DËGJOHET DËSHMITARI FLORIM NUHA NË RASTIN E TË AKUZUARIT PËR VJEDHJE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, vazhdoi shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurit Sali Nuha, i cili akuzohet për veprën penale “vjedhje. Në këtë shqyrtim gjyqësor sipas propozimit të vet të pandehurit u dëgjua dëshmitari, Florim Nuha.

Dëshmitari Nuha në pyetjet e parashtruara deklaroi se e di që tani i akuzuari jeton në Shtime, në rrugën “Jetë Hasani”, ndërsa sa i përket objektit të akuzës lidhur me njehsorin elektrik për të cilin akuzohet se e ka vjedhur i pandehuri, dëshmitari tha se në atë shtëpi ku edhe është gjetur ky njehsor, nuk ka jetuar asnjëherë i pandehuri dhe as nuk ka qenë ndonjëherë përgjegjës për atë shtëpi, kurse tha se shtëpia është në emër të xhaxhait të tyre Hyzri Nuhës, për të cilin tha se ka kohë që jetojnë në Prishtinë, dhe se shtëpinë e lëshojnë me qera tashmë disa vite. Ai tha se përgjegjëse për atë shtëpi është bashkëshortja e xhaxhait. Ai në fund deklaroi se është plotësisht i sigurt që tani i akuzuari nuk ka të bëjë asgjë lidhur me atë që akuzohet sepse ai ka shtëpinë e tij dhe nuk ka pasur pse të merret me shtëpinë në të cilën është gjetur njehsori i vjedhur.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, prokurori i çështjes Veton Shabani propozoi që në seancën e radhës të dëgjohet dëshmitari nga KEDS, përkatësisht punëtori i cili ka qenë lexues i njehsorit elektrik gjatë asaj kohe.

Me këtë edhe përfundoi shqyrtimi gjyqësor, ndërkaq seanca e radhës nuk u caktua për ndonjë datë konkrete.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj i pandehuri Sali Nuha akuzohet për veprën penale “vjedhje” nga neni 252 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, sepse më 24 nëntor 2010, në lokalin e tij në rrugën “Ahmet Shtimja”, në Shtime, me rastin e kontrollit nga punëtorët e divizionit të rrjetit në Prishtinë – sektori qendra e kalibrimit, është konstatuar se i pandehuri me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete të pasurisë së luajtshme të tjetrit, në njehsorin elektrik, rreth kapakut të njehsorit nga ana e majtë ka vendosur shiritin filmik me qëllim që energjia e shpenzuar të mos llogaritet fare me të cilin veprim ka dëmtuar KEK-un në distriktin në Feriza në shumë prej 994,86 euro.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë