Dëgjohen tre dëshmitarë në rastin e të akuzuarit për ushtrim të ndikimit, Ervin Kastrati

Raporton: Belkize LOSHAJ

Pejë – Tre dëshmitarë janë dëgjuar sot në rastin kundër të akuzuarit për ushtrim të ndikimit, Erivin Kastrati. Jeton Krasniqi, Arben Rrustemi dhe përfaqësuesi i KEDS-it Migjen Kastrati, kanë dhënë versionet e tyre para Gjykatës Themelore në Pejë, lidhur me pretendimet e prokurorisë për të akuzuarin në fjalë.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, përfaqësuesi i KEDS-it, Migjen Kastrati, deklaron se ka njohuri që i pandehuri Ervin Kastrati punon në KEDS. I njëjti thotë se e din që ekziston edhe një pozitë e tillë si specialist i daljes, por që nuk e din se me çfarë detyra të punës mund të jetë i ngarkuar një  i tillë. Madje, Kastrati thekson se nuk ka njohuri se a mirret KEDS-i me shitjen apo riparimin e trafove.

Ndryshe, dëshmitari Arben Rrustemi, deklaron se në kohën kur vëllau i tij, i dëmtuari Jetullah Rrustemi, i kishte dhënë të holla të akuzuarit Ervin Kastrati për rregullimin e trafos, kishte qenë në Holandë. I njëjti deklaron se pasi ishte kthyer, kishte shkuar të kërkonte llogari për shumën e paguar për rregullimin e rrymës. “Unë kam shkuar që të interesohem dhe i kam thënë se unë i dhashë paratë për trafo, ndërsa trafoja nuk ka ardhur, dhe i njëjti tha se trafoja vonohet”. Sipas dëshmitarit Rrustemi, vëllau tjetër i tij Xheladini ka qenë prezent në momentin kur i janë dhënë paratë të akuzuarit për rregullimin e asaj çështjeje.

Ndërkaq, dëshmitari i tretë Jeton Krasniqi, deklaron se të akuzuarin Ervin Kastrati e njeh me emrin Musë. I njëjti thekson se i njeh edhe të dëmtuarin Jetullah Rrustemi dhe vëllaun e tij Arben Rrustemi. Madje sipas tij, Jetullahu i kishte kërkuar të holla borxh në shumë prej 1,000 euro për ta blerë trafon. Krasniqi shton se nuk e ka ditur se në çfarë pozite punon i akuzuari në KEDS, por e ka njohur vetëm si njeri të mirë.

Seanca e radhës u caktuar me 04 nëntor në ora 10:00, ku i akuzuari pritet të jap mbrojtjen e tij.

Sipas aktakuzës i pandehuri ka pranuar përfitime ne të holla për vete, që të ushtroj ndikim të pa drejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ne atë mënyrë që pasi i dëmtuari N.N .kishte nevoje për një trafo për separacionin e tij i cili ishte djegur, pasi vjen ne lokalet e KEDS-it, ky i fundit i siguron se do të ndikoj tek zyrtarët e tjerë. Sipas aktakuzës i akuzuari i thotë se brenda tri ditëve do t’a siguroj një gjë të tillë por se për këtë i njëjti duhet të paguaj shumën prej 3.000 euro, për çka i dëmtuari pajtohet dhe të hollat në fjalë ia dorëzon sipas marrëveshjes.

Ai gjithashtu si person zyrtar-specialist i daljeve në KEDS-Pejë në shkresën zyrtareve ka shënuar të dhëna të rremë, ne atë mënyrë që pasi nga i dëmtuari N.N.më herët i kishte marrë shumën prej 3.000 euro, me qëllim të ushtrimit të ndikimit në zyrtarët e KEDS-it për sigurimin e trafos.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë