokatit Musa, në të cilën dëshmitari deklaroi se gjendja e Esatit është përmisuar dhe i njëjti mund të jep deklaratë.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Kujtim Krasniqi se natën kritike, ku kishin qenë vëllezërit e tij, Sadati dhe Fejardi, dëshmitari deklaroi se ata kanë qenë te shtalla.

“Natën kritike kur ka ndodh ngjarja kanë qenë në shtalla, duke u kujdesur për kafshë pasi që kemi pasur një numër të madh të krerëve dhe aty normal që kërkohet kohë dhe angazhim të madh. I kam pa në shtallë të dy”.

“A janë njoftu ata për ngjarjen” ishte pyetja e gjykatësit në të cilën dëshmitari deklaroi se nuk i kishte njoftuar, mirëpo kur ishte kthyer në shtëpi nuk i kujtohej nëse kishin qenë në shtëpi vëllezërit e tij.

“Në ishim shumë të shqetësuar, nana më njoftoi se ata kishin dal nga shtëpia”, shtoi ai.

Ndërkaq lidhur me mënyrën si Sadati dhe Fejardi e kishin kuptuar për Esatin, dëshmitari deklaroi se nuk e di.

Pas dëgjimmit të dëshmitarit Llugaliu, gjykata vendosi lidhur me dëgjimin e dëshmitarit Rafet Dërvisholli.

Pasi që kishte marr njoftim nga Stacioni Policor në Podujevë, i njëjti nuk është në gjendje të mirë shëndetësore , për këtë arsye gjykatësi Kujtim Krasniqi njoftoi palët se për këtë seancë nuk e kishte ftuar.

Lidhur me ridëgjimin e tij prokurorja propozoi që për shkaqe shëndetësore të lexohen dëshmitë e tij, ndërkaq avokati i cili përfaqëson familjen e të dëmtuarit rezervoi të drejtën që të deklarohet në seancën e ardhshme, pasi që i nevojitet konsultim.

Por, avokati Ahmet Tahiri më pas ndryshoi deklarimin e tij, duke thënë se nuk ka fare nevojë të ftohet por që të lexohen deklaratat e tij.

Me leximin e deklaratës së këtij dëshmitari u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve, ku gjykata më pas mori edhe aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e  prokurores.

Avokati Ahmet Tahiri propozoi që në cilësi të dëshmitarit të ftohet dëshmitari Bajram Cakiqi.

Ky propozim u kundërshtua nga mbrojtja e cila pretendoi se ky dëshmitar nuk duhet të dëgjohet pasi që i njëjti është në raporte familjare me familjen e të dëmtuarve.

Lidhur me propozimimn e tij, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin refuzoi propozimin që në cilësi të dëshmitarit të ftohet dhe të dëgjohet dëshmitari Bajram Cakiqi.

Gjykimi vazhdoi me administrimin e provave, ku u lexuan dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna në shqyrtimin gjyqësorë të mëhershëm.

Seanca e radhës u caktua për datën 16 dhjetor 2020, nga ora 9:00 ku pritet të vazhdoj gjykimi në këtë rast.

Sipas aktakuzës së ngritur me 5 prill 2017, vëllezërit Llugaliu më 7 shkurt të vitit 2016, rreth orës 21:40, në rrugën e “Xhamisë” në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes të pandehurve dhe personave NN, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku, nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme të familjes Lugalliu dhe Bunjaku rreth biznesit, duke rrezikuar edhe Arafat Fetën, të pandehurit u kanë dal në pritë Fetës dhe Bunjakut.

Sipas aktakuzës, Esat Llugaliu, ka shtënë në drejtim të tyre me pistoletë dhe bashkë me të kanë shtënë edhe personat NN dhe të pandehurit Fejard dhe Sadat Llugaliu që kanë dal nga vetura e tyre, kurse personat NN kanë qene të fshehur në qoshe të një ndërtese.

Për të shpëtuar nga të shtënat me armë, aktakuza thotë se Feta ka dal nga vetura dhe ka ikur, kurse, tani i ndjeri Fahri Bunjaku është qëlluar me armë zjarri dhe në atë gjendje ka dal nga vetura, por pasi të shtënat nuk janë ndalur në vetëmbrojtje ka shtënë në drejtim të tyre dhe ka ikur drejtë shtëpisë së të dëmtuarit Halit Kika.

Për këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë”. /BetimipërDrejtësi