Dega e Podujevës asnjë rast urgjent që nga shfaqja e COVID-19, Komuna ndihmon familjet me gjendje të rëndë sociale në rajonet e prekura

Podujeva me borë, 1
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Mars 24, 2020

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, nuk ka pasur asnjë rast urgjent nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus në Republikën e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”

Mbikëqyrësi i kësaj degem gjykatësi Gazmend Bahtiri, ka thënë mes tjerash se po respektohen vendimet e Qeverisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ai ka theksuar se është njoftuar nga gjykatësi Minir Hoti, në lidhje me një kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e një mase paraburgimi, për një rast të mëhershëm të trajtuar nga po e njejta gjykatë. “Nga gjyqtari Minir Hoti, jam njoftuar se ka një kërkesë nga Prokuroria për vazhdim të masës së paraburgimit”.

Duke qenë se listës së numrit të të prekurve me pandeminë COVID-19, orëve të fundit i janë shtuar edhe 26 raste të reja, në qytetin e Podujevës, për 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë rast të dyshuar me koronavirus.

Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se, QKMF-ja në Podujevë, është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e prekura nga virusi në fshatrat Dumnicë dhe Bradash. “Gjendja e dy të infektuarve të tjerë me COVID-19 është stabile dhe se ekipi mjekësor i QKMF në Podujevë vazhdimisht është në kontakt me familjet e tyre në Dumnicë dhe Bradash”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Gjithashtu, është bërë e ditur se në këtë periudhë të vështirë, sidomos për familjet me gjendje të rëndë sociale, përmes donatorëve po shpërndahen pako me ushqim dhe me produkte higjenike. “Komuna, përmes donatorëve ka shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike tek familjet me gjendje më të rëndë në tri fshatrat që po mbahen në karantinë, por edhe tek familjet e tjera me gjendje të rëndë sociale, që janë në evidencën e Komunës”, thuhet tutje në njoftimin e komunës.

Është raportuar nga Policia në Podujevë, për disa raste intervenimesh në lokalet që nuk kanë respektuar vendimet e Qeverisë, por që sipas njoftimit të policisë rastet e tilla me vendim të prokurorit kanë vazhduar në procedurë të rregulltë.

Ndryshe, Komuna e Podujevës, tashmë ka humbur viktimën e parë nga virusi vdekjeprurës, duke shënuar kështu viktimën e parë në nivel të Republikës së Kosovës.