Dëgjohen katër dëshmitarë në gjykimin ku nënë e bijë po akuzohen për vrasjen e vitit 2018 në Malishevë

Nafije Rrafshi etj foto (2)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 6, 2021

Gjakovë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, janë dëgjuar katër dëshmitarë në rastin ku Nafije Rrafshi dhe bija e saj, Behare Nura, po akuzohen se në bashkëkryerje e kanë vrarë të ndjerin Sefer Berisha në Malishevë.

Pas dhënies së fjalëve hyrëse nga ana e palëve në procedurë, seanca ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit, Mehmet Berisha, i cili është djali i të ndjerit Berisha.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ali Uka, dëshmitari Berisha tha se mbetet prapa deklaratave të dhëna në prokurori dhe në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E i pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarës Rrafshi, avokati Nexhmedin Gashi, se deri në ditën kritike i ndjeri Berisha a kishte shfaqur ndonjë brengosje që ka mundur të ketë eventualisht ndonjë mosmarrëveshje apo ndonjë konflikt me ndonjë person, dëshmitari tha se jo.

E akuzuara Nafije Rrafshi e pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë se ajo, një muaj para se të ndodhte rasti, e ka telefonuar personalisht atë, për çka Berisha deklaroi se nuk është e vërtetë.

“Unë e kam thirrë dhe i kam thënë a jeni ju djali i Sefes, ky mu ka përgjigj me po. Dy herë e kam thirrë në telefon. Herën e parë i kam kallxu për problemet që është duke mi shkaktu baba i tij dhe që po sillet keq me mu dhe kam kërku ndihmë që t’i ndali këto, pastaj ky mu ka përgjigj kush jeni ju që po thirrni. Unë nuk ja kam kallxu emrin.”, tha e akuzuara Rrafshi.

Ajo shtoi se herën e dytë kur e ka thirrur në telefon dëshmitarin Berisha, i ka thënë që babai i tij nuk po ndalet dhe se ai i është përgjigjur: “mos m’thirrë mu për këtë punë”.

Pas tij është dëgjuar dëshmitari Avdi Zabeli, i cili tha se të akuzuarën Nafije Rrafshi e ka kunatë, ndërsa të akuzuarën Behare Nura, vajzë të vëllait.

Edhe ky dëshmitar tha se mbetet prapa deklaratave të dhëna më parë, derisa tha se nuk e ka njohur të ndjerin Sefer Berisha, mirëpo për të njëjtin tha se para 8 vitesh e kishte thirrë në telefon atë.

“I njëjti më ka thirrë ne telefon dhe më dërgojke mesazhe për çështje të familjes së vëllait tim Avdylit dhe më shkrujke: “Qitma kunatën. Qitma çikën e vëllait. Sonte jam këtu”, tha dëshmitari.

Ai tha se këtë rast e ka paraqitur në polici për shqetësimet që i janë bërë dhe se të njëjtin e ka marrë policia, e që pas këtij rasti nuk e ka thirrur më.

Edhe dëshmitarët Nebih dhe Naser Berisha deklaruan se qëndrojnë prapa deklaratave të dhëna më herët.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika tha se seanca e radhës do të mbahet më 12 prill të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht lidhur me këtë vrasje akuzohej vetëm Nafije Rrafshi, mirëpo prokurori Ali Uka, kishte kërkuar që gjykimi të ndërpritet pasi që kishte marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve dhe ndaj dy të pandehurve tjerë, me dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshin e kanë kryer veprën penale të vrasjes.

Këto hetime kanë rezultuar me ngritjen e një aktakuze edhe ndaj Behare Nurës, me dyshimin se  e njëjta së bashku me Nafije Rrafshin kanë kryer veprën penale të vrasjes, ndërsa i akuzuari Granit Alushani po ngarkohet vetëm me veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 1 dhjetor 2020, Behare Nura  po akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 9:30, në rrugën “Habib Zogaj” në fshatin Lladrovc të Malishevës, me dashje në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshi, për motive të panjohura kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Berisha, i moshës 57 vjeç.

Tutje sipas aktakuzës, ato vrasjen e kanë kryer në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Berisha ishte duke drejtuar automjetin e tij të udhëtarëve të tipit “Opel Vectra” dhe në momentin kur arrinë  në rrugën “Habib Zogaj”, e akuzuara Nafije me të vërejtur tani të ndjerin gjersa ishte duke drejtuar automjetin “Alpha Romeo”, në të cilin automjet ndodhej edhe e akuzuara Behare, e akuzuara Nafije e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes, që të dyjat dalin nga automjeti dhe i afrohen automjetit të tani të ndjerit i cili kishte dalë nga rruga dhe ndalur në një breg në afërsi të pyllit dhe nga një largësi për momentin të panjohur njëra prej të akuzuarave me revolën e tipit TT kalibër 7.62mm shtënë nga jashtë automjetit në drejtim të ulëses ku ishte i ulur i ndjeri, ashtu që me njërën prej të shtënave e qëllon atë në anën e majtë të qafës ndërsa me të shtënën tjetër në kokë mbi veshin e djathtë.

Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje” nga neni 178 i KPRK-së.

E akuzuara Nura po ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, përkatësisht për mbajtjen pa autorizim të armës të tipit TT kalibër 7.62mm së bashku me 19 fishekë të cilën armë e ka përdorur si në dispozitivin e përshkruar më lartë.

Për armëmbajtjen pa leje të armës dhe fishekë të përshkruar më lartë po ngarkohet edhe Granit Alushani, në atë mënyrë që atë armë të akuzuarit Granit ia jep bashkëshortja e tij Adelina ashtu që më parë atë armë e akuzuara Nafije ia kishte dhënë dëshmitares, përkatësisht vajzës së saj Adelinës për t’ia ruajtur.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 19 janarit 2019 e akuzuara Nafije Rrafshi, akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 09:30 në fshatin Lladrovc, Komuna e Malishevës, me dashje për motive të panjohura, ka privuar nga jeta 57 vjeçarin, tani të ndjerin Sefer Berisha.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Sefer Berisha, me automjetin e tipit “Opel Vectra”, dhe në momentin kur arrin në rrugën “Habib Zogaj”, e pandehura derisa ishte duke e vozitur automjetin e tipit “Alfa-Romeo”, me të vërejtur tani të ndjerin, e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes hynë në automjetin e tani të ndjerit dhe që të dy dalin nga makinat ku qëndrojnë në breg në afërsi të një pylli dhe pas një fjalosje dhe kacafytje e pandehura nga çanta e nxjerrë një revole të tipit “TT”, kalibri 7.62 mm dhe e godet njëherë në qafë dhe pastaj në kokë atë si dhe largohet në drejtim të panjohur.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje”, nga neni  178 të KPRK-së si dhe “mbajtje në pronësi, posedim  ose kontroll të paautorizuar të armës”, nga neni 374 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi