Dëgjohen dy dëshmitarë në gjykimin për korrupsion ndaj ish-inspektorin të ATK-së

Driton Fetahu etj.
Author

Raporton: Avni Berisha

Shkurt 22, 2021

Gjakovë –Dëshmitari Aliesat Haskau, tha se të akuzuarin, ish-inspektorin Driton Fetuahu për herë të parë e kishte parë kur i njëjti kishte shkuar në punëtorinë e tyre për t’i marrë tavolinën dhe karrigat.

Një deklaratë të tillë, ai e ka bërë të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku ka filluar gjykimi ndaj ish-inspektorit të Administratës Tatimore të Kosovës,(ATK), Driton Fetahu, i cili akuzohet për veprën penale “marrje rryshfeti”, raporton “Betimi për Dretjësi”.

Fetahu akuzohet se në cilësi të inspektorit të ATK-së, në zdrukthëtarinë “Beha”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në mënyrë të tërthortë nga i akuzuari Bledar Hasku ka pranuar 100 euro, me ç’rast këto të holla paraprakisht ia ka dhënë i dëmtuari, ndërsa në mënyrë të drejtpërdrejtë i akuzuari Driton ka pranuar një tavolinë dhe katër karrige në vlerë prej 360 euro.

Së bashku me të akuzohet edhe kontabilisti i zdrukthtarisë “Beha”, i akuzuari Bledar Hasku, për dhënie të ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, dëshmitari Aliesat Hasku, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ramiz Buzhala, ka thënë se për herë të parë e kishte parë të akuzuarin në janar të vitit 2019.

“Nuk e kam njoft ma herët, për herë të parë e kam njohur kur ka ardh mi marr tavolinen me karriga ka qenë muaji janar në ora 6 në mbrëmje, ka ardh me një kombi”, ka thënë dëshmitari Hasku.

Ai tha se kishte biseduar me prindin e tij, Aliriza Haskun, se përse po i merrte inspektori tavolinen me karrika, dhe i njëjti i kishte thënë se nuk i kanë në rregull dokumentet e firmës.

“Kam biseduar me prindin, ai me ka thënë se është marrë vesh me kontabilistin për me ja dhënë këtë tavolin me karrika, prindi me ka thënë po i merr këto se po thotë se nuk janë në rregull dokumentet e  biznesit, unë prej inatit e kam inskenu mi ba fotot, fillimisht kur ka hy në punëtori unë i kam bërë fotografi, sa kanë qenë duke shikuar unë kam bërë edhe ni foto, ata kanë biseduar i ka pëlqye tavolina edhe i kemi ngarkuar në furgon”, tha Hasku.

Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Fetahu, avokatit Driton Shehu, se si të lindi ideja për fotografim, dëshmitari deklaroi se e kishte bërë fotot nga inati.

“Po nga inati pasi qe ne po punojmë me djers e ai mi marrë karrikat pa para” tha Hasku.

Po ashtu ai tha se tavolinat dhe karrigat i punojnë edhe me porosi dhe në stok (rezerv), sipas tij, për herën e dytë i akuzuari porosinë nuk e kishte bërë personalisht por e kishte bërë përmes kontabilistit Bledar Hasku.

Sipas dëshmitari Hasku, ditën kur i akuzuari Fetahu i ka marrë tavolinën me karrika, nuk ka qenë prezent i akuzuari tjetër Bledar Hasku.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues gjykatësit Drilon Haraçia, se a e dini se çfarë tabela të regjistrimit kishte automjeti me të cilin kishte ardhur i akuzuari, dëshmitari tha jo.

“Jo veç e di që ka qenë 04, e kam fotografuar, furgoni ka qenë volksëagen ngjyr e bardhë me reklama, por nuk e di çfarë reklama” tha dëshmitari Hasku

Në seancën e së hënës, para dëshmitarit Aliesat Hasku, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar dëshmitarja Servete Hasku.

Dëshmitarja Hasku, ka thënë se të akuzuarin Fetahu e kishte takuar vetëm një herë kur i njëjti kishte shkuar në punëtorin e tyre.

“Ka qene muaji mars, 2020, rreth orës 14:00, e premte datën nuk e di, nuk e di me çfarë kerri, me duket ngjyr e bardh po sa njeri vjen unë nuk mund ta di”.

Ajo tha se i njëjti nuk ishte prezantuar por se kishte kërkuar shefin-burrin e saj, por pasi që i njëjti nuk ishte aty, asaj i kishte dhënë një copë letër.

“Jo nuk është prezantuar por as unë nuk e kam pyt se kush është, veç e kam pyt çka muj met ndihmu, ai më ka dhanë një copë letër më ka thënë le t’më lajmrohet shefi, unë letrën nuk e kam lexu po ma ka marr mendja që e ka shënuar numrin” tha dëshmitarja Hasku.

Sipas saj, atë dit në oborrin e punëtorisë kishte qenë vetë ajo dhe i akuzuari Fetahu.

Pas kësaj, prokurori Ramiz Buzhala, ka kërkuar që seanca e sotme të ndërpritet pasi që ai kishte ardhur ta zëvendësoj prokurorin e çështjes Ali Uka, dhe shqyrtimi i provave dhe mbrojtja e të akuzuarve të bëhet kur të është prezent prokurori që ka hartuar aktakuzën.

Trupi gjykues ka aprovuar propozimin e prokurorit Buzhala, ndërsa seancën e radhë e ka caktuar më 12 mars 2021, me fillim në ora 09:00.

Ndryshe, fillimisht para se aktakuza të ndryshohej, i akuzuari Fetahu ngarkohej me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe atë të marrjes së ryshfetit në bashkëkryerje me të akuzuarin Hasku.

Sipas aktakuzës së përmirësuar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Driton Fetahu po akuzohet se më 14 tetor 2019, në Rahovec, pikërisht në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku nga Rahoveci, duke qenë në cilësi të inspektorit të ATK-së në Prizren e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në mënyrë të tërthortë nga i akuzuari Bledar Hasku ka pranuar 100 euro, me ç’rast këto të holla paraprakisht ia ka dhënë i dëmtuari, ndërsa nga Aliriza në mënyrë të drejtpërdrejtë i akuzuari Driton ka pranuar një tavolinë dhe katër karrige në vlerë prej 360 euro.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës së përmirësuar, i akuzuari Bledar Hasku, në kohë të pacaktuar të muajit janar të vitit 2019, duke qenë në cilësi të kontabilistit në zdrukthëtarisë “Beha”, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, në mënyrë të tërthortë dhe me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete ka pranuar të holla në shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Hasku, të cilat të holla ia ka dhënë të akuzuarit Driton Fetahu.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 2 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi