Dëgjohen tre dëshmitarë në gjykimin për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve të AKMP-së

20200210_150323
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shkurt 10, 2020

Prishtinë –  Në seancën e së hënës,  janë dëgjuar tre dëshmitarë në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi, si ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj agjencie, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda.

Ata akuzohen se duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kishin lejuar që kompania “Asgeto” të pajisej me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPPM-ja, e që sipas aktakuzës, kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër krejt tjetër serik, vlera e të cilave arrinte shumën 655,841,05 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Berat Murmullaku ka deklaruar se punon në divizionin e prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 5 gushti i vitit 2008, në pozitë të zyrtarit të lartë të prokurimit për punë dhe shërbime të konsulencës.

Prokurorja Merrushe Llugiqi e ka pyetur dëshmitarin se a është në njohuri për kontratën e lidhur mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë “Asgeto” për furnizim me barna.

Ai tha se ka qenë në njohuri nga diskutimet që janë bërë, por deklaroi se konkretisht nuk e di se ka qenë i kyçur në këtë rast.

Llugiqi, më pas deklaroi se në shkresa të lëndës kanë një fletëpranim të barnave të datës 2 nëntor 2012, nga kompania “Asgeto” , ku është i nënshkruar dëshmitari e thuhet “Monitorues Berat Mermallaku”.

Këtë shkresë, prokurorja me leje të trupit gjykues ia ka dhënë në shikim dëshmitarit.

Prokurorja Llugiqi ka pyetur dëshmitarin se kush ka qenë mbikëqyrës i ekzekutimit të kësaj kontrate, e dëshmitari deklaroi se ai nuk e din dhe se nuk i kujtohet.

Ai tha se për një periudhë të caktuar më pak se një vit i kanë obliguar edhe zyrtarët e prokurimit që në mënyrë rotative nga një javë të prezantojë në pranimin e mallrave në depo.

“Pranimin e mallrave e kanë bërë farmacistët, komisioni prej profesionistëve, ndërsa neve na obligojshin të jemi monitorues vetëm për pranim të produkteve. Ndërsa, çështja e menaxhimit të kontratave nuk guxon të bëhet nga zyrtarët e prokurimit. Bëhet nga njësia kërkuese- Departamenti Farmaceutik”, ka thënë dëshmitari.

Prokurorja Llugiqi ka pyetur se cila ka qenë detyra e dëshmitarit si monitorues, e dëshmitari tha se ka qenë detyrë të shohin a po vjen sasia e mallit sipas kontratës, llojit, kurse çështjet specifike i dinë farmacistët.

Dëshmitari deklaroi se çdo herë kur ka qenë ai, malli ka qenë sipas kontratës, duke thënë se atij nuk i kujtohet si rast, por kur e pa nënshkrimin e tij, tha se e din se ka marrë pjesë në komision.

“Me sa e di unë, puna është kryer me rregull”, tha ai.

Prokurorja ka pyetur dëshmitarin se a është në njohuri që në këtë rast janë dorëzuar edhe insulina.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet si rast, por derisa ka nënshkruar në shkresë, e din se ka qenë në rregull sepse pa qenë aty nuk ka nënshkruar.

Tutje, tha se asnjëherë nuk është marrë me këtë çështje, edhe pse ka dëgjuar për të.

I akuzuari Ilir Dushi ka pyetur se a ka pasur zyrtarë të AKPM-së në komisionin e cekur në shkresën e paraqitur nga prokurorja, ndërkaq dëshmitari mohoi këtë.

Duke u përgjigjur në pyetje të akuzuarit Dushi, dëshmitari tha se pranimin e mallit e bëjnë komisioni i farmacistëve nga Ministria e Shëndetësisë, së bashku me farmacistët përgjegjës në depon e barnave.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjen e avokates të së akuzuarës Gulten Kurda, Adelina Shabani deklaroi se derisa kanë qenë duke punuar në AKPPM, të akuzuarit nuk kanë qenë asnjëherë në pranim të mallit.

Gjatë kësaj seance, dëshminë e tij para trupit gjykues e ka dhënë edhe dëshmitari Gegë Kryeziu, i cili kishte qenë pronar i kompanisë “Asgeto”, që nga pas lufta deri në vitin 2019.

Dëshmitari Kryeziu deklaroi se pak a shumë i kujtohet se lidhur me këtë rast ka dhënë një deklaratë në polici.

Ai tha se si pronar kishte për detyrë të mbikëqyr procesin e punës në kompani, kurse tha se Milot Cena ka qenë në divizionin e zhvillimit.

Prokurorja ka pyetur dëshmitarin se a është në njohuri që disa medikamente i ka importuar pa leje të importit, ai tha se nuk ka njohuri.

Më pas, ai është ballafaquar me deklaratën e tij të dhënë më 21 qershor 2016, në polici, ku kishte thënë  se nuk ka qenë në dijeni dhe e ka kuptuar pas fillimit të hetimeve nga ana e policisë e se për detaje ishte informuar nga përgjegjësi për këtë çështje, Milot Cena.

Prokurorja ka pyetur se a është në dijeni tani, dëshmitari tha se nuk i kujtohet për çka është rasti, por sipas tij, gjithçka ka qenë në rregull.

Dëshmitari tha se kompania “Asgeto” , në atë kohë, është pajisur me banderolat e kuqe nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai tha se për kërkesa për pajisje me banderola kanë qenë departamentet përkatëse, ndërkaq kur ka parë një shkresë me të cilën është bërë kërkesë, ai deklaroi se nënshkrimi nuk është i tij.

Prokurorja Llugiqi ka pyetur se kush është Nita Sopa, e dëshmitari tha se farmaciste përgjegjëse e kompanisë.

Dëshmitari deklaroi se nuk është në dijeni për kërkesat që janë bërë për banderola.

Duke u përgjigjur në pyetje të avokatit Nikë Shala, mbrojtës i Ilir Dushit, dëshmitari tha se sipas njohurive të tij, banderolat e kuqe janë marrë nga ministria, kurse ato të kaltërta nga AKPPM-ja.

Në pyetje të anëtares së trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, tha se nëse insulinat shkojnë në treg për shitje iu vendosen banderolat e kaltërta, ndërsa nëse janë të dedikuara për pacientët pa pagesë, ju vendosen banderolat e kuqe, të përcaktuara në listën esenciale.

Më pas, në këtë shqyrtim gjyqësor, dëshminë e tij e ka paraqitur edhe zyrtari i doganës, Ardian Jashari, i cili është ftuar në cilësi të dëshmitarit nga gjykata sipas detyrës zyrtare.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, e ka pyetur se a pranon Dogana e Kosovës produkte medicinale.

Dëshmitari tha se dogana zhdoganon të gjitha llojet e mallrave, të cilat hyjnë në procedurë të zhdoganimit, duke përfshirë edhe produktet e pajisjet medicinale.

Ky dëshmitar tha se në doganë ka filluar punën me 10 shkurt 2003, ku në fillim ka punuar si zyrtar doganor në kufi të Mërdarës, pastaj në pozicione të ndryshme sipas avancimeve.

Ai tha se gjatë vitit 2012 ka qenë në degën doganore në aeroport.

Gjykatësi Foniqi ka pyetur se a ka marrë pjesë ndonjëherë gjatë zhdoganimit të pajisjeve apo produkteve medicinale.

Dëshmitari deklaroi se nga viti 2006 është udhëheqës dhe ka punë menaxheriale e nuk merret me zhdoganim.

“Në vitin 2012, a ka pas zyrtarë të ministrisë apo të AKPM-së gjatë zhdoganimit të pajisjeve medicinale”, pyeti gjykatësi Foniqi, kurse dëshmitari tha se me sa i kujtohet nuk ka pasur në asnjë degë doganore.

Sipas tij, diku në qershor apo korrik të vitit 2013, u ka arritur një vendim që inspektori i AKMP-së do të del në degë doganore dhe do t’i kontrollojë medikamentet dhe ashtu ka ndodhur.

“Pse u dashtë me ardh zyrtari i AKPPM-së në doganë”, pyeti gjykatësi Foniqi.

“Nuk e di. Por në vitin 2013 ish-drejtori i doganës dhe menaxhmenti i asaj kohe kanë rënë dakord që inspektori i AKMP-së me qenë në terminale për kontrollim të produkteve të licencuara”, tha dëshmitari Jashari.

Dëshmitari tha se gjykata që nga viti 2004 punon në bazë të profilizimit të riskut, çka nënkupton se konform përgjegjësive të veta ushtron kontroll, por duke mos penguar biznesin e mirëfilltë.

“A i ka kontrolluar dikush produktet medicinale që kanë hyrë nga importi”, ka pyetur gjykatësi Foniqi.

“Diku 80% të dërgesave apo mallrave komerciale që zhdoganohen nuk kontrollohen fizikisht, do të thotë shkojnë pa kontroll. Shkojnë me kontrolla dokumentare”, tha ai.

Kurse, sipas tij, me ardhjen e inspektorin të AKPM-së, inspektori ka verifikuar secilën leje të importit dhe e kanë pasur obligim agjentët doganorë të paraqiten te inspektori dhe inspektori ka nënshkruar lejen e AKMP-së që është apo nuk është në rregull e pastaj dogana ka përfunduar procedurat e veta.

Ndryshe, në seancat e kaluara, dy nga të akuzuarit janë mbrojtur në heshtje, kurse e akuzuara Kurda e Dushi janë deklaruar para trupit gjykues.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 13 shkurt, me fillim nga ora 14:00, ku palët në procedurë pritet të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, pas kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave nga ana e mbrojtësve, e kishte hudhur poshtë aktakuzën në këtë rast.

Këtë e kishte bërë, pasi sipas aktvendimit të shkallës së parë, nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Por, Gjykata e Apelit, e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe kishte vendosur që të vazhdohet me shqyrtim kryesor.

Në këtë rast, i akuzuar ishte edhe menaxheri i kompanisë “Asgeto”, Milot Cena, mirëpo për të kishte arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë më 31 korrik të vitit 2015, me të cilën e akuzon Ilir Dushin, se në cilësinë e krye shefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Haki Ejupi si drejtor i Departamentit dhe Arian Zeneli dhe Gylten Kurda si asistentë profesionalë në zyrën e banderolave në AKPM, kishin keqpërdorur pozitën e tyre.

Ata akuzohen se në marrëveshje paraprake dhe me qëllim që t’i mundësojnë kompanisë “Asgeto” përfitim të dobisë pasurore, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kishin lejuar që kjo kompani të pajiset me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPM-ja. Por, sipas aktakuzës, kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër krejt tjetër serik, vlera e të cilave importime arrin shumën 655,841,05 euro.

Sipas kësaj, Ilir Dushi, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda akuzohen se kanë shtypur banderolat dhe insulinë më 2 nëntor 2012, të cilat më pas ishin dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, e më pas ishin shpërndarë nëpër qendra të ndryshme mjekësore në vend.

Aktakuza e ngarkonte edhe menaxherin e kompanisë “Asgeto”, Milot Cena, i cili akuzohet se më 2 nëntor 2012, kishte dorëzuar insulinën me numër tjetër serik në Ministrinë e Shëndetësisë edhe pse nuk kishte licencë adekuate për atë produkt.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, nga neni 266 paragrafi 2 i KPRK-së.

Ndryshe, ish-kryeshefi i AKPPM-së, Ilir Dushi, është i akuzuar edhe në një rast tjetër.

Pas kthimit të këtij rasti dy herë në rigjykim, ai më 5 shkurt 2020, është dënuar me gjashtë muaj burg, pasi është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare. /Betimipërdrejtësi