Dëgjohen ish-kryeimami Enes Goga dhe gazetari Visar Duriqi në cilësi të palës në kontestin për shpifje dhe fyerje

Raporton: Lirikë KAMBERI

Prishtinë – Pas propozimit të autorizuarit të paditësit Enes Goga, avokatit Durim Osmani dhe të autorizuarës së të paditurit Visar Duriqi, avokates Gerta Ragipi, në seancën e së martës është bërë dëgjimi i palëve në cilësi të dëshmitarëve.

Enes Goga deklaroi se prej vitit 2012 dhe 2013, gazetari Duriqi në mënyrë sistematike ka shpifur ndaj tij, familjes së tij dhe institucionit që ai përfaqëson, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai theksoi se Duriqi ka pasur një agjendë të caktuar në drejtim të dëmtimit të reputacionit të tij dhe ka qenë i furnizuar me informacione të pavërteta nga një punëtor në Këshillin e Bashkësisë Islame në Pejë.

Goga tha se si pasojë e shpifjeve ka qenë në izolim afërsisht dy muaj për shkak se ka qenë i prekur shpirtërisht dhe i pasigurt në aktivitetin e tij.

Ndërsa, në pyetjen e avokatit Osmani se a ka pasur lidhje me dëmtimin e varrezave në Xhaminë Tahtali në Pejë, i njëjti deklaroi se nuk ka lidhje, por motiv i hetimeve të zhvilluara ndaj tij ka qenë një arkë e vendosur në rrethojën e xhamisë, të cilën e kishte vendosur ish-imami i kësaj xhamie në vitet 90-ta.

Lidhur me këtë, Goga shtoi se kjo ishte hakmarrje për zbatimin e vendimit të Bashkësisë Islame të Kosovës, për heqjen e arkës nga oborri i xhamisë.

Tutje, lidhur me pyetjen e të njëjtit se a e ka kontaktuar i padituri Duriqi para publikimit të shkrimit kontestues të 23 nëntorit 2015, për veprat fajde, haraç, kampe të rekrutimit, lider i lëvizjes Vehabiste, apo dëmtim të varrezave, Goga u shpreh se nuk është kontaktuar për këto çështje, apo elemente të tjera të përfshira në publikim.

Kurse, i padituri Duriqi deklaroi se artikulli i publikuar ka qenë i bazuar në konfirmime zyrtare prej Prokurorisë, në komunikimet e anëtarëve të Këshillit të Bashkësisë Islame në grup në viber, si dhe në raportin e Inteligjencës Ndërkombëtare.

Ai gjithashtu tha se ka tentuar të komunikojë me paditësin Gogaj, por që tani pas shtatë vitesh e ka vështirë të sigurojë dëshmi për pyetjet e dërguara.

Në pyetjen e gjykatësit Dren Rogova në lidhje me raportin e Inteligjencës Ndërkombëtare, respektivisht një pjese të përmabjtes së tij, që ka qenë i publikuar në “Gazetën Express”, se a mund të dëshmojë shkrimin të cilit i referohet, i padituri Duriqi u përgjigj se shkrimi tashmë mund të jetë fshirë.

“Tani pas 7 vitesh arkivi i Gazetës Express mund të jetë fshirë, por unë nuk punoj më në atë gazetë dhe nuk i di çështjet teknike edhe unë e kam kërkuar por nuk kam arritur ta gjej”, deklaroi Duriqi.

Ndërsa, i njëjti shtoi se e posedon raportin e lartcekur, por sipas Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve nuk e ka obligim që ta shpalosë.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 30 qershor 2022.

Ndryshe, me padinë e ushtruar më 21 janar 2016, paditësi Enes Goga po kërkon nga i padituri Visar Duriqi gazetar i gazetës “Express” kompensimin e dëmit në vlerë prej 10 mijë euro, për shkak të shpifjes dhe fyerjes ndaj tij.

Në padi thuhet se paditësi Goga ishte ushtrues i detyrës së kryeimamit të Bashkësisë Islame në Pejë dhe më 23 nëntor 2015, me qëllim të diskreditimit të personalitetit dhe autoritetit i padituri Duriqi ka adresuar në nderin e tij shpifje dhe akuza të rënda, duke e inkriminuar në vepra penale pa sjellë fakte dhe dëshmi që vërtetojnë pretendimin e kryerjes së veprës së tillë.

Tutje në padi thuhet se në web-faqen e gazetës ‘’Express’’ në titullin e botuar “Djegia e paralajmëruar e tyrbes në Pejë natën e sulmeve në Paris”, shkrim cili sipas paditësit parqet manipulime dhe shpifje, duke përhapur me qëllim thënie dhe informacione të rrejshme të cilat cenojnë rëndë nderin dhe personalitetin e tij.

Në padi thuhet se autori Duriqi ka dashur të shpjegojë fenomenin e djegies së objektit fetar Tyrbes “Gjylfatyn’’ e bërë më 14 nëntor 2015 dhe me dashje ka përmendur emrin e paditësit si një nga fajtorët dhe përgjegjësit kryesor të këtij akti kriminal dhe çnjerëzor.

Sipas padisë, veprimet e tilla paraqesin “shpifje” dhe “fyerje”, të sanksionuara me Ligjin Civil kundër shpifjes dhe fyerjes.

“Ndërsa, në portalin e Gazeta “Express’’ citohet: “Derisa terroristët e ISIS’it po vrisnin njerëz të pafajshëm në Paris, në Kosovë iu vu flaka një objekti fetar të sektit ‘’shiit” që po ashtu është i persekutuar i ISIS’it në vazhdimësi. Një hulumtim i Express në dosjet e mëhershme të Prokurorisë, gjen se ataku ndaj këtij objekti, ishte së paku i paralajmëruar nga një imam i arrestuar për terrorizëm dhe i hetuar për dëmtim varrezash, derisa vet prokuroria nuk e ka mohuar këtë pistë hetimesh”, thuhet në padi.

Andaj, përmes kësaj padie, paditësi po kërkon nga gjykata që ta aprovojë padinë si të bazuar në mbrojtjen e tij të ligjshme dhe nga provat e paraqitura të vërtetohet dëmtimi i nderit dhe reputacionit të shkaktuar ndaj tij, të detyrohet i padituri  që për dëmin e shkaktuar t’ia kompensojë shumën prej 10 mijë euro.

Ndërsa, i padituri me përgjigjen në padi të ushtruar më 19 prill 2021, ka kërkuar nga gjykata që padinë e paditësit ta refuzojë si të pathemeltë në tërësi si faktikisht dhe juridikisht, gjithashtu ka kërkuar që paditësi t’i bartë edhe shpenzimet e procedurës kontestimore./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë