Dëgjohen dëshmitarët e fundit në rigjykimin ndaj Pjetër Ndrecajt, i akuzuar për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij

Pjeter Ndrecaj foto (1)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shkurt 18, 2020

Gjakovë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka vazhduar rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj.

Në seancën e së martës janë dëgjuar dëshmitarët e fundit në këtë rast, Mark Prekaj dhe Robert Radi.

Dëshmitari Prekaj, i cili të akuzuarin Ndrecaj tha se e ka djalë të motrës, deklaroi se kishte kërkuar nga tani e ndjera Valbona Ndrecaj, që të kthehej tek i akuzuari dhe fëmijët e tyre.

Ai tha se ditën kur kishte ndodhur vrasja, kishte shkuar me të akuzuarin dhe disa persona të tjerë tek shtëpia e tani të ndjerës, që të kërkonin nga ajo që të kthehej tek burri dhe fëmijët e saj, mirëpo sipas tij, kjo vizitë nuk kishte sjellë rezultat pozitiv.

Dëshmitari Prekaj, deklaroi se kishte marrë pjesë disa herë në seancat e këtij rasti, e lidhur me këtë ka pasur vërejtje nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrecë Dodaj, i cili tha se dëshmia e tij në pikëpamje procedurale nuk ka vlerë juridike.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Robert Radi, i cili tha se të akuzuarin Ndrecaj e ka dajë.

Dëshmitari Radi deklaroi se disa muaj para se të ndodhte vrasja kishin biseduar me tani të ndjerën dhe vëllezërit e saj dhe se gjithçka sipas tij, ka shkuar mirë.

Ai shtoi se pas takimit çdo gjë kishte qenë në rregull, por se pas disa kohësh kishte eskaluar situata, duke shtuar se në takimin që kishin pasur, ky kishte qenë garantues se i akuzuari Ndrecaj nuk do të përdorte më forcë.

Ai tha se deri në javën e fundit të ditës kritike ishin munduar që t’i pajtojnë, por pa sukses.

Më pas, seanca është ndërprerë pasi që trupi gjykues ka vendosur që të dalë të bëjë shikimin e vendit të ngjarjes, derisa seancat e radhës janë caktuar që të mbahen më 11 dhe 12 mars.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor 2018, për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, e kishte dënuar Ndrecajn me 24 vjet burgim efektiv.

Ndaj këtij vendimi, kishin bërë ankesë të gjitha palët, përderisa Prokurori i Shtetit dhe pala e dëmtuar kishin kërkuar burgim të përjetshëm, mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të butë.

Por, më 1 mars 2019, Gjykata e Apelit, kishte njoftuar se kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Ndrecajn e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Në komunikatën e Gjykatës së Apelit thuhej se veprimet e të akuzuarit Ndrecaj janë ri cilësuar si “vrasje e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe ndaj tij është shqiptuar dënimi me burg të përjetshëm.

Sipas Apelit, gjykata e shkalles së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, e ato posaçërisht rënduese dhe se këto rrethana mbizotërojnë shumëfish më tepër se ato lehtësuese.

Mirëpo, më pas Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer rastin në rigjykim, duke prishur kështu vendimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj të Apelit.

Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së  viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N, dhe vajzën e tij K.N.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e vëllezërve të viktimës i armatosur, ku ka qëlluar më pushkën automatike në drejtim të shtëpisë, si dhe ka qëlluar me armë ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij, të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë.

Prokuroria Themelore Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Ndrecajt, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” nga 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi