Dëgjohen dy punëtorët e kompanisë në rastin e ish-shefit të kontabilitetit që akuzohet se ka përvetësuar mbi 270 mijë euro

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Nëntor 6, 2019

 

Mitrovicë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kanë dhënë dëshminë e tyre Miljana Miljkoviq dhe Sllavisha Joksimoviq, në rastin ku ish-shefi i kontabilitetit të kompanive “Auto Moto Remont” dhe “Auto Moto Drushtov”,  Srboljub Dimitrijeviq, po akuzohet se ka përvetësuar mbi 270 mijë euro.

Dëshmitarja Miljkoviq, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Njazi Rexha, ka deklaruar se në vitin 2015, pas ankesave të punëtorëve ishte formuar një komision për kontrollimin e gjendjes financiare të organizatës, pasi siç tha ajo, të ardhurat kishin qenë shumë të vogla.

Ajo ka thënë se konstatimet që kishte bërë komisioni, fillimisht për një muaj, kishin qenë të ndryshme nga konstatimet që kishte bërë i pandehuri, ish-kontabilisti Dimitrijeviq.

Miljkoviq tha se i pandehuri kishte paraqitur një shumë më të vogël për 50 mijë dinarë, nga shuma të cilën e kishte konstatuar komisioni në të cilën edhe ajo kishte qenë pjesë përbërëse.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të së mërkurës, dëshmitarja Miljkoviq, e cila kishte punuar në sportel si punëtore e administratës, ka thënë se i pandehuri Dimitrijeviq, e ka pranuar se kishte pasur keqpërdorime financiare në kompani.

“A keni informacion që Srboljub Dimitrijeviq në emër të këtyre keqpërdorime ka kthyer 20 mijë euro”, ka pyetur prokurori Rexha.

“Po”, është përgjigjur dëshmitarja Miljkoviq.

Tutje, gjykimi ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit Sllavisha Joksimoviq, i cili kishte punuar në kontrollimin teknik të kompanive  “Auto Moto Remont” dhe “Auto Moto Drushtov”.

Dëshmitari Joksimoviq, ka thënë se gjendja financiare ka qenë solide, mirëpo më vonë, siç tha ai, kishte vërejtur se mjetet financiare hyjnë në kompani, por diku zhduken.

“Drejtori na ka informuar që për muajin e fundit kemi realizuar 53 mijë dinarë, unë i kam nxjerrë letrat e mia të cilat i kam nxjerrë nga kontrollimi teknik dhe shuma ka qenë 103 mijë dinarë dhe i kam thënë drejtorit që ta bëjë kontrollin për gjendjen financiare. Pas kësaj drejtori ka formuar komisionin nga ne punëtorët, ne e kemi bërë kontrollin e gjendjes financiare dhe për tri vitet e fundit ka qenë mungesë dikun 25 mijë euro, drejtori e ka ftuar zotëriun dhe ai i ka kthyer 20 mijë euro”, ka thënë Joksimoviq.

Ai ka thënë se shpërdorime ka pasur më së shumti me dhënien e paradhënieve të punëtorëve, të cilat sipas tij, punëtorët i kanë kthyer me rregull, mirëpo që i pandehuri Dimitrijeviq, nuk i kishte regjistruar në arkë.

Joksimoviq, ka thënë se me rastin e përfundimit të punës së komisionit ka pasur mungesë të diku rreth 350 mijë eurove, si dhe mungesë të dokumentacionit për tri vite.

Në pyetjen e mbrojtësit të pandehurit, avokatit Kapllan Baruti, nëse dy pozita siç janë shefi i kontabilitetit dhe arkëtarit, mund të kryhen nga i njëjti person, ai ka thënë se nuk e din, por këtë punë në kompani, sipas tij, e kanë trashëguar vetëm një person që nga viti 2000.

Me këtë, ka përfunduar seanca e së mërkurës, ndërsa gjykatësi Beqir Halili ka deklaruar që seanca e radhës do të mbahet me 25 nëntor 2019, në ora 10:00.

Seancën e ardhshme pritet të dëgjohen dëshmitari Dragisha Stefanoviq si dhe eksperti financiar Naser Rusinovci.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 26 mars 2019, Srboljub Dimitrijeviq, po akuzohet se në periudhën kohore 1 janar 2005, e deri më 31 dhjetor 2015, në cilësinë e shefit të kontabilitetit në “Auto moto drushtvo” dhe “Auto moto Remont” në Mitrovicë, e cila është regjistruar së pari te UNMIK-u, e pastaj edhe të Agjencia e Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve “Auto moto drushtvo” Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës.

Bazuar në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që duke mos regjistruar në evidencat e kontabilitetit kthimin e akontacioneve ( paradhënieve të punëtoreve), duke tërhequr para kesh nga banka dhe të njëjtat nuk janë regjistruar fare në evidencën e kontabilitetit, duke mos dorëzuar pazarin ditor në llogarinë bankare të kompanisë, e duke mos i regjistruar në evidencat e kontabilitetit paratë e kthyera nga personat që kishin huazuar para nga kompania, ka përvetësuar të holla në shumë prej 273.107.39 euro.

Me këtë, organi i akuzës e ngarkon me veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK. /BetimipërDrejtësi