Dëgjohen dëshmitarët në rigjykimin ndaj të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur në vitin 2004

IMG_1986
Author

Raporton: Denisa JASHARI

Shkurt 23, 2021

Ferizaj – Të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u mbajt rigjykimi ndaj të akuzuarit Heset Salihaj i cili akuzohet për vepër penale “Vrasje”.

Në këtë fazë të procedurës u dëgjua dëshmitari Afrim Ajeti, i cili deklaroi se mbetet pranë deklaratave të tij të dhëna në polici dhe para trupit të njëjtë gjykues në këtë Gjykatë.

Avokati mbrojtës, Arianit Koci e ka pyetur dëshmitarin “Ju thatë se mbeteni pranë deklarimeve tuaja, ku ju keni përshkruar vendin e ngjarjes. Aty afër rastësisht a keni parë një kuletë në vendin e ngjarjes?” Dëshmitari tha “Siç e kam cekur dhe më parë unë nuk kam parë kuletë në vendin e ngjarjes”, tutje dëshmitari ka shtuar se momentin që e kanë nisur viktimën për në spital, i njëjti kishte shkuar nga mbrapa me veturën e tij, pasiqë i kishte interesuar për gjendjen e viktimës ku të njëjtin e kishte pasur fqinjë, si dhe për faktin se dëshmitari me profesion është mjek.

Ndërsa në pyetjen e Kryetarit të Trupit Gjykues se ku e kishte parkuar veturën ditën kritike, dëshmitari u përgjigj “Vetura ime ka qenë e parkuar në trotuar afër ambulancës time private, ku përafërsisht mund të jenë 30 metra diferencë në mes veturës sime dhe vendit të ngjarjes”. I njëjti shtoi se në vendin e ngjarjes kishte ndriqim të mjaftueshëm, aty afër rreth 2-3 metra prej vendit ku ka qenë i ndjeri, kishte një shtyllë me ndriqim publik, e në bazë të saj ka pas mundësi shikueshmërie për rreth atij vendi”, tha dëshmitari Afrim Ajeti.

Tutje, në këtë shqyrtim gjyqësorë, u dëgjua dhe dëshmitari Besfort Sahiti i cili tha se mbetet pranë deklaratave të tij të dhëna më parë për rastin e vrasjes që ka ndodhur në vitin 2004, dhe se tjetër nuk ka se çfarë të shtoi.

Avokati Arianit Koci ka pyetur dëshmitarin “Pasiqë keni dal jashtë shtëpisë për të shikuar ndodhit, dy zyrtar policorë i’u kanë marrë në veturën zyrtare ku ju keni dhënë deklaratë, përgjatë rrugës deri tek vetura, a keni vërejtur një kuletë për rreth?”, dëshmitari tha se nuk kishte parë asnjë kuletë, shtoi tutje “në vendin e ngjarjes kam qëndruar rreth 10 minuta dhe jam kthyer në shtëpi, poashtu gjatë kësaj periudhe kohore nuk kam parë asnjë kuletë për rreth”, tha dëshmitari Besfort Sahiti.

Tutje, i pyetur nga Kryetari i Trupit Gjykues se çfarë kishte parë në momentin kur ka dal në ballkon të shtëpisë së tij, dhe se a ka qenë pamja e mire sa për t’u vërejtur dhe detajet në tokë, dëshmitari tha “Unë kam cekur dhe më parë se vendi ka qenë i ndriquar mjaftueshëm, dëshmitari ka shtuar se nga ballkoni kishte vërejtur tani të ndjerin Nezir, pastaj kishte hyrë brenda në shtëpi kishte lajmëruar policinë dhe ishte dal jashtë për të parë ndodhit e që aty kishte parë që ishin afruar fqinjët, dhe kishte vërejtur që dhe policia ishin prezentë.

Në këtë fazë të procedurës avokati Arianit Koci deklaroi “Në këtë fazë të rigjykimit nuk plotësohet asnjë kusht ligjorë për qëndrimin e më tutjeshëm të klientit tim në paraburgim”, andaj Gjykatës i ka propozuar që masën e paraburgimit ta ndryshojë me masën e arrestit shtëpiak. Propozimin e tillë Kryetari i Trupi Gjykues e ka kundërshtuar, me arsyetimin se ende ekzistojnë arsyet për të cilat është caktuar dhe vazhduar paraburgimi.

Meqënëse, në këtë shqyrtim ishte planifikuar të dëgjohej dhe dëshmitari Xhemajl Nuha, por që i njëjti nuk prezantoi në seancën e sotme për shkaqe shëndetësore, shqyrtimi i sotëm është ndërprerë dhe u caktua të mbahet më 29 mars 2021 ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2018, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Heset Salihaj akuzohet se në bashkëkryerje me persona të panjohur, i shtyrë nga motivet nacionale, më 17 mars 2004, në orët e vona të pasdites, me dashje kishte privuar nga jeta Borko dhe Dobrijevo Stoliq.

Siç thuhet në aktakuzë, derisa të ndjerit kishin qenë para shtëpisë së tyre në fshatin Drajkovc të Komunës së Shtërpcës, i akuzuari Salihaj së bashku me disa persona të tjerë të panjohur, kishte shtënë me armën e tij në drejtim të tyre, me ç’rast i ndjeri Dobrijevo Stoliq, nga plagët e marra kishte mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa i ndjeri Borko Stoliq, nga dy lëndime të marra kishte vdekur rrugës për në spital.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim të sigurimit të vendit të ngjarjes, kishin arritur disa pjesëtar të Policisë së Kosovës, ku duke ikur nga vendi i ngjarjes, Salihaj së bashku me personat e panjohur kishte shtënë disa herë në drejtim të tyre, por që nuk ishin qëlluar.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, nga neni 147, paragrafi 6,10, dhe 11, lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Salihaj po akuzohet se më 21 tetor 2004, rreth orës 01:30, në Ferizaj, me dashje kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Nezir Sherifi, në atë mënyrë që derisa Sherifi kishte qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij, Salihaj kishte shtënë disa herë në drejtim të tij, ku nga lëndimet e marra kishte vdekur në vendin e ngjarjes, nga ku i pandehuri kishte ikur por që i kishte mbetur portofoli me dokumentet e tij personale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasje”, nga neni 146, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi